Home / Aktualitet / Trafikant droge me lidhje terroriste/ Ylli Ndroqi drejt një akuze të re?!

Trafikant droge me lidhje terroriste/ Ylli Ndroqi drejt një akuze të re?!

SPAK publikoi gati 10 ditë më parë një njoftim të gjatënë lidhje me vendimin për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi, i cili në fakt është trafikanti i drogës Xhemail Pasmaçiu, sipas INTERPOL, me të paktën dy ngjarje kriminale në lidhje me trafikun e drogës në Turqi dhe Itali.

Sipas SPAK “Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy-mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu.

Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.”, shkruhet në njoftimin publik të shpërndarë nga SPAK. Por ky njoftim përfshin vetëm hetimet dhe të dhënat siguruara nga INTERPOL, për aktivitetin kriminal në trafikun e drogës. SPAK nuk jep asnjë të dhënë dhe nuk flet për asnjë hetim në lidhje me terrorizmin.

Nga personat e arrestuar në Turqi me Ylli Ndroqin (alias Xhemail Pasmaçiu) është edhe personi i quajtur Abdulselman Turgut, i cili u bë anëtar i një celule terroriste, që planifikoi të kryente sulme terroriste në kampin e muxhahedinëve iranianë që  jetojnë në Shqipëri.

Turgut ishte pjesë e një strukture, të lidhur me terroristë iranianë,  që planfikuan të sulmonin kampin e MEK ditën e Sulltan Nevruzit, ndërsa drejtori i Policisë, Ardi Veliu në zbërthimin e operacionit që u parandalua, i mëshoi fort këtij personi, madje duke kujtuar edhe lidhjet e tij të vjetra  të trafikut të drogës me  trafikantë shqiptarë.

“…Turgut, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. Turgut ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. Turgut është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”, deklaronte vitin e kaluar Policia e Shtetit, ndërsa vendimi për arrestin shtëpiak ishte firmosur nga gjyqtari Gjin Gjoni, vendim që e shpëtoi nga ekstradimi në Gjermani.

Agjencitë ligjzbatuese, përfshi këtu SPAK, SHISH, Policia e Shtetit etj nuk mund të qëndrojnë vetëm tek historitë e drogës dhe ccështjet të cilat Ylli Ndroqi, pretendon se i ka mbyllur me procedurë apo për ndonjë ka bërrë dhe burgun, apo ska dënim final me vendim gjykate. Nuk mund të lihet një trafikant droge me lidhje me element terroristë të shihet thjesht dhe vetëm si dikush që u pasurua nga droga dhe pronat duhet ti sekuestrohet për aktivitetin e tij. SPAK dhe çdo strukturë e shtetit duhet të zbardhë çdo akuzë dhe fakt që lidhet me aktivitet e tjera që pasojnë trafikun e drogës. Rasti i njohjeve me persona të akuzuar për terrorizëm ndërkombëtar është një nga më flagrantët dhe më i rëndësishëm sesa trafiku i drogës. /CNA.al

Check Also

Shifrat e fundit/ 3 viktima nga COVID-19, ja sa raste të reja u shënuan gjatë 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike shifrat e fundit përsa i përket situatës së koronavirusit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + eighteen =