Home / Kulture / Tre artistë në ekspozitën “Kahe” në galerinë FAB, me piktura, instalacione, vizatime si dhe grafika

Tre artistë në ekspozitën “Kahe” në galerinë FAB, me piktura, instalacione, vizatime si dhe grafika

“Kahe” titullohet ekspozita me punë nga tre artistë dhe pedagogë të arteve, në galerinë e artit FAB. Ekspozita e parë për këtë vit në galerinë FAB vjen me punët e artistëve Artan Buca, Orlis Vathi dhe Ermal Baboçi. Ekspozita që çelet sot në galerinë FAB është kuruar nga dr. Ermir Hoxha dhe përmban piktura, instilacione, vizatime si dhe grafika. Kuratori Ermir Hoxha thotë se në ekspozitë janë dhe punime nga periudha e studimeve të tre artistëve.

“Janë rreth 100 punime, 3 autorë. Të gjithë kanë një profil retrospektiv. Janë pedagogë në Fakultetin e Arteve të Bukura. Kanë disa punë nga periudha e studimeve dhe të cikleve të krijuara nga periudha e shkollës”, thotë kuratori dr. Ermir Hoxha për ekspozitën personale të tre artistëve, që hapet sot në galerinë FAB.

Para pesë vjetësh në galerinë FAB, u organizua ekspozita “Pa kohë”, me vepra të artistëve të rinj Artan Buca, Aurel Nukaj, Ermal Baboçi, Julian Dëna e Orlis Vathi. Kuratori Hoxha shprehet se një vit më pas u rimblodhën sërish dhe ishte i njëjti grup miqsh, sërish me vepra të reja, i cili nën titullin “Kahe” synonte ngritjen e një dialogu të ri viziv, ku secili nga artistët projektonte optikën e tij mbi hapësirën, subjektin dhe dimensionin e kohës. Sipas tij, të gjitha këto të përthyera në mediume krejt të ndryshme, nga piktura në vaj tek video instalacioni e deri tek instalacionet formale në qelq. Kuratori dr. Ermir Hoxha tregon se edicioni i radhës i ekspozitës “Kahe”, vjen si vazhdimësi e këtij qëndrimi. “Kësaj radhe i përqendruar në tre prej autorëve të përhershëm Artan Buca, Ermal Baboçi e Orlis Vathi, ajo ndahet në tre salla, ku secili prezanton veprat e veta të reja në një optikë retrospektive. Ky format ekspozimi lindi si nevojë e kuptimit të vetë autorëve, tashmë në një pikë të mesme të karrierës, kur një vështrim kuptimor sa nostalgjik ngrihet padashur mbi secilin. E ngritur thjesht si një urë kohore, ky format retro ofron disa nga veprat e shkuara për të kuptuar më mirë dinamikën e rritjes tek gjithsecili”, shprehet dr. Ermir Hoxha, në tekstin kuratorial.

Tre artistët

Artan Buca e nis rrethin e tij viziv me një tablo të ndarë në dy pjesë, titulluar “Dallgët e jetës” (1998). Kuratori Ermir Hoxha thotë se vepra, kulmi i një serie të gjatë realizuar në vitet e shkollës, u ekspozua e suksesshme po në FAB me rastin e diplomimit. “Përshkuar nga motive mitologjike, ajo është një rinterpretim ekspresiv i periudhës romantike, kur trupa të zhveshur të rinjsh e kupidësh mbivendosen në një sfond marrin me nota të theksuara erotike. Stilistikisht vepra qëndron më pranë ekspresionizmit gjerman të fillim shek. XX, çka përbën një qëndrim klasik ndaj modernizmit në vitet në fjalë.

Një tribut ndaj jetës dhe dashurisë fizike, përmbyllëse e një periudhe specifike, ajo sot dallon qartë nga pjesa tjetër e ekspozitës”, shprehet mes të tjerave kuratori për punët e artistit. Tek Orlis Vathi sipas dr. Ermir Hoxhës fillesat janë realiste, por thellësisht konceptuale. Sipas kuratorit, dy tablotë e para që hapin sallën janë pjesë e vepra të realizuara në vitet e shkollës. “E para, “Superheronjtë” ofron një vështrim ironik të realitetit të fund viteve ’90, kur supergomonet transportonin qënie njerëzore nga njëri breg i detit në tjetrin. Në skafin e Vathit ironikisht kanë hipur superheronjtë e kulturës perëndimore, Supermeni, Batmani dhe Zorro, sipërmarrës të situatave më dramatike dhe shpresa e fundit për mijëra të pafat. Të drejtuar për në brigjet shqiptare ato duken si formati tragjikomik i zgjidhjes së realitetit të pashpresë vendas”, thotë dr. Ermir Hoxha ndër të tjera për punët e artistit. Më intriguese sipas tij janë tablotë me subjekte konkrete, si “Eccobet”, “Siluetë” apo “Diku përtej”.

Ermal Baboçi është më eksperimental në kërkimin e tij estetik. Kuratori Ermir Hoxha shprehet në tekstin kuratorial, se në këtë edicion Baboçi vjen edhe më dinamik. “Në hapësirën e tij, në dy kate ai gjen mundësinë e ndërtimit të një morie veprash me mediume dhe qëndrime krejt të ndryshme. Kështu aty gjejmë sipërfaqe minimale në beton, ndërthurur me elementin e xhamit e përshkuar e gjitha nga linja fijesh të leshta. Gjejmë aty dhe sipërfaqe në dru, të ashpra e trasgresive, si eko e artit informal të viteve ’50, ndërkohë mbi tablo formale në vaj vendosen forma të metalta abstrakte. Projekte të tjera vitrazhi, elegante si qytete kozmopolitane ofrohen bashkë me kërkime formash kromatike, të aplikuara mbi dru”, shprehet dr. Hoxha.

Për kuratorin dr. Ermir Hoxha, ekspozita propozohet e vlerë dhe shumë dimensionale. Në një pikë të mesme specifike për karrierën e të gjithëve, sipas tij ajo zë vend konkrete si pikë tranzit mes të shkuarës dhe të tashmes, por tu projektuar shpejt besimplotë në edicionet e tjera, pse jo dhe me kolegë të tjerë. Ekspozita “Kahe” do të qëndrojë deri më 31 mars në galerin FAB.

Check Also

“Vitet e Pritjes”, sot premiera botërore e versionit të restauruar

Sot shfaqet premiera botërore online e versionit të restauruar të filmit artistik “Vitet e Pritjes” …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − 9 =