Home / Sport / Vijojnë përplasjet mes Ibrës dhe Lukakut…

Vijojnë përplasjet mes Ibrës dhe Lukakut…

Zlatan Ibrahimoviç është një emër i fuqishëm në futbollin botëror dhe Milani falë karakteristikave të tij mban pozita pretendenteje në kampionatin italian dhe synon të rikthehet pas më shumë se një dekade tek titulli kampion në Serie A. Nga ana tjetër, ish-shoku i tij tek Mançester Junajtid, Romelu Lukaku, tashmë pjesë e Interit, është gjithashtu pikë referimi për zikaltrit, duke qenë lojtar me peshë në sukseset e skuadrës së Kontes gjatë këtij sezoni.

Por edhe pse kanë kaluar disa ditë nga përplasja midis dy futbollistëve, jehona e zënkës së tyre vazhdon dhe të dy lojtarët vijojnë të lëshojnë deklarata të forta, por në këtë luftë të fortë thumbimesh e batutash, janë përfshirë edhe zyrtarët e të dy klubeve, që janë pozicionuar në krah të lojtarëve të tyre, duke u dhënë atyre të drejtë sipas interesit të klubit.

Janë vetë mediat italiane që zbardhin detaje nga këto përplasje, gjë që tregon rivalitetin e fortë të të dy ekipeve në garën për titull, pasi diferenca e Milanit është e vogël dhe aspak përcaktuese në garën për trofeun. Sipas medieve sportive italiane, ka akuza dhe kundërakuza, goditje dhe thumbime.

Pas një jave “të nxehtë”, as vendimi me dorë të lehtë i Gjykatësit Sportiv nuk shërbeu për të shuar polemikat e përplasjes Lukaku-Ibrahimoviç. Asnjë nga dy “yjet” nuk u skualifikua për një kohë të gjatë, megjithatë derbi i Kupës së Italisë vijon të prodhojë polemika. Paolo Maldini, drejtori sportiv i “Djallit”, para sfidës me Bolonjën u shpreh: “Jemi gati të mbrojmë Ibrahimoviçin në çdo mënyrë të mundshme, nëse del çështja e racizmit.

Një temë që nuk ka asnjë lidhje me të. Zlatani mbrojti shokët e tij të skuadrës, të cilët u sulmuan nga Lukaku pa ndonjë arsye”. Përgjigja e Bepe Marotas erdhi disa minuta para ndeshjes kundër Beneventos në “San Siro”. “Nuk ishte një reklamë pozitive për botën e futbollit, por ne, drejtuesit duhet t’i edukojmë anëtarët tanë për të shmangur këtë sjellje. Duke njohur Lukakun, mund të them se ai nuk është agresiv.” “Big Rom” shënoi dy herë, ndërsa Ibra humbi një penallti në Bolonjë. Sulmuesi belg gjithsesi, nuk mund ta harrojë kollaj historinë e keqe të pesë ditëve më parë. Ndërkohë, të shtunën Interi ka mposhtur 4:0 Beneventon në xhiron e 20-të të Serisë A për të mbajtur nën presion liderin, Milan.

Skuadra e Antonio Kontes fitoi me dy gola të Romelu Lukakut, një të Lautaro Martinezit dhe një autogol të Improtas. Në tabelë, Interi është i dyti me 44 pikë, vetëm dy më pak se Milani që i prin ligës. Vetë Milani, fitoi të shtunën me Bolonjën me rezultatin 2:1 në xhiron e 20-të të Serisë A, për të ruajtur kështu kreun e tabelës. Ante Rebiç dhe Frank Kesie realizuan golat për liderin e kampionatit italian. Andrea Poli shënoi golin e vetëm për vendasit. Siç thamë, në tabelën e renditjes, Milani prin me 46 pikë të grumbulluara, vetëm 2 pikë më shumë se rivalët e qytetit, Interi.

Check Also

Barcelona e donte me çdo kusht, sulmuesi e ‘falenderon’ në mënyrë speciale

Gjigandët spanjollë donin sulmuesin argjentinas si zëvendësuesin e tyre për Luis Suarez, por ai është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 + 18 =