Home / Kryesore / XHANFISE KEKO NË TELEVIZIONIN AMERIKAN

XHANFISE KEKO NË TELEVIZIONIN AMERIKAN

Nga Genc PERMETI-
Filmi “Tomka dhe shokët e tij”, sonte në ora 9:15 PM, do të shfaqet për teleshikuesin amerikan përmes kanalit televiziv TCM (Turner Classical Movies) i cili nga 1 shtatori 2020, ka nisur programin “Women make film”, dedikuar 100 regjisoreve gra më të shquara nga 44 vende në gjashtë kontinentet dhe që krijuan në një periudhë kohe prej 12 dekadash. Mes tyre dhe regjisorja e mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko.
Organizatorët e programit, në prezantimin që i bëjnë regjisores shqiptare permes spotit televiziv dhe faqes on line të TCM, theksojnë ndë të tjera se, “Xhanfise Keko është e vetmja regjisore grua në Shqipëri, e vetmja grua që realizoi filma me metrazh të gjatë në Shqipërinë komuniste dhe që ia dedikoi gjithë krijimtarinë shumë vjeçare fëmijëve. Ajo është një nga regjisorët më të njohur dhe më të vlerësuar në vendin e saj për zotërimin e një afrimi ndjesor dhe zërin origjinal e bashkëkohor.
Megjithatë, përkundër një karriere të suksesëshme, ajo ende nuk është aq e njohur jashtë vendit të saj. Një arsye, mendon kritiku i filmit Mark Cousins, është se, “Meqë ishte një grua që bënte filma për fëmijë, ajo nuk konsiderohej e rëndësishme”. Por siç theksoi Muzeu Austriak i Filmit në homazhin dedikuar
regjisores shqiptare në vitin 2019, “eksplorimi unik i Kekos në jetën e fëmijëve e ka vendosur regjisoren shqiptare në podin kryesor në kinemanë e pazbuluar të vendit të saj”. Xhanfise Keko, e cila studioi për montazhin e filmave dokumentarë në Moskë, thekson TCM, është një nga themeluesit e Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Për dy dekada ajo realizoi një numër filmash dokumentarë me tematikë të ndryshme deri sa ndaloi dhe u fokusua përfundimisht tek fëmijët për të cilët realizoi 11 filma artistikë, mes tyre, “Mimoza llastica” (1973), “Beni ecën vetë”(1975), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Kur xhirohej një film (1981), etj.
Vlen të theksohet gjithashtu se, prej disa kohësh studiuesit perendimorë po analizojnë dhe vlerësojnë punën e saj si në dokumentarët e Mark Cousins “Historia e fëmijëve në film” (2014) dhe “Gratë bëjnë film” (2017) ashtu dhe artikuj të ndryshëm, botuar në revista kinematografike të njohura ndërkomkbëtarisht. Shfaqja e filmit “Tomka dhe shokët e tij” sonte në kanalin televiziv amerikan TCM, dedikuar filmave më të mirë klasikë të krijuar deri në fillim vitet 80-të, e vë autoren e tij, regjisoren Xhanfise Keko, mes më të mirëve të historisë së kinemasë.
  
Marrë nga: Arberianews.net

Check Also

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë/ Kundër padisë së shefes së Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes ndaj gazetares Juli Ristani dhe dy mediave

Tiranë më 1 12.2020 Unioni i Gazetarëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim një proces të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + 10 =