Home / Kryesore / URAN KOSTRECI DHE LUTER KINGU

URAN KOSTRECI DHE LUTER KINGU

Nga Sebastian ZONJA –
Një nga figurat më emblematike të antikomunizmit, Uran Kostreci, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare. Dëshmitë e tij për burgjet komuniste, “Epopeja e karkalecave”, trimëria dhe ndershmëria e tij do të kujtohen gjatë dhe janë busull orientuese për shumë njerëz që lirinë e kuptojnë si çlirim prej prangave që të mbajnë lidhur.
Kurdo që bisedoje me Uranin nuk vije re urrejtje, por shpirtin e madh që kërkonte drejtësi për padrejtësitë që i ishin bërë atij dhe popullit shqiptar. Në nderim të tij, të tim ati, të shumë njerëze që humbën rininë se thanë lirshëm mendimin e tyre, dua që të them diçka për burokratin që spiunonte atëherë dhe që sot vjedh. Në të dyja rastet nën shenjuesin e emancipimit.
Uran Kostreci dhe miqtë e tij u arrestuan se panë nga Amerika. Studentët e Harri Fulcit vuajtën nën ferrin dantesk të Spaçit dhe Burrelit se u akuzuan si agjentë të imperializmit. Ata panë te Amerika atë që thoshte Luter Kingu “I have a dream”, por Amerika s’e pa këtë shkëndijë patriotizmi dhe lirie në sytë e tyrë, sepse kurrë ndonjë prej tyre s’u dekorua publikisht, s’u përkrah publikisht, apo t’i jepej një vizë amerikane për të parë atë vend aq të dëshiruar nga shqiptarët. Këta ishin të burgosurit politik shqiptar për Ëndrrën e madhe të Luter Kingut kundër sistemeve totalitare në botë dhe që fshehurazi dëgjonin “Zërin e Amerikës”. Uranin, Luter Kingun, Arshiun, Pjetrin, Tanushin … burokracia i sheh si prishës të qetësisë, por idealistët e mëdhenj i shohin si yllësi të reja të përfytyrimit njerëor dhe politik.
Atëherë, si sot, burokratët e tipit të “Njeriut të ri” në Shqipëri dhe të “It’s just business” në Amerikë nuk i shohin të arsyeshme idealet e larta, sepse Shqipëria është vendi ku kreu i Akademisë së Shkencave është ish-ministri i Arsimit të atij regjimi; ish-kryeministri ka qenë Sekretar Partie; Ministri i Brendshëm i regjimit mbylli karrierën poltike vetëm javën e shkuar etj etj. Dhe kjo s’mund të ndodhte pa ndihmën e madhe amerikane për të vënë në krye të Shtetit dhe Drejtësisë gjithë enveristët. Burokratët nuk shohin më larg se hunda dhe rehatia e tyre, por Luter Kingët shqiptarë dhe amerikanë janë ata që bëjnë historinë e botës me forcën e shembullit dhe të karakterit të tyre. Luter Kingu ishte zezaku që mund të vritej e burgosej lehtësisht. Ne ishim zezaku që mund të vriteshim e burgoseshim lehtësisht. Koha do të na jap të drejtë!
BUROKRATI QË PËRBUZ URANËT DHE LUTER KINGËT
Kur udhëton nëpër Tiranë me biçikletë apo me motor rreziku më i madh janë ata që e hapin derën e makinës vend e pa vend. Ndonjë taksixhi që ndalon kudo për të marrë apo për të lënë pasagjerë, dhe disa të tjerë që hapin bllokazhin ku të jenë dhe fillojnë të flasin në telefon apo të shkëmbejnë mesazhe. Këta të dytët janë pikërisht vemjet.
Ky tipi është mediokri i shoqërisë sonë. Ky është brezi i ndërmjetëm mes filmave të “Kinostudios” dhe atyre të Holyëoodit. Ky tipi apo kjo tipja është “njeriu i ri komunist” dhe bartësi i maksimës amerikaniste “it’s just business”. Modernia për këtë lloj është të qenit sa më i teknologjizuar – për shembull, të blesh telefonin e fundit, të shohësh filmat e fundit, të bësh sikur ndjek debatet më të fundit…
Të gjitha janë me sikur. Sepse sapo e hap librin, lexon trembëdhjetë faqe, dhe thotë me vete se i di këto gjeprua që shkruhen. Sheh një dramë dhe thotë se jeta e tij është më e vështirë. Klikon në YouTube një bisedë që nesër ta flas te puna. Ky është po i njëjti person që nuk ka ndonjë qendrim të vetin, por përshtatet me realitetin, sepse ka shprehjen e kudondodhur në majtë të gjuhës – “epo, kështu e ka jeta! S’do t’i biem murit me kokë!”
Kur porosit ndonjë picë te shtëpia, i lë baskshish motoristit 50 lekë sepse bashkohet me idenë e përgjithshme se duhet shpërblyer puna e ndershme.
Ky vetë nuk bën punë të ndershme, sepse më e rëndësishme se puna janë njohjet. Më të rëndësishëm se librat janë kontaktet në telefon. Më të rëndësishme se vlerat janë shprehjet popullore për t’ja hedhur tavolinës.
Ky është profili perfekt për drejtorllëqe. Është as mish, as peshk. Është tipi llogaritar, se edhe po ta zërë gruan me shefin në krevat, llogaritë i tregojnë se më mirë të bëj sikur s’e pa, se të humb vendin e punës. Kësisoj e kupton shprehjen “do bythë puna”! “Do pak bythë” që të bësh sikur nuk e sheh gruan me tjetrin, apo jo?
Ja si arsyeton politikisht dhe kulturalisht ky tipi:
Ti i thua se historia na tregon se format perandorake janë të kurdondodhura dhe sot ka perandori amerikane dhe kineze, por ai të thotë se je shumë i prapambetur me këto që thua.
Ti i thua se komb-shtetet janë njësitë mbi të cilat ndërtohet përfytyrimi politik, por ai të thotë se kjo është fazë e kaluar, se tani s’ka më kufij bota.
Ti i thua se në botë ka burra dhe gra, por ai të thotë se ky është mentalitet i mykur.
Vemja zvarritet kudo, njësoj si ky që i ka të lëngëta të gjitha konceptet. Asnjë të plotë, asgjë karakteristike, veçse intuita si t’i ngjitet pushtetarit të radhës. Trim nuk është. Por as frikacak nuk është.
Është dredharak. Nuk përballet asnjëherë me pasojat e veprimeve të veta.
Ky është tipi mbizotërues sot në administratë dhe gjetkë, puthadori i perandorive dhe ai që me të drejtë Koliqi e quante “tregtari i flamujve”.

Check Also

“Perëndimi” kap 14.3 kg kokainë, arrestohet drejtuesi i mjetit. Detajet nga operacioni

Një sasi prej 14.3 kg kokainë u kap sot në Portin e Durrësit, por droga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sixteen + 1 =