Home / Editorial / VALA E DYTË E “STUHISË” PANDEMIKE NXJERR NË BREG “LESHTERIKËT” E VALËS SË PARË

VALA E DYTË E “STUHISË” PANDEMIKE NXJERR NË BREG “LESHTERIKËT” E VALËS SË PARË

Nga Xhovan SHYTI –

Ashtu siç ishte paralajmëruar, trokitja e vjeshtës riktheu në rend të ditës valën e dytë të pandemisë “Covid-19”, me të gjithë parametrat që deri atëherë kishin qarkulluar në trajtën e deklarimeve hamendësuese.

Dhjetëfishim i numrit të të prekurve nga virusi, shtim drastik i viktimave dhe thellim i mëtejshëm i krizës ekonomiko-financiare, sakaq të ardhur jo nga mbyllja e aktiviteteve dhe ndalimi i jetës, por nga pasojat  e goditjes së valës së parë.

Sipas të dhenave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (17 gusht 2020), gjatë pesë muajve të valës së parë pandemike, mars – shtator 2020, rezultojnë si të infektuar nga virusi “Covid-19” rreth 7,400 persona prej të cilave rreth 3,800 arritën të shërohen, ndërsa  230 ndëruan jetë.

Periudha kohore 13 korrik-13 gusht që është dhe e fundit e pesëmujorit, del të ketë shifrat më të larta të të infektuarve dhe të vdekurve, se katër muajt e parë të pandemisë të mbledhur bashkë.

Me 409 persona të prekur, 22 prej të cilëve ndërruan jetë, 165 të shëruarit dhe 222 persona mbartës të virusit, të raportuar nga burimet e mësipërme zyrtare, muaji i parë i pandemisë, 10 mars-10 prill do të numëronte mesatarisht  çdo ditë më pak se 1 vdekje (0.7), 5 të shëruar dhe 7 raste të reja pacientë të prekur nga “Covid-19”.

Rekordi i rasteve ditore të këtij muaji ishte 29 dhe u shënua më datën 4 prill. Numri më i lartë i vdekjeve ditore ishte 2 persona të raportuar në datat: 27, 31 mars dhe 1, 5 prill 2020.

Trendi vijoi të jetë pak a shumë në të tilla nivele, me tendencë rritjeje, gjatë muajve në vijim.

Në muajin e dytë, 10 prill-10 maj 2020, autoritetet dyfishuan testet duke kryer mesatarisht 241 (240.5) teste në ditë për një total prej 7,215 testesh, nga ku u diagnostikuan 459 persona  të rinj me “Covid-19”, 50 raste më shumë se muaji paraardhës.

Gjatë muajit të tretë, 11 maj-11 qershor 2020, u vazhdua prirja në ulje e vdekjeve nga “Covid-19” duke regjistruar rekordin e vetëm 4 viktimave në 31 ditë. Autoritetet raportuan se kryen mesatarisht 294 teste (294.3) çdo ditë për një total prej 9,124 teste, nga ku u diagnostikuan 517 (+58) persona të tjerë të infektuar .

Muaji i katërt, 12 qershor-12 korrik, shënoi një bilanc më të rënduar: 2,069 të prekur dhe 58 viktima, aq sa tre muajt e parë të pandemisë të mbledhur së bashku. Përballë prirjes në rritje të rasteve të reja autoritetet rritën ndjeshëm edhe testet duke kryer këtë periudhë mesatarisht 426 teste në ditë, për një total prej 12,791 testesh.

Muaji i pestë pandemik e nxiti më tej transmetimin e infeksionit, ndërsa prirja në rritje nuk u ndal. I stimuluar dhe nga sezoni turistik dhe flukset e lëvizjeve në zonat bregdetare periudha 13 korrik-13 gusht 2020 rezultoi me më shumë raste (3,517) dhe vdekje (120), se katër muajt e parë të mbledhur bashkë duke e bërë të pakonsiderueshëm faktin se gjatë këtij muaji u raportua rekordi prej 1,670 persona të shëruar. Gjatë këtij muaji autoritetet shëndetësore raportuan se kryen nga 515 teste ditore dhe zbulimin e të paktën 113 rasteve me infeksion, ndërkohë që çdo ditë pati mesatarisht 4 viktima (3.9).

Në analizë të kësaj periudhe  specialistët e shëndetit publik vlerësojnë se shtimi i numrit të testimeve ka qenë arsye e rritjes së numrit të të prekurve.

“Nëse gjatë valës së parë të pandemisë do ta konsideronim epideminë e njëtrajtshme, atëherë do të mund të thoshim se pesëfishimi i testeve të “Covid-19” në muajin e pestë, krahasuar me muajin e parë, ka sjellë 8.5 herë më shumë të diagnostikuar”, është shprehur eksperti G.B., që për hatër të pozicionit zyrtar në strukturat zyrtare të shëndetit publik, nuk preferoi të identifikohet. Një pozicion ky i manifestuar edhe nga disa kolegë të tjerë të tij, që pranojnë të shpjegojnë e analizojnë por jo të identifikohen.

