Home / Ekonomi / Viti 2021 më i keq se 2020, Ministria e Financave: Bizneset drejt rrënimit

Viti 2021 më i keq se 2020, Ministria e Financave: Bizneset drejt rrënimit

Viti 2021 po vijon në rënie për bizneset në vend. Humbjet gjatë 2020 për shkak të pandemisë ishin tepër të mëdha për të gjithë bizneset në çdo lloj sektori. Ndërmarrjet nuk mundën ta merrnin veten edhe pas heqjes së kufizimeve me ardhjen e sezonit të verës, sepse situata u komplikua sërish me rikthimin e masave kufizuese në tetor të 2020 dhe vijimin e tyre edhe për këtë vit. Në këto kushte bizneset nuk po japin asnjë shenjë rikuperimi, përkundrazi muaji shkurt, sikur edhe ai i janarit, i ka gjetur në tkurrje të të ardhurave.

Në raportin e publikuar së fundmi nga Ministria e Financave tregohet se, për shkurtin bizneset kanë dalë me 30% humbje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, theksohet se në ndërmarrjet fasone dhe industri të tjera përpunuese humbja regjistrohet më e madhe. “Viti 2021 është vazhdim i atij që lamë pas, sepse kufizimet anti-covid japin efekte. Dy muajt e parë kanë një ulje 30-40% në shitje, në raport me një vit më parë, kur ende nuk ishte virusi në vendin tonë.

Kjo ka ardhur për shkak se në këto biznese klientela ka ardhur në 50% ulje. Bizneset në vend vazhdojnë të punoj me staf të reduktuar, për pasojë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe ato personale janë reduktuar ndjeshëm brenda dy muajve, me 4.7% tkurrje”, thuhet në raport. Sakaq, gjendja e dobët e biznesit reflektohet nga rënie e ndjeshme e të ardhurave nga tatim-fitimi, i cili tregon performancën e dobët të bizneseve për të paguar taksat dhe buxheti i shtetit ka shfaqur mungesa në këto të ardhura. “Duke parë rezultatet buxhetore, shihet se performanca më negative është në të ardhurat e Tatimit mbi Fitimin të cilat shënuan rënie me 31 për qind në raport me një vit më parë. Të ardhurat nga ky tatim kanë pasqyruar dobësitë që biznesi ka kaluar vitin e kaluar ku për shkak të kufizimeve të karantinës së pranverës mbyllën aktivitetin ose punuan nën kapacitet. Kjo gjendje është reflektuar në fitime më të ulta dhe për rrjedhojë në më pak pagesa në buxhet”, thuhet në raport.

Konsumi në rënie

Tkurrja e të ardhurave tek bizneset vjen si pasojë e reduktimit të lartë të aktivitetit të tyre. Sipas raportit, gjatë dy muajve të parë ka pasur një rënie të ndjeshme të ardhurave nga TVSH, të cilat tregojnë se konsumi është dobësuar. Ministria e Financave tregon se për shkak të dobësimit të konsumit buxheti i shtetit ka humbur 42 milionë euro.

Një vlerë kjo shumë më e ulët krahasuar me shkurtin e vitit 2020, por edhe me planin e qeverisë. Sipas ministrisë, rënia e konsumit vjen për shkak se pasiguria që sjell pandemia bën që qytetarët të shpenzojnë vetëm për gjëra bazike. Kjo ka dobësuar së tepërmi bizneset që ofrojnë shërbim argëtimi dhe të tjera, që mund të kursehen. Konkretisht, në bizneset e të gjitha natyrave, pandemia ka ndikuar së pari me kufizimin e orareve, pasi normalisht në disa orë më pak klientët porosisin më pak.

Kjo ka sjellë qoftë më pak konsum ashtu edhe më pak produktivitet në punë. Prandaj, këto të dhëna flasin për një reduktim të konsumit dhe ulje të shitjeve, situatë e cila dëshmohet nga performanca e dobët e mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që në fakt është edhe shumë më i ulët se 2019. Gjithashtu, me performancë të dobët është edhe fondi i rindërtimit. Të dhënat e buxhetit dëshmojnë se në dy muajt janar dhe shkurt janë disbursuar 9 milionë dollarë nga 21 milionë të destinuara për t’u paguar në këtë periudhë nga buxheti.

Ndërsa, fondet e dhëna për vepra në infrastrukturë janë rritur me 90% krahasuar me 2020-n, por janë ulur shpenzimet për kompensimin e ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë. Gjithashtu rritja e borxhit publik ka ndikuar negativisht shpenzimet për interesa të cilat ishin 6.2 për qind më të larta se në janar 2020./Monitor

Check Also

Rritet numri i viktimave në Shqipëri, 91 pacientë rezultojnë pozitiv me Covid-19

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine − 1 =