Home / Analize / Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe pas 2025?

Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe pas 2025?

Ndërsa përfaqësuesi i lartë Xhozef Borel, ka deklaruar se BE mbetet e përkushtuar që dialogun ta shpie deri tek një̈ përfundim i suksesshëm, duke kërkuar nga palët që të punojnë̈ në mirëbesim dhe frymën e kompromisit. Ndonëse, deri më sot, mbetet e paqartë se çfarë nënkupton ai kompromis – shkruan Kosova.info

Ndërkohë që zyrtarë evropian kanë theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese kur nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshja e arritur në Uashington, veç idesë së Minishengenit, Serbisë do t’ia mundësojë edhe daljen në portin e Durrësit, gjë që implikon edhe Shqipërinë në raportet midis Serbisë dhe Kosovës. Analistë politikë konsiderojnë se ndikimi i Shqipërisë në këtë proces është i paanashkalueshëm. Se sa do të jetë ndikimi dhe involvimi i Shqipërisë në këtë proces për Kosova.info flasin dy analistë politikë duke vënë në spikamë rëndësinë që mund të ketë Tirana zyrtare në këtë proces.

Aleksandër Çipa

Publicisti dhe analisti i njohur politik nga Tirana Aleksandër Çipa mendon se jemi shumë afër një marrëveshje e cila mund te vlerësohet paraprakisht si e pa plotë.

“Do të kemi një marrëveshje jo shteruese. Për arsye dhe interesa të ndryshme, në Ballkan marrëveshjet mes fqinjëve përherë mbesin të pambyllura plotësisht. Mes Serbisë dhe Kosovës, nevoja për njohje reciproke është me emergjente se kurrë. Kjo emergjence imponohet nga aktualiteti global dhe rajonal gjeopolitik. Vonesa mund të sjellë implikime, pasi Rusia është e interesuar ta përdorë Ballkanin dhe sidomos patronazhin e vet mbi hapësirën sllave dhe atë serbe ne mënyrë të veçantë, si hise presioni dhe ndikimi gjeopolitik. Është mundësia e saj tradicionale për ta përdorur këtë “patate te nxehte” përkundër Perëndimit dhe BE-së. Në këto kushte, Shqipëria është e përcaktuar pa asnjë ekuivok, të ndikojë për njohjen reciproke. Nuk ka zgjedhur të bëjë diplomacinë agresive, por atë të lojalitetit dhe të integrimit. Në këtë kuptim, Shqipëria po zbaton implikimin politik. Implikimi ushtarak duket i panevojshëm dhe një mundësi vetëm mentale, jo reale”, u shpreh Çipa.

Ndërkaq analisti politik nga Prishtina Bujar Lepaja, e sheh me një dioptri tjetër ndikimin e Shqipërisë përmes idesë së Mini Shëngenit. Ai thotë se përvojat nga historia e konflikteve të mëhershme ndërkombëtare tregojnë se zgjidhjet më të mira apo më të qëndrueshme janë ato ku zgjidhet problem nacional i kombeve.

Bujar Lepaja

“Me shthurjen e BRSS në kuadër të së cilës kanë qenë shumë popuj të okupuar nga regjimi Sovjetik ka rezultuar se pavarësia apo bashkimi i këtyre popujve ka rritur stabilitetin dhe balansin politiko ushtarak të regjionit. Si shembuj mundemi të marrim disa shtete të Baltikut – Letoni, Lituani, Estoni etj. dhe në veçanti bashkimin e popullit gjerman, që si veprime me kalimin e kohës treguan se këto nuk ishin veprime separatiste të bazuara në ide nacionaliste, por ishin veprime të cilat shtuan sigurinë e shteteve Evropiane edhe pamundësuan forcimin dhe dominimin e Rusisë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Personalisht besoj që nëse ngritët bashkëpunimi në çdo segment, marrëveshja e nënshkruar nga Shqipëria dhe Kosova në kuadër të Minichengen-it pozicionet e Kosovës dhe Shqipërisë në raport me Serbinë sepse Serbia nuk mundet të mbizotëron në asnjë aspekt në këtë strukture të Minichengenit”, tha ai.

Sa i përket tendencave të njëanshme eventuale të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, mbizotërojnë mendime të ndryshme rreth ndërhyrjes së Shqipërisë. Lepaja konsideron se:

“Shqipëria si anëtare e NATO-s ka bashkëpunim të ngushtë ushtarak me KFOR-in. Ky i fundit është përgjegjës për sigurinë e Kosovës. Andaj, tendenca eventuale për ndryshimin e njëanshme të kufijve do të mund të vinte vetëm nga Serbia. Kjo nuk është anëtare e NATO-s, dhe në një situatë të tillë komanda e kësaj të fundit, do të reagonte menjëherë. Logjikisht do të urdhëronte ndërhyrje të menjëhershme mes palëve dhe mundësia më e shpejtë edhe për vet komandën e NATO-s do të ishin aktivizimi i anëtarëve të saj që kufizohen me Shqipërinë (Maqedonia dhe Greqia), dhe Kosovën (Shqipëria Maqedonia dhe Mali I Zi). Politika e Serbisë është e vetëdijshme që çdo tendencë për ndryshimin e kufijve në Ballkan do të kishte si rezultat bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, edhe atë si produkt fillestar, duke mos i harruar shqiptarët e tjerë brenda gadishullit”, vuri në dukje Lepaja.

