Notice: Trying to get property 'post_excerpt' of non-object in /var/www/html/wp-content/themes/sahifa/framework/parts/post-head.php on line 73

400 mijë euro rryshfet për projektin Brezovica/ “Oligarku i Ramës”, Gentian Sula ngec në rrjetën e drejtësisë kosovare

Biznesmeni i ndërtimit Gentian Sula, i njohur edhe si “oligarku i Ramës” për shkak të afrisë dhe përfitimeve që ka nga Kryeministri dhe oborri i tij, gjendet i përfshirë në dosjen “Brezovica” të Prokurorisë së Kosovës, pas arrestimit të një ish-drejtuesi të Komunës së Strepcës, i dyshuar se ka pranuar para nga kompani të ndryshme në këmbim të lejeve të ndërtimit.

Sikurse bëjnë me dije mediat kosovare, biznesmeni i Shqipërisë Gentin Sula, së bashku me analistin e njohur Veton Surroi, kanë në pronësi shoqërinë private “Stella Consulting” në Kosovë, e cila ka marrë leje për ndërtimin e një kompleksi vilash malore, si edhe të një rezidence hoteliere në zonën e Brezovicës.

Sipas raportimikt të mediave kosovare, ish-kryetari i Shtrepcës, Bratisllav Nikoliç, ka marrë rreth 210 mijë euro nga “Stella Consulting” për të pajisur kompaninë e Sulës dhe Surroit me leje mjedisore për vilat në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, Nikoliç dyshohet gjithashtu se ka pranuar edhe 200 mijë euro të tjera nga e njëjta kompani ndërtuese, për ta pajisur me leje ndërtimi për një strukturë hoteliere po në zonën turistike të Brezovicës.

Analisti Surroi mohoi publikisht që kompania ku është pronar dhe sidomos ai vetë të jetë përfshirë në veprime korruptive.

Megjithatë, Prokuroria e Kosovës duket se ka siguruar prova të mjaftueshme për korrupsionin e ish-zyrtarit Bratisllav Nikoliç, ndërkohë që nuk rezulton, të paktën publikisht, të ketë ngritur akuza për pronarët e “Stella Consulting”, Gentian Sula dhe Veton Surroi.

Kompania në Kosovë

Sipas portalit “Biznese të hapura”, shoqëria “Stella Consulting” është krijuar në vitin 2008, me seli në Shterpcë.

Kompania është në pronësi 70 përqind të biznesmenit shqiptar, Gentian Sula, ndërsa 30 përqind në pronësi të Veton Surroit. Shoqëria ‘Stella Consulting” ka një kapital fillestar prej 5 mijë euro, referuar të dhënave të portalit të specializuar kosovar.

Në foto: Të dhënat e shoqërisë “Stella Consulting” në Kosovë

Biznesmeni shqiptar nuk ka reaguar deri më tani për dyshimet e Prokurorisë së Kosovës, ndërsa Veton Surroi ka paraqitur disa shpjegime publikisht.
“Stella consulting”, aksionar i së cilës jam, NUK është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit”, deklaron Surroi, i cituar nga mediat në Kosovës.

Sipas tij, “Stella Consulting”, si investim i huaj me aksionar mazhoritar z. Gentian Sulon (mik imi dhe afarist i respektuar i Shqipërisë), i ka kontraktuar të gjitha veprimet e veta ekzekutive nëpërmjet një kontrate të pergjithshme me sistemin “çelësa në dorë”, përfshirë konsulencën paraprake tekniko-ligjore me një kompani tjetër të përzgjedhur në mënyrë të ligjshme midis disa kompanive dhe ka paguar çdo detyrim të ardhur nga kjo kontratë në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe duke respektuar ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës”.

Por, ndërkohë, mediat kosovare, duke cituar burime nga prokuroria e Kosovës, deklarojnë se hetuesit kanë krijuar dyshime, bazuar në fakte, për përfshirjen e ish-zyrtarit Bratisllav Nikoliç në korrupsionin me lejet mjedisore, ku gjenden edhe procedurat në emrin e “Stella Consulting”.

Kush është Gentian Sula

Gentian Sula, pronari në maxhorancë i shoqërisë “Stella Consulting” është një prej biznesmenëve të njohur të ndërtimit në Shqipëri dhe një prej përfituesve të kontratave të rëndësishme me autoritetet publike të qeverive Rama.

Sipas të dhënave të ofruara nga portali “Spending.datal.al” kompania e tij kryesore, “Agi Kons”, në vetëm dy vitet e fundit, ka arkëtuar rreth 21 miliardë lekë të vjetra nga punët publike, .

Pjesën më të madhe të parave i ka arkëtuar nga Bashkia e Tiranës dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Agi Kons” ka ndërtuar disa komplekse të mëdha banimi në Tiranë, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”.

Po ashtu, kompania “Agi Kons” e Gentian Sulës zotëron 86 përqind të kompanisë koncensionare “Z.M.A”, e cila menaxhon kontratën me bashkinë e kryeqytetit, të drejtuar nga Erion Veliaj, për “projektimi, financimi, ndërtimi, mobilimi, mirëmbajtja, mbikqyrja dhe kolaudimi i pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1”.

 

Nga Arbëria News

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × two =