Por le të kthehemi tek të dhenat vijuese. Po sipas specialistëve, shtimi i numrit të testimeve gjatë muajve të valës së dytë pandemike, që nisi në shtator dhe vijon ende, është edhe një arsye e rendësishme që po zbulon numër shumë herë më të lartë personash të prekur nga virusi. Ndodhi kjo edhe pse liberalizimi i jetës u kufizua nga ora policore, kurse urdhëri i mbajtjes së maskave ka njohur masivizim zbatimi.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISHP-së, dita e parë e muajit shtator rezultoi  me 812 testime nga të cilët u konfirmuan 93 persona  pozitivë. Nga 856 testimet e kryera një ditë më vonë  u identifikuar 122 raste të reja, rritje progresive kjo që do të ruhej edhe gjatë javëve të ardhëshme.

Shtatori e mbylli inventarin e virusit “Covid-19” me total testimesh 88040, nga të cilat dolën pozitive 13649 persona dhe raste aktive 5415. Ndërkohë dita e fundit e muajit tetor shënoi 125,220 testime totale, prej të cilëve u evidentuar gjithsej 20,875 raste pozitive, 509 të vdekur dhe 9.177 raste aktive.

Për javët e muajit nëntor ndjekja e përhapjes së virusit rezultoi me 2560 testime (423 prej të cilave të kryer për arsye depistimi), nga ku u zbuluan 694 raste pozitivë dhe 7 humbje jete  24 orët e datës 17 nëntor.

Nga 2.253 testimet e bëra në 24 orët e datës 29 nëntor u konfirmuan pozitiv 835 raste të reja,11 persona humbën jetën, ndërkohë që 2176 testimet e kryera në 24 orët e datën 01 dhjetor 2020 zbuluan 832 raste të reja, 12 humbje jete etj…

Në këtë datë hyri në fuqi urdhëri i qeverisë për mbajtjern e maskave edhe në ambjente të hapura si dhe rikthimin e  orës policore, nga ora 22.00-06.00 të mëngjesit. Të goditurit financiarisht, nga kjo masë ishin kryesisht lokalet e natës, por edhe disa prej bar-restoranteve që shërbenin gjatë kësaj fashe. e ndaluar ishte dhe mbajtja e tubimeve të çdo lloji…

Mirëpo a sollën këto masa të shtuara ristazi ulje të agresivitetit të virusit, krahasuar me valën e parë?  Shifrat vijuese të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk e mbështesin këtë.

Për ecurinë e 24 orëve të fundit të dt. 03 dhjetor 2020, nëpërmjet zv.ministres Mira Rakacolli, dikasteri i shëndetësisë raportoi 782 raste të reja, 13 të vdekur. Numri i testimeve 2256 (131 prej të cilave të kryera për arsye depistimi).

Në lexim të komunikatës zyrtare znj. Rakacolli përcolli apelin drejtuar qytetarëve, që niste me thirrjen për të shmangur çdo lloj grumbullimi, kufizim të kontakteve dhe lëvizjeve të panevojshme.

Apel ky që, ashtu sikurse ora policore e ndalimit të lëvizjes dhe aktiviteteve të natës, nga ora 22.00-06.00, nuk solli ndonjë ndryshim në ditët vijuese. Gjë që e konfirmonin rezultatet e testimeve që sa më shumë rriteshin numerikisht aq më shumë të prekur nga virusi nxirrnin.

2711 testimet e bëra gjatë 24 orëve të dt. 10 dhjetor 2020, nxorrën 809 raste të reja personash të prekur dhe 12 të vdekur. Numri më i ulët i testimeve të kryera gjatë 24 orëve të dt. 20 dhjetor (1927, gjithsej), nxorri 461 raste të reja  dhe 14 jetëhumbur… Një trend ky që vijoi të jetë në ngjitje sa herë shtohej numri i testimeve.

Ndërsa muaji janar u mbyll me një mesatare të prekurish ditor nga 600 në 900 persona dhe rreth dy mijë testime , në 01 shkurt 2021 u raportuan 2960 testime, 865 raste të reja dhe 13 humbje jete në 24 orët e fundit.

Në dt. 03 shkurt 2021 komunikata zyrtare e Ministria së Shëndetësisë njoftoi  3849 testime, 1007 raste të reja dhe në 24 orët e fundit të dt. 04 shkurt: 3974 testime, 1052 raste të reja të virusuarish.  Në 06, 07,08, 09 shkurt 2021 përkatësisht nga 4539, 4254, 3485 dhe 4562 testime të bëra u zbuluan 1130 e 1124, 953 dhe 1239  të prekur të rinj.

