Home / Kulture / Vepra dhe jeta e Musine Kokalarit, në “Muajin e kujtesës”

Vepra dhe jeta e Musine Kokalarit, në “Muajin e kujtesës”

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të “Muajit të kujtesës” organizoi një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së Musine Kokalarit, me rastin e 104-vjetorit të lindjes së saj. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se për vitin e katërt rresht në këtë institucion organizon aktivitet kushtuar figurës së Musine Kokalarit kësaj “Muze” (pseudonimi i saj letrar) të rezistencës antikomuniste, por mbi të gjitha të qëndresës dhe forcës morale të intelektualëve shqiptarë në një periudhë të vështirë sikurse ishte instalimi i diktaturës komuniste në Shqipëri. “Ajo është një ndër personalitetet e rralla, tek e cila shikohet një përshtatje midis kujtimeve që ka lënë dhe asaj që gjendet për të në dosjet e komunizmit. Data 10 shkurt, është kthyer prej kohësh në ndërgjegjen e njerëzve të cilët përkujtojnë figura të shquara intelektuale, si data e cila na mbledh të gjithëve bashkë. Kjo datë, është dita e lindjes së Musine Kokalarit në vitin 1917 në Turqi, atje ku ndodheshin prindërit dhe të parët e saj, për të ardhur më pas e për t′u rritur në humusin kulturor të Gjirokastrës, një qytet kaq i rëndësishëm kulturor në arealin tone të jugut”, tha dr. Koçi. E ftuar në aktivitetin përkujtimor ishte dhe një nga familjaret e Musine Kokalarit, stërmbesa e saj znj. Linda Kokalari. Ajo u shpreh se do ti pëlqente, që këtë përvjetor të Musine Kokalarit, ta konsideronim mbi të gjitha si një festim të ditëlindjes së saj. Linda Kokalari solli në vëmendje detaje të gjetura në dosjen e Musine Kokalarit, ku tregohet forca e saj e jashtëzakonshme në vendimet që merrte gjatë kohës që po organizohej opozita shqiptare dhe zgjedhjet e pasluftës, duke sjellë si shembull këmbënguljen e Musine Kokalarit që në programin politik të kohës të përfshihej edhe Kosova. Ajo solli në vëmendje edhe momentet e Musinesë gjatë kohës që dergjej e sëmurë në spital, fakt ky që nuk e pengonte që sytë e saj të rrezatonin mirësi, duke mos e mbytur dot e keqja që e pati rrethuar Shqipërinë për 40 vite. Ajo shprehu dëshirën e saj që Musine Kokalari të futet në programet shkollore, të njihet nga nxënësit personaliteti i saj sepse të gjithë mund të përfitojnë diçka. Në aktivitet u paraqitën gjithashtu edhe një serë poezish të Musine Kokalarit, të recituara nga nxënësit e gjimnazit ″Sami Frashëri″ në Tiranë.

Check Also

Një leksion mbi lirinë nga Hafiz Ali Kraja (1903-1973)

Nga Dr. Hasan BELLO – Nje nga intelektualet dhe patriotet e klerit mysliman shqiptar ne …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 − fourteen =