Home / Aktualitet / Tha se fëmijët pjesëmarrës në protestë do të trajtohen me psikolog…

Tha se fëmijët pjesëmarrës në protestë do të trajtohen me psikolog…

Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga protesta masive, ku të rinj të revoltuar shprehin indinjatën ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nëpërmjet grumbullimit në pikat kyçe të qendrës së Tiranës.

Dhunën e shfaqur në protestë e komentoi së fundi dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila deklaroi se institucioni që ajo drejton po punon për identifikimin e të rinjëve dhe në momentin kur do të qetësohet situata atyre do t’i ofrohet shërbimi i psikologut.

Kjo deklaratë ka sjellur reagime të shumta, ku më i ashpri është reagimi i Lëvizjes për Universitetin, drejtuesit e të cilit kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit, pasi sipas tyre trajtimi me psikolog nuk është i detyrueshëm por me parapëlqimin e personit që do të trajtohet.

Deklarata e plotë: EVIS KUSHI DORËHIQU!

Dje ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka tentuar të nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve duke i konsideruar subjekte të psikologut. Ministrja nuk e di se psikologu nuk mund të caktohet nëse nuk kërkohet dhe miratohet nga vetë personi.

Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat.

Shqipëria është në vendin e fundit në rajon për financimin e arsimit, me vetëm 3.3% të PBB-së, ndërkohë që vendet e tjera e kanë 4-4.5%.

E ftuar në studiot televizive për të bërë propagandë kundra protestës, ministrja Kushi shprehej gjithashtu se protesta ishte krim. Ajo harron qëllimisht që shumë minorenë janë dhunuar, arrestuar dhe përndjekur nga Policia e Shtetit. Sipas raportit të Avokatit të Popullit nga 182 të ndaluar, 60 prej tyre janë të mitur. Gjithashtu rezulton se ndaj të miturve nuk janë respektuar parashikimet dhe standartet e legjislacionit lidhur me praninë e psikologut, si dhe vendin e marrjes në pyetje të të miturve.

Sot Lëvizja Për Universitetin kërkon dorëheqjen e ministres Evis Kushi. Pas akuzave për plagjiaturë të punimit shkencor të doktoraturës, dështimit të mësimit online dhe keqmenaxhimit të shkollave në këtë gjendje pandemie, deklarata të tilla përçmuese si ajo e djeshmja janë të denja vetëm për regjimet diktatoriale.

Check Also

Kancelarja Merkel tregon datën e saktë, ja kur pritet të përfundojë procesi i vaksinimit

Procesi i vaksinimit në Gjermani do të përfundojë deri në 21 Shtator, la të kuptohet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × four =