Home / Aktualitet / VIDEO-REPORTAZH NGA FIERI / I verbëri sfidon pandeminë, ngatërresa, vështirësi, entuziasëm me “pagat e luftës”

VIDEO-REPORTAZH NGA FIERI / I verbëri sfidon pandeminë, ngatërresa, vështirësi, entuziasëm me “pagat e luftës”

Një fizarmonikë që lëshon tinguj të ëmbël në këtë mbrëmje dimri, ta heq paksa mendjen nga stresi kovidian që ka pushtuar Fierin. Tingujt e dalë nga tastet e saj, që i luan një i verbër, duket sikur prishin paksa atë çoroditje që ka pësuar jeta e qytetarëve fierakë.

Virusi me emrin aspak melodioz “COVID – 19”, ia arriti ta ndryshonte  jetën shoqërore dhe ekonomike. Data 8 mars e vitit 2020 ishte dita e shpalljes së gjendjes së Emergjencës Civile dhe ndalimit të jetës për nëntëdhjetë ditë, që e konvertuan “kryeqytetin” e Myzeqesë në një ngrehinë të shkretuar.

Gjithçka u paralizua. Jeta, lëvizjet dhe zhvillimi ekonomik. Në zbatim të vendimit të qeverisë me nr. 254, dt. 27 mars 2020, dhe nr. 305, dt. 16 prill 2020, bizneset e mbyllën aktivitetin dhe për të kompensuar humbjen financiare të shkaktuar nga masa drastike e kyçjes së jetës aktive, qeveria miratoi dhënien e dy paketave të ndihmës financiare, përkatësisht 26 mijë lekë dhe 40 mijë lekë.

Ndihma e qeverisë,  në shumicë, përfshinte biznesin e vogël familjar, me synimin për të qenë “serum” shprese për mbijetesë dhe frymëmarrje ekonomike për vetë këtë biznes dhe të punësuarit në të.

Paketa e parë e ndihmës kishte jetëgjatësi tre mujore, kurse 40 mijë lekët i përfitonin të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, të mbyllura sipas urdhërit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhërit/ urdhrave.

Por si ishte ecuria e menaxhimit të kësaj ndihme në Fier? Sa ia arritën t’ia lehtësonin barrën e krizës së shkaktuar nga pandemia këto dy paketa të dhëna nga qeveria, buxheti i të cilës gjendej në vështirësi për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet që tronditën vendin tre muaj para pandemisë?

MENAXHIMI

Paketat e emërtuara nga Kryeministri si “paga e luftës”, sollën vështirësi menaxhimi në nisje për shkak se, sikurse na thonë në zyrën përgjegjëse të Bashkisë së Fierit, dolën probleme shumë të panjohura. Bizneseve iu desh që të njiheshin me aktet ligjore e nënligjore, me rregullat  dhe  dokumentacionin  që  duhej të  plotësonin për të qenë në listën e përfituesve.

Nga ana tjetër edhe administrata zyrtare do të ndeshte vështirësi për shkak të mungesës së eksperiencës për të tilla situata të jashtëzakonshme.

Besmir Avdiaj, përfaqësues i Drejtorisë së Taksave  dhe Tarifave në Bashkinë Fier, tregon se gjatë asaj periudhe është  asistuar një numër shumë i madh biznesesh për mënyrën e plotësimit të dokumenteve, kryesisht të biznesit të vogël.

”Ka qenë një punë vërtet e lodhshme për të dyja palët. Në kushtet e pandemisë, me specialistët tanë, kemi kontaktuar qindra biznese duke u treguar rrugën ligjore të plotësimit të dokumenteve për të përfituar “pagën e luftës”. Shumë biznese ishin skeptike dhe nuk kishin besim në marrjen e ndihmës financiare. Kjo dhe për shkak të vonesave të fillimit, të shkaktuara nga parregullsitë e tyre në plotësimin e dokumentacionit të duhur. Për ta kapërcyer këtë, ne angazhuam specialistë të fushës për t’i ndihmuar bizneset në plotësimin e dokumenteve e shkresave që shumë herë atyre u dukeshin burokraci e panevojshme…”, tregon z. Avdiaj.

