Home / Editorial / VAKSINAT ELEKTORALE, KATASTROFË NJERËZORE

VAKSINAT ELEKTORALE, KATASTROFË NJERËZORE

Nga Erion DASHO * –

Deri tani në Shqipëri kanë ardhur 32,565 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe 38,400 doza të vaksinës së Oxford/Astra Zeneca për një total prej 70,965 vaksina.

Nga vaksinat e Pfizer, 7,020 arritën në datën 15 shkurt dhe 8,190 në datën 22 shkurt. Sasia e fundit që ka arritur është ajo e Astra Zeneca-s, në datën 12 mars.

Ndërkohë, deri sot janë administruar vetëm 44,830 vaksina ose 63% e dozave.

Tendenca gjatë gjithë kohës ka qenë administrimi “me pikatore” për të dhënë përshtypjen se fushata e vaksinimit vazhdon çdo ditë pa ndërprerje.

Ndërkohë situata e lidhur me epideminë vazhdon të jetë në përmasat e një katastrofe njerëzore.

Vetëm gjatë muajit mars ndëruan jetë katër mjekë e katër infermierë, për të mos përmendur qindra që vdekurit e deklaruar dhe qindra të tjerë të padeklaruar midis qytetarëve.

Çfarë na thonë këto shifra?

Së pari, ato flasin për një dështim të programit të vaksinimit. Jo vetëm që sasitë e siguruara deri tani janë qesharake, por edhe këto pak mijëra doza të siguruara janë përdorur vetëm për qëllime propagandistike dhe aspak sipas kritereve të qarta shkencore.

Me dozat e siguruara në janar dhe fillimin e shkurtit duhej të ishin vaksinuar mjekët dhe infermierët në zonat me risk të lartë të cilët ende nuk e kishin kaluar COVID-in. Vaksinimi i tyre me një dozë duhej të kishte përfunduar që në javën e tretë të shkurtit duke bërë që praktikisht në mars të mos kishim më raste të komplikuara dhe as vdekje nga COVID midis bluzave të bardha.

Kjo nuk u bë dhe, siç e përmenda, vetëm në mars kemi katër humbje jete midis mjekëve dhe po kaq midis infermierëve!

Më pas duhet të kishte përfunduar vaksinimi i të gjithë personelit mjeksor, si dhe atij që shëben në sektorët stomatologjik dhe farmaceutik (personat që e kishin kaluar COVID-in të vaksinoheshin me një dozë dhe të tjerët me dy doza).

Nga dozat e mbetura duhej të kishte vazhduar vaksinimi i pedagogëve dhe arsimtarëve sipas të njëjtës logjikë – ata që nuk kishin kaluar sëmundjen në zonat me risk të lartë për të vazhduar me të tjerët, dhe personave që kishin kaluar COVID-in vetëm me një dozë.

Personeli që shërben në qendrat e kujdesit për të moshuar (disa dhjetëra në gjithë vendin) mund të ishte vaksinuar që në fillim, por numri i tyre është aq i vogël sa nuk luan asnjë rol domethënës.

Nëse do të ishte ndjekur ky përafrim i bazuar mbi evidenca, sot do të kishim të gjithë personelin mjeksor plotësisht të mbrojtur dhe gjithë arsimtarët të vaksinuar me dozën e parë.

Praktikisht nga fillimi i marsit do të shmangeshin vdekjet midis bluzave të bardha dhe nga prilli midis arsimtarëve. Faktikisht, ajo që po ndodh sot është një rrëmujë totale dhe demagogji e pastër.

Përfshirja e stadiumeve dhe palestrave në vaksinim është një palaçollëk propagandistik. Sistemi shëndetësor shqiptar ka një kapacitet vaksinimi prej 20 deri 40 mijë doza në ditë. 70 mijë dozat e ardhura deri tani mund të administrohen brenda 1 jave pa tam-tame dhe fanfara!

Pretendimi se po vaksinohen 80 apo 70 vjeçarët është po ashtu propagandë e pastër dhe mashtrim! Për të vaksinuar 80 vjeçarët duhen 170 mijë doza, kurse për 70 vjeçarët 560 mijë doza! Ku janë këto vaksina??!!

Kuptohet se me dozat e disponueshme deri tani do të vaksinohen vetëm ca të moshuar të përzgjedhur (kush e di se mbi cilat kritetere), nën sytë “bamirës” të “Boratit” Kryeministër dhe “boratëve” ushtarë të tij, të cilët do të marrin uratat dhe, pas ca javësh, edhe votat e të vaksinuarve dhe familjarëve të tyre.

*  * *

Vdekjet në mjekë gjatë marsit janë dështimi i radhës së administratës së “Boratit” dhe “boratëve”. Madje më tepër se kaq!

Duke i patur në frigorifer vaksinat jetëshpëtuese, por duke mos i administruar ato në kohë dhe sipas prioriteteve të qarta shkencore, “borate” kanë konsumuar një krim të tmerrshëm!

Jetët e mjekëve dhe infermierëve të humbura gjatë marsit kërkojnë hetim serioz nga një grup i përbashkët midis ekspertëve mjeko-ligjorë dhe organeve ligjzbatuese.

Është koha për të dhënë llogari!

*  Autori është mjek ekspert në shëndetin public, aktualisht shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

/Arberianews.net

Check Also

Lajm i mirë/ Ky shtet i dhuron Shqipërisë 10 mijë doza vaksine anti-Covid

Në seancën parlamentare të Qeverisë së Kroacisë, u miratua sot një vendim për të dërguar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 2 =