Home / Kulture / Thjeshtësia e hershme e poezisë së Bujar Xhaferit

Thjeshtësia e hershme e poezisë së Bujar Xhaferit

Kriptomnezi
Në qoftë se harron të vish të shtunën,
Mos harro siç harrojnë të mëdhenjtë,
Se harresa e të mëdhenjve është ndonjëherë
Truk autoritar, është gjest mirësjelljeje.
Harresë që s’të bën aspak për të qeshur,
Harresë trishtuese, plot seriozitet.
Në qoftë se harron të vish të shtunën,
Mos harro, pra, si të mëdhenjtë,
Se harresa e të mëdhenjve ndoshta ka arsye,
Një arsye që mua do të më sjellë trishtim,
Dhe mund të jetë e gjatë harresa
e të mëdhenjve,
E gjatë, e gjatë, gjer në harrim.
Më harro si fëmijët po s’erdhe të shtunën,
Si fëmijët kur harrohen pas balonave të pranverës,
Atëherë unë do të qesh me harresën tënde
Dhe nuk do të besoj aspak te harrimi.
Sot ti ishe
çuditërisht e mirësjellshme
Asnjëherë s’ke qenë kaq e mirësjellshme,
Kaq e qetë, kaq e plogët, kaq e kujdesshme …
Dhe dukesh si njeriu që u shërua nga një plagë,
Nga një plagë që i ka dhembur gjatë, gjatë.
… Po është një plagë dashuria, një plagë,
Një plagë që lumturisht dhemb ditë e natë,
Që vetëm shërimi ndofta i bën keq.
Po sot ti ishe çuditërisht e mirësjellshme
Dhe qetë më the të dua,
dhe qetë më buzëqeshe …
Të gjitha diplomacitë
Pëshpërisin këtë fjalë,
Kur gënjejnë nga pak.
Dhe trupat më të errët dinë të bëjnë dritë,
Dinë të fshehin errësirën,
Asnjëherë s’ke qenë kaq e mirësjellshme,
Asnjëherë s’më ke trishtuar kaq shumë,
                                                        asnjëherë.
E  Vetmja përsëritje,
që s’është monotone
Gjithmonë kam përsëritur dashurinë për ty;
Cdo vit, çdo stinë, çdo minutë, çdo sekondë.
Ka shkuar kaq kohë dhe ti megjithatë
Ende s’e ke humbur delikatesën e duarve,
As ngjyrën e gojës,
as kthjelltësinë e syve,
As hirin e shtatit, as dritën nëpër flokë.
Çdo ditë kam përsëritur dashurinë për ty,
Refrenin më të lashtë e më njerëzor në botë,
Simfoninë më të gjatë, më të gëzuar
e më të trishtë,
(Të pakufizuar kurrë në kohë muzikore,)
Unike si dielli në sistemin tonë,
Origjinale si ëndrra,
E pafund si hapësira,
E pezmatuar si plaga,
Euforike si drita.
Çdo ditë kam përsëritur dashurinë për ty,
Me sigurinë që përsëriten vetë javët
dhe ditët.
Dhe s’kam besuar në zemra
të lehta, çamarroke,
Që gjurmojnë të hutuara dashuri të reja
Çdo ditë kam përsëritur dashurinë për ty,
Të vetmen përsëritje që s’është monotone.
 dgst.png
Pasqyrat
Nga të gjithë gënjeshtarët e një dite
Më të besueshmit padyshim janë
pasqyrat –,
Një rrudhë mundimi në fytyrën e
fshatarit
Ato e shndërrojnë në stoli fisnikërie..
Pasqyrat e përzënë shëmtinë fizike,
Përpara tyre lumturohen të gjithë:
Të gjithë i kanë flokët me nuanca të
shndritshme
Të gjithë të hirshme ngjyrën e syve
Dhe në miqësinë e ngushtë me shëmbëllimin
në pasqyrë
Kurrkush nuk ka xhelozi për të diturit, –
Pastaj sa gra përpara pasqyrave
Qetësohen për tradhtinë që u bëjnë
burrave.
Se pasqyrat janë krijesa të dritës
Dhe dinë ta stisin një fytyrë të bukur,
Mandej fati tragjik i Narcisit të lashtë
I bëri pasqyrat edhe më të besueshme.
Jo më kot diktatorët e quajnë veten,
Pasqyra të popujve të tyre.

Check Also

Përkthimi i 12 nga Rudolf Marku

WILLIAM BUTLER YEATS (1865-1939) Çmimi Nobel për vitin 1923. Poet, dramaturg dhe kulturolog irlandez, njëri …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × one =