Në vijim ai shton se falë këtij bashkëpunimi dhe punës së specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier, u arrit ta përfitonin ndihmën financiare  rreth 16 031 punonjës.

Të dhënat e Drejtorisë  Rajonale të Tatim Taksave, Fier tregojnë se në aplikimet për pagën tre mujore të “luftës” , me vlerë prej 26 mijë lekë, numërohen si përfitues të shumës prej 385,320,000 lekë 4940 aplikues.

Nga paketa e dytë e ndihmës, e njohur si paketa 40 mijë lekëshe, e dhënë në një muaj, kanë përfituar 11091 aplikues. Shuma e dhenë kap shifrën 443,640,000 lekë.

Në total kanë përfituar 16 031 persona, me një vlerë 828,960,000 lekë.

“Ata që janë skualifikuar nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara, ose kanë patur mangësi në dokumentacion…”, pohojnë nga zyra rajonale e Tatim Taksave lokale.

Lidhur me vijimësinë e shifrave të përfituesve në Bashkinë Fier thonë se numërohen 673 familje përfituese të ndihmës ekonomike, sipas pikëzimit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale.

Kësaj liste i janë shtuar edhe 54 familje që përfituan nga fondi 6%, i miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak. Këto familje rezultojnë përfituese të skemës së mbështetjes financiare të qeverisë.

Edhe trajtimi i këtyre të fundit ishte pjesë e Vendimit të Këshillit të Ministrave, që detyronte dhënien e ndihmës financiare për të gjitha familjet të cilat trajtoheshin me ndihmë ekonomike. Përfitimi  i dyfishimit të vlerës financiare që ata merrnin në situatë normale zgjati 3 muaj.

Zyrtarisht, familjet që e përfituan këtë lloj “page lufte” numërohen 589, në muajin maj 510 dhe në muajin qershor 631. Gjithsej përfituese del të jenë 1720 familje, ndërkohë që 158 familje nuk arritën të merrnin  këtë shumë për shkak të procedurave të parregullta me dokumentacionin. Por edhe këta nuk mbetën pa gjë pasi përfituan nga fondi 6% i dhënë pas Vendimit të Këshillit bashkiak. Sipas të dhënave të afruara nga ky i fundit, me të tillë ndihme u trajtuan gjatë muajit prill 55 familje, në maj 49 familje dhe në qershor 54 familje.

Përfitues dhe jo  përfitues:

Eriselda Nexhipi ka më shumë se 10 vite që drejton biznesin e vogël të tregtimit të parfumeve. Biznesin e ka familjar dhe punon së bashku me bashkëshortin.  Gjatë muajve të pandemisë, në mbështetje të vendimeve të qeverisë, Eriselda u detyrua, si gjithë  subjektet e tjera, ta kyçte derën e njësisë, “objekt i marrë me qira”.

“Unë jam një prej përfitueseve të “pagës së luftës” në vlerën 400 mijë lekë. Në fillim ka qenë një ngatërresë, lidhur me regjistrimin e biznesit tim në degën e Tatimeve.  E korrigjuam këtë gabim, duke plotësuar formularin përkatës të ankesës. Ngatërresa ishte tek pjesa e regjistrimit të biznesit… Bëmë ankesën kur doli formulari i parë, dhe na erdhi përgjigja që e përfituam. Si unë dhe bashkëshorti morëm nga 40 mijë lekë të reja secili.”

Por a rezultoi efikase kjo pagë lufte? Eriselda shprehet se kjo pagesë i ndihmoi mjaft.

“Me atë pagë ne paguam taksat dhe  sigurimet shoqërore për aq kohë sa ishim të mbyllur”, pohon ajo.

Video Player

00:00
01:17

 Të njëjtin pohim bën edhe Aleks Tafa, i cili drejton një biznes familjar “Bar-Restorant”.

