Home / Kryesore / “Urdhri izolues në emër të jetës”

“Urdhri izolues në emër të jetës”

Aleksandër Çipa

E kisha ditur me kohë si shumëkush në vendin tim që një vend mund të kyçet, të izolohet apo të rrethohet, por që ekziston mundësia dhe koha që të kyçet një popull, një shoqëri dhe shumica e popujve, këtë po e mësojmë këto ditë.

Ne duhet të mbyllemi në shtëpitë tona, në emër të jetës vetiake dhe të të gjithëve. Duket se kjo provë e imponuar tenton të korrigjojë formulën e pagëzimit: Në emër të vetes, atit dhe fëmijës dhe të shoqërisë,… unë ti, ai, ajo dhe të gjithë të rrimë në shtëpi. Mos e dëgjoni kryeministrin se në këtë vend si dhe në shumë vise të botës njerëzore mendja ka arsye të refuzojë gjithnjë qeverisësit. Por shikoni! Shikoni dhe derdhni një lot për Italinë fqinjë, sikundër është qarë në historinë e gjatë njerëzore për gjithë tragjeditë që vijnë nga natyra dhe prej njeriut. Në krahinën e Lombardisë dhe jo vetëm, vdekja është lubia e re që nuk po nginjet me jetë njerëzish. Një formë dhe brendi e re ferri po shkruhet në këtë kohë në këto vise. E pa parashikuar prej asnjë profeti dhe e pa parathënë prej asnjë libri të shenjtë.

Ne duhet t’i bindemi zërit të jetës që na është dhënë secilit ta kemi të vetme dhe të tillë ta ketë gjithë gjindja e ardhme njerëzore. Nuk kam arsye ta deklamojmë, por sot na duhet ta ridimë; Jemi pak. Jemi pak ne shqiptarët, aq sa duhet për të mos humbur askënd dhe askund.
I jam bindur këtyre ditëve, urdhrit suprem të arsyes dhe logjikës, sipas formulës së vetëekzistencës që mund ta riformulojë kushdo mbi arketipin e Formulës së Pagëzimit. Në emër të jetës sime, të atit dhe të birit e të frymës së gjallë, mos dil e mos bëj turmë!
Kjo është një formulë e re e mërmëritur imponueshëm për llogari dhe prej vetëdijes sime në ditë me një dhimbje shtesë humbjeje. Pak kohë më parë ne ndienim se si e kishim humbur konceptin për distancat dhe pengesat e lëvizjes së lirë. Në pak ditë mund të gjendeshim lehtësisht vizitorë e shëtitës në tri e ndoshta edhe në pesë kontinente. Tashmë, një rend i ri tinzar pandemie, na privoi nga kjo mundësi e ndoshta më keq na ndan prej kësaj lirie. Nuk ndoshi prej së mallëkuarës politikë dhe prej aq të kontestuarve shtete. Po vjen si një urdhëresë supreme prej ” kongregacionit” afetar të mbrojtjes së Jetës. Kjo është një urdhëresë e urryer si shumica e urdhëresave në përgjithësi, së cilës nevoitet t’i japim bindjen, jo si nënshtrim, por si vetëruajtje dhe si shërbesë mbrojtëse ndaj të tjerëve.

Me gjithë familjen dhe fisin po i nënshtrohem kësaj urdhërese këto dy ditë, në betejë të fortë me ndërgjegjen dhe detyrimin tim prej nipi. Im ungj, në moshën 64 vjeçe papritur mbylli sytë në Selanik, ku prej gati tri dekadash jetonte me familjen e vet si emigrant, duke iu dhënë jetës së amëshimtë. Nuk ka torturë më të madhe dhe pse jo, peng që mbetet në fuqi në subkoshiencën e çdo bregasi dhe shqiptari, se sa ai i detyrimit për të qenë në ritin mortal të të afërmit, aq më tepër të ungjit (xhaxhait) tënd. Në librat e shenjtë kjo marrëdhënie e shenjuar e konstitucionit unik familjar është detajisht e interpretuar. Në kanunet tona kombëtare, kjo mishërohet detajisht dhe thelbësisht si marrëdhënie dhe ndërsjelltësi. Mirëpo, pengu im prej nipi për detyrimin e futjes nën dhe të xhaxhait, mesa duket ka për të qenë një subjekt shtesë brenda rrëfenjës së ardhme të pandemisë që na kyçy, që na mbylli dhe na urdhëroi me forcën e urryer eternale të saj, të mos gjendemi tek tjetri as për vdekje e as për gëzim. Një urdhër sadist, i barabartë dhe për vdekje dhe për dasëm, dhe për shqiptarët dhe gjithë bashkëbotasit tanë. Kjo është pandemia që imponoi një rend të unifikuar izolimi matanë vullnetit dhe autoriteteve administrativë të Botës së shekullit XXI. Këtij rendi nuk i vlen disidenca dhe as kryengritja, por vetëm shërbimi dhe inteligjenca për të gjetur rrugë më kreative kontributi dhe jetëshkëmbimesh në funksion dhe mbrojtje të dashurisë unike, (të perëndishme siç e quajnë poetët), atë të njeriut për njerëzinë.

Në mendjen e njeriut janë të gjitha llojet e hamendësimeve dhe fantazive, por në jetën e përbashkët njerëzore arsyeja për ta dashur jetën është edhe dallesë qytetërimi. Këto ditë Italinë fqinje e dua dhe e ndiej si një njeri që ka dhimbjen e jetës që rrezikohet dhe ikën ndër frymë të ndërprera, kaq masivisht. “Mos e pastë askush këtë fat!- uronte poeti Reshpe.

Check Also

Koronavirusi/Izolimi po jep rezultatet e pritura,shumë shpejt ky shtet do t’i kthehet normalitetit

Qytetarët në Danimarkë duket se kanë respektuar vetëizolimin, aq sa kryeministrja është shprehur shpresëplotë se …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen + 14 =