Home / Bota / “Vrau” djalin e gjykatëses amerikane, gjendet i vdekur në rrethana misterioze

“Vrau” djalin e gjykatëses amerikane, gjendet i vdekur në rrethana misterioze

I dyshuari për sulmin me armë zjarri që la të vrarë djalin e një gjykatëseje federale dhe plagosi bashkëshortin e saj në Nju Xhërsi, u gjet i vdekur të hënën, siç duket nga një sulm vetëvrasës, njoftojnë media amerikane.

I dyshuari, një burrë i bardhë, ishte i përfshirë në një proces gjyqësor që kishte dalë para gjykatëses Esther Salas në 2015, njofton rrjeti ABC. Ai u gjet i vdekur në makinën e tij, në një zonë rreth dy orë në veri të qytetit të Nju Jorkut.

FBI-ja ishte përfshirë në kërkime për të dyshuarin për aktin e së dielës në banesën e gjykatëses në Nju Xhërsi, para se personi të largohej nga skena e ngjarjes, sipas zyrtarëve të gjyqësorit.

Gjykatësja Salas ishte në katin përdhes të banesës në atë moment dhe nuk u lëndua nga sulmi, sipas një zyrtari të gjyqësorit që foli në kushte anonimiteti për Associated Press.

Personi u shfaq i veshur si postier i pakove të dielën në banesën e gjykatëses Esther Salas në qytetin North Bransuik, tha Kryetarja e Gjykatës së Distriktit, Freda Wolfson për agjencinë e lajmeve Associated Press. Bashkëshorti i saj, avokati mbrojtës, Mark Anderl, mbeti i lënduar nga sulmi, tha zonja Wolfson.

Djali i çiftit, Daniel Anderl, ishte vrarë kur zbriti nga kati i sipërm për të ndihmuar të atin, i cili ishte qëlluar sapo kishte hapur derën, njofton media.

“Ai zbriti shkallët. Në vend që të ikte të fshihej, vrapoi për të ndihmuar të atin,” tha Marion Costanza, një mik i familjes që banon pranë tyre në Bransuik.

Motivi për vrasjen mbetet i paqartë. Gjykatësja Salas, e cila punon në Nuark, u emërua nga Presidenti Obama dhe emërimi i saj u konfirmua në 2011. Para punës si gjykatëse federale ajo ka punuar në Nju Xhërsi si ndihmës gjykatëse, ndërsa më parë ka qenë avokate mbrojtëse për shtatë vjet.

I pyetur nëse mendonte që incidenti kishte lidhje me punën e gjykatëses apo me klimën aktuale politike, Gjykatësja Wolfson tha se “për momentin nuk e dimë”.

Ndër çështjet që ka gjykuar Gjykatësja Salas, më të bujshmet kanë qenë gjykimi për mashtrim financiar kundër çiftit Teresa dhe Joe Giudice, të njohur nga një emision televiziv “reality show”, të cilët gjykatësja i dënoi me burgim për avazion fiskal dhe mashtrime të tjera.

Në 2017, ajo nuk lejoi prokurorët federalë të kërkonin dënimin me vdekje kundër një individi të akuzuar si kreu i një bande kriminale, të akuzuar për disa vrasje në Nuark, duke thënë se kapaciteti i kufizuar mendor e mbronte personin nga dënimi kapital. Më pas gjykatësja i dha 40 vjet burg personit.

Kohët e fundit, gjykatësja ka drejtuar seancat gjyqësore kundër Deutsche Bank, pas padisë së investitorëve, të cilët e kanë akuzuar këtë bankë për dokumentacion mashtrues për politikat kundër pastrimit të parave dhe për dështim në përgjegjësinë e saj për të kontrolluar për klientë “të rrezikshëm”, përfshirë Jeffrey Epstein, i shpallur fajtor për krime seksuale.

Senatori demokrat Bob Menendez, i cili e mbështeti emërimin e zonjës Salas si gjykatëse federale, tha në një deklaratë të dielën “Jam pranë familjes Salas me lutjet e mia dhe lutem që personat përgjegjës për këtë akt të shëmtuar të kapen pa vonesë e të sillen para drejtësisë”.

Në një deklaratë të shpërndarë me email, guvernatori demokrat i Nju Xhërsit, Phil Murphy e cilësoi incidentin “një akt të pamendueshëm” dhe shtoi se “kjo tragjedi është një tjetër shembull që na kujton se dhuna nga armët e zjarrit mbetet një krizë në vendin tonë dhe se ende nuk ka përfunduar puna për t’i bërë komunitetet tona më të sigurta”./VOA

Check Also

Meta: Planifikime të çmendura për kapje votash kanë nisur, përshkallëzimi i krizës politike bëhet edhe më kërcënues

Presidenti Ilir Meta ka ngritur në fokus shqetësimin në lidhje me situatën ekonomike në vend, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + 6 =