Nga ana tjetër analisti Çipa thotë se ndryshimi i kufirit duhet të mos vihet në tryezën e diskutimit. Metodologjikisht në bisedime duhet të ndiqet parimi i së drejtës ndërkombëtare për sheldin tokësor mes dy shteteve.

“Kosova duhet të mbrojë territorin administrativ të njohur nga ish federata dhe të negociojë reciprokisht këtë trashëgimin hipotekare të territorit natyral të saj. Nuk duhet të këtë ngutje. Nuk mund të përdoret apo të negociohet për koniunktura të ndryshme politike nga asnjë palë partiake dhe nuk mund të cenohet për interesa politike. Shqipëria dhe Kosova duhet të shkëmbejnë dhe rrisin kapacitetin e ekspertizës për kësi çështje jo vetëm me Serbinë por edhe ne raportet me fqinjët e tjerë”, theksoi ai.

Çipa Nuk e konsideron të mundur opsionin e përballjes ushtarake dhe aq më tepër implikimin ushtarak të Shqipërisë.

“Pasi Shqipëria është pjesë e NATO-s, Kosova e gëzon plotësisht, qysh prej shkëputjes nga Serbia, mbrojtjen dhe kujdestarinë e kësaj Aleance. Në këtë kuptim Shqipëria e ezauron opsionin vetëm përmes këtij qëndrimi. Vetëm në rast të ndonjë implikimi apo shpërthimi disekuilibrues në nivel ndërkombëtar, mund te implikohet ushtarakisht Shqipëria. Kjo është e pamundur momentalisht dhe në përspektiven e afërt. Aksiomatik është fakti që Shqipëria ka detyrime të shumëfishta dhe legjitime për Kosovën dhe ndaj saj”.

Për zgjidhjen apo marrëveshjen përfundimtare Lepaja vlerëson se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim shumë të ngushtë me ShBA-në do të duhej të lirohet fillimisht nga pozicioni i saj ndërkombëtar i Rezolutës 1244 të OKB-së, sepse kjo do të e detyronte Serbinë që Kosovën ta largojë nga kushtetuta e saj dhe me këtë do të i hapte rrugë vetes për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm ndërkombëtarisht dhe, e gjithë kjo, do të prodhonte një proces afatgjatë, serioz dhe të garantuar të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me finalizimin e njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve.

Sipas Lepajës:

“Nëse Kosova nuk lirohet nga kjo rezolutë, Serbia gjithmonë do të thirret në të dhe do të mbrohet me faktin se sipas kësaj rezolute Serbia e ka territorin e vete me Kosovën në të por që për një periudhë në emër të paqes ka lejuar që territor i Kosovës të administrohet dhe kontrollohet nga bashkësia ndërkombëtare”.

Mirëpo arritja e zgjidhjes respektivisht marrëveshjes përfundimtare nuk duket të jetë aq e afërt në gjykimin e z. Çipa. Ai mendon se zgjidhja apo marrëveshje përfundimtare do të zgjasë “matanë vitit 2025, por besoj jo me tej se 2030”.

Çipa vijon argumentimin duke thënë se:

“Flas për një proces gjeopolitik të rajonit i cili do te shkëputet pakthyeshmërisht nga shekulli i fundit problematik i historisë se vet. Kjo shkëputje dhe ky ndryshim do te ndodhe sidomos ne marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Unë jam i bindur se procesi i reciprocitetit njohës mes Kosovës dhe Serbisë bashkëshoqërohet me procesin e pakthyeshëm te integrimit Shqipëri-Kosove. Nuk është fjala vetëm për simbolika, por për funksionalitete institucionale ne fushën e sigurisë, mbrojtjes, arsimit, shëndetësisë dhe sektorë te tjerë. Ristrukturimi brenda shqiptar është një projekt i penguar, por natyralist dhe shpirtërisht i mbajtur si projekt gjithëkombëtar. Tek ky mirëkuptim dhe pranim do te vijnë pakthyeshmërisht refuzuesit, penguesit dhe kundërshtaret- armiq te tij. Kjo është dekada vendimtare e këtij projekti, i cili nuk plotëson aspiratën shqiptare, por rikthen ekuilibrin e munguar dhe bashkëjetesën paqtuese mes tri kombeve historike ne rajon: shqiptar- serb- grek”.

Ritmi i takimeve Kosovë – Serbi, në kuadër të procesit të dialogut, ka rënë, që nga intensifikimi i fushatës zgjedhore në ShBA. Agjenda është ngadalësuar, po ashtu, edhe për shkak të ndikimit të pandemisë. Megjithatë, në distancë kanë vijuar debatet dhe replikat, veçmas rreth pikës së “Asociacionit të Komunave Serbe”. E pilogu, siç e shohin ekspertët e kësaj fushe, duket të jetë ende larg./Kosova.info/

Check Also

Ndërroi jetë nga Covid-19/ Mesazhet prekëse nga kolegët e Marko Bellos…

Janë trishtuar të gjithë këtë mëngjes nga humbja e beftë e ndarja para kohe nga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − 9 =