“Gjatë periudhës së koronës kemi qënë të bllokuar si biznes. Me lajmërimin e qeverisë kemi plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, dhe kemi përfituar të tre pagat e luftës. Së bashku me mua këto paga, prej 26 mijë lekë në muaj, i kanë përfituar edhe gjithë punonjësit, duke ndjekur gjithë procedurat e duhura. Kryem aplikimin në bankat e nivelit të dytë, hapëm llogaritë e punonjsve, pavarësisht se ato ishin të hapura, dhe lekët na u derdhen në bankë. Me plotësimin e dokumentave të nevojëshme u morr financierja që ndjek aktivitetin tonë”, tregon Aleksi Tafa.

Por si ka ecur ky biznes dhe cilat janë vështirësitë e tij gjatë kësaj periudhe kur pandemia ende vazhdon?

Tafa përgjigjet:

“Me vështirësi po ja dalim. Dolëm jo mirë nga mbyllja e aktivitetit. Pas datës 18 maj kemi patur ulje të madhe të xhiros ditore, nga kufizimi i aktivitetit normal. Kemi reduktim orari, nuk kemi bërë gëzime familjare në lokalin tonë. Kemi patur dhe vazhdojmë të kemi ulje të numrit të klientëve nga tavolinat e reduktuara për shkak të distancimit. Por, pavarësisht kësaj  “pagat e luftës” qenë ndihmë për ne nga qeveria. Shpresojmë që viti 2021 të jetë një vit më i mirë për të gjithë“.

Video Player

00:00
01:50

Sefedin Tata është me profesion kuzhinier. Ai ka jetuar për shumë kohë në Greqi.

Në lidhje me trajtimin me ndihmë financiare “lufte” gjatë periudhës së valës së parë pandemike dhe mbylljes së aktiviteteve Tata thotë:

 “ Po e kam marrë “pagën e luftës”. Pasi kreva gjithë procedurat që duheshin, i mora të tre pagat, nga 26 mijë lekë çdo muaj. Nuk ishte ndonjë pagë që të na nxirrte nga balta, por me atë përballuam disa gjëra të nevojshme”.

Video Player

00:00
00:58

Kudret T.  punon si shitës  në një mini market që tregton fruta-perime dhe artikuj të tjerë, në lagjen “Konferenca e Pezës”.  Ndryshe nga  Aleksi dhe Sefedini, ai nuk e ka përfituar “pagën e luftës”.  Kjo jo për shkak të mungesës së NIPT-it, pra mosregjistrimit në Tatime, por për shkak se futej në njësitë të cilat me Vendim të Këshillit të Ministrave qëndruan të hapura në shërbim të qytetarëve.

Foto ilustruese: Minimarket fruta perime.

“Jo nuk kam përfituar asnjë “pagë lufte”. Ne e kërkuam por nuk na u dha. “Nuk jeni përfitues nga që, gjatë muajve të pandemisë, e kemi patur të hapur njësinë, gjë që ju klasifikon jo përfitues”. Kështu na përgjigjet Kudret T., ndërsa këmbëngul të mos identifikohet.

Sipas ekspertëve vendore të Shëndetit Publik, efekti i pandemisë  ndihet ende. Deri në datën 20 janar në Bashkinë Fier janë  zyrtarisht 127 persona të infektuar me virusin tmerronjës “COVID-19”. Në rang qarku janë 567 persona, nga të cilët 43 janë me regjim spitalor.

Megjithëse shifrat janë shumë herë më të larta se në valën e parë pandemike, situata në Fier nuk del të jetë “emergjencë civile”, ndaj dhe aktivitetet vijojnë punën normalisht me shpresën për ta lenë pas humbjen nga kriza pandemike, që ka çekuilibruar jetën e mbarë globit../ Arben VELO , Xhovan SHYTI – Redaktor:  Manjola LUMANI

/Marr nga ArberiaNews

Check Also

Koronavirusi/ Pandemia bëhet shqetësuese për Italinë, zgjaten masat kufizuese

Kryeministri Mario Draghi nënshkroi sot dekretin e ri të Presidentit të Këshillit të Ministrave (DPCM) …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × two =