Home / Kryesore / Yjet e satirës buzëqeshin në heshtje…

Yjet e satirës buzëqeshin në heshtje…

Nga Vangjush SARO –
(“Ai kishte parë zogj e breshka, por elefantin jo.” Nga fabula “Kureshtari”/ Krillov)
Në qiellin heraherës grotesk të letrave – me të cilat merren tani i madh e i vogël, kush mundet – yjet e satirës shkëlqejnë dhe buzëqeshin (si gjithnjë) në heshtje. Nëse ka ndonjë apo disa kritere, matës të vlerës së një krijimi a vepre, them se janë pëlqimi i publikut dhe jetëgjatësia. Në të kundërt, për çfarë tjetër shkruhet? “A doni më për Belulin?” që është kompozuar mbi tregimin e Qamil Buxhelit, tashmë jo vetëm është ndjekur mijëra herë, do të vazhdojë të ndiqet, por është proverbializuar. Kjo do të thotë se ka hyrë në fjalorin e madh të kulturës dhe të jetës. Është shërbimi më i vyer që mund t’i bëhet një vendi, një populli. (Kujtoni sa shumë poezi, tregime, novela, romane, drama, kanë mbushur ditët dhe javët e kohës tjetër: me komisarë besnikë, por asfare artistikë, me pensionistë babaxhanë, me pleq që ‘i japin besën’ Partisë, me personazhe të dalluar në punë a në luftë. Shumë prej atyre krijimeve të pavlerta, të harruara, mund të jenë lëvduar nga mendimi letrar i kohës (“ballëmadh idiot”, thoshte Majakovski i pafat për ndonjë kritik aso); mund të kenë marrë edhe çmime, por gjithçka ka qenë e sipërfaqshme, e përkohshme, shumë shpejt është harruar, nuk lexohen a ndihen më, nuk janë…)
Në romanin “Kur qesh tërë qyteti”, Qamil Buxheli ndërtoi një “oaz” pa ideologji e mësime partie; ai përshkruan një shtëpi kulture tutje, me personazhe sa qesharakë (si Uçi, etj.), aq edhe të çlidhur me problemet dhe emergjencat e kohës. Romani vinte në lojë provincën. Realisht, një gjë e tillë ishte e gjithë Shqipëria. (Nuk më pëlqen që termi të shtrihet më këtej në kohë, pra sot, se po themi që kanë ndryshuar disa parametra.) Prandaj romani u ndalua shumë shpejt. E çuan “për karton”, siç kishin bërë më parë edhe me ndonjë dramë të tij. Ai shkroi pastaj një roman për një kohë tjetër (“Karriera e z. Maksut”) por që sërish aludonte qartazi për provincën…
Një tjetër vlerë e posaçme e Buxhelit, ishte trendi botues. Në revistën “Ylli”, ndër më të njohurat dhe më të dashurat në atë kohë – ku kam pasur nderin të botoj më se një herë, falë atij dhe poetit Shefki Karadaku – u publikua tregimi ‘Mysafirët’ i shkrimtarit tjetër satirist Tasim Aliaj. Është një krijim solid, në gjetje dhe në gjuhë. Protagonisti ka një shtëpi në plazh dhe atje, dikur, ditë pas dite, çatisin tërë fisi, aq sa ai nuk di më ku dhe si t’i akomodojë; vetë detyrohet të shkojë diku gjetkë… Çfarë tjetër mund ta “vizatonte” kaq bukur, me humor dhe ironi, me satirë e dhimbje, problematikën e strehimit dhe të (gjoja) turizmit të kohës!
Gjikë Kurtiqi, një tjetër emër i spikatur i Letrave Shqip, shkroi komedi (“Miq të paftuar”) skenar (Ëndërr për një karrike”) libra studimorë, sidomos për vendlindjen e tij. Por në mënyrë specifike, ai mori përpara, për ta ngritur edhe më lart, poezinë satirike dhe sidomos fabulën. (“Ëndrra e dhelprës”, “Korbi pallua”, “Guri që thyen çekanë”, “Hija e mëngjesit”, “Dhe gomari bëhet mbret”, “Gjashtëdhjetë fabula”, “Toka dhe reja”, “Lopa dhe pula”, “Hedhin valle minjtë”, “Dy pëllumba”). Fabula e Kurtiqit është një model i krijimit klasik, ku simbolet dhe alegoria përdoren me sens, gjuha është e pasur dhe e përshtashme për zhanrin, gjetjet janë të pakthyeshme dhe origjinale. Është, padyshim, një ikonë e satirës shqiptare.
Tregu, krahas mendimit letrar, gjithashtu vendos për jetëgjatësinë e një vepre. Siç u tha më lart, ka shumë aso që nuk iu deshën më kohës që erdhi. Për çudi, ndër ato krijime që mbijetuan, do të mbijetojnë, janë disa nga veprat e satiristëve, rrallëherë të vlerësuar nga estetët “seriozë” apo të shpërblyer nga Juritë dhe Kritika letrare; (pothuaj pendohem që i shkruaj me shkronjë të parë të madhe). “Karnavalet e Korçës”, Spiro Çomora/ “Kapedani”, Skënder Plasari, Fehmi Hoshafi, Muharem Fejzo/ “Zonja nga qyteti”, Ruzhdi Pulaha, Piro Milkani/ “Tela për violinë”, Pëllumb Kulla, Bujar Kapexhiu/ “Pallati 176”, Adelina Balashi/ “Shkëlqim i përkohshëm”, Albert Xholi, etj.
Shkrimtari amerikan Simeon Strunski thotë diku: “Statistikat janë zemra e demokracisë.” Kujtoni suksesin e “Pallati 176” dhe “A doni më për Belulin?”, hidhuni një sy statistikave dhe… flasim prapë.

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 2 =