Ndërkohë i prononcuar mediatikisht drejtori i Urgjencës në  spitalin “Shefqet Ndroqi”, Skënder Brataj, paralajmëroi rritje të tjera edhe për muajt vijues.

Në shpjegim të situatës ekspertët e shëndetit publik thanë se përveç disa faktorëve të tjerë sekondar,  krahas të infektuarve rishtarë, vala e dytë nxorri në “bregdetin pandemik” dhe “leshterikët” e fshehur gjatë “stuhisë” së valës së parë. Metaforë kjo e mbështetur nga të dhenat konfirmuese shumëshifrore të virusmbartësve, por edhe të daljes në breg të pasojave në ekonomi e financa, që kriza e valës së parë, i’a mbarti valës së dytë.

Pasi të prekurit dhe viktimat e virusit nuk janë të vetmet “leshterikë” të dalë në “bregdetin pandemik” të valës së dytë. Ekonomia e financat janë gjithashtu të tillë.

Ndërkohë që ndihma financiare e qeverisë 26 mijë lekë për tre muaj dhe 40 mijë lekë në një muaj, e përmbledhur në termin “paga e luftës” shërbeu si një lloj oksigjeni për shtresat në nevojë dhe bizneset, ajo i mbajti gjallë mushkëritë e këtyre të fundit për aq sa përcaktonin dy VKM-të e qeverisë, përkatësisht  ai me nr. 254, dt.27 mars 2020  dhe nr. 305 dt. 16 prill 2020.

Pasi në muajt vijues, pas valës së parë, kusuret ekonomiko-financiare të krizës dolën në breg si leshterikët që nxjerr detit pas stuhisë, duke testuar strategjisa e qeverisë me ndihmë financiare” lufte” për të prekurit nga kriza e “kyçjes”.

Ndihma e qeverisë shqiptare për situatën e krizë së shkaktuar nga pandemia ishte nga më të ultat ndër vëndet e rajonit të ballkanit, thekson raportit më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (30 janar 2021)që zbulon se kjo ndihmë “lufte” ishte 4.5 herë më pak se mesatarja e këtyre vëndeve  fqinje ballkanike

“Nga vendet e rajonit Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të prodhimit të brendshëm bruto për sa i përket ndihmës për situatën e shkaktuar nga pandemia”, lexohet në raportin e FMN, ndërkohë që referuar të dhenave të raportit të Bankës Botërore (BB): “Perspektiva ekonomike globale – janar 2021” (11 janar 2021), rezulton se si pasojë e krizës pandemike ekonomia e shqipërisë u tkurr me “6,7 %  në vitin 2020.

Sipas shifrave të ofruara nga INSTAT, ( dt. 10/09/2020),  dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ( 09 dhjetor 2020 ), papunësia, u rrit me rreth 50 mijë persona, nga humbja e vëndeve të punës . e barazavlefshme kjo me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6% dhe rritje të normës së papunësisë në 11.9%.

Humbjen me rreth 1-1,2 miliardë euro në PBB e përforcojnë të dhënat zyrtare të ofruara nga Drejtoria e Tatimeve (faqa zyrtare), që tregojnë se nga 01 maji 2020, kur filloi heqja graduale e kufizimeve, deri në 31 dhjetor 2020, numri i subjektet që kanë kaluar në status pasiv, pra kanë ndërprerë aktivitetin, është rritur me 38%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë…

“Kemi kërkuar dhe vijojmë t’i kërkojmë qeverisë lehtësira, por deri më tani nuk kemi parë një paketë të ringjalljes së sipërmarrjes private nga vala e parë. Bizneset janë ende të traumatizuar dhe të pambështetur, as atëherë e as tani”, ripërsërit kryesuesi  i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.

Me të bashkojnë zërin dhe drejtues të shoqatës Aleanca e Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar, që grupon bizneset dhe Unionin e dhomave të Tregtisë. Të cilët ritheksojnë që, më shumë se një here, i kanë kërkuar qeverisë një paketë të ringjalljes së sipërmarrjes private, nga “stuhia”  e krizës së valës së parë pandemike, që me nxjerrjen në breg të “leshterikëve” në këtë valë të dytë, po i jep goditjen fatale bizneseve, sipërmarrjeve private dhe gjithë ekonomisë së vendit, sakaq të traumatizuar nga pambështetja për humbjet drastike që ende vijojnë./ Arberianews.net – Redaktoi Manjola LUMANI/

THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbërianews.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Check Also

Shënohet numri më i lartë i viktimave nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, qindra raste të reja

Shqipëria ka regjistruar sot një prej ditëve më të zeza që nga fillimi i pandemisë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × five =