Home / Histori / Të varfërit në lagjen më të pasur të Tiranës …

Të varfërit në lagjen më të pasur të Tiranës …

Silvana Begaj/

A ju kam folur ndonjëherë për shitësen e perimeve ku pija kafen e mëngjesit?

Vinte çdo ditë nga një fshat i Tiranës dhe sillte perime. Në të ftohtë dhe në diell, ajo nuk lëvizte derisa të shiste çdo gjë. Çdo gjë bio dhe me çmim qesharak. Qeshte shumë rrallë. Shikonte majtas-djathtas se mos vinte ndonjë polic dhe i sekuestronte ‘mallin e krimit’.
Më kujtonte “Shitësen e shkrepëseve” të Gi dë Mopasan, por jo… Krahasim i vakët! Ndoshta prandaj nuk ju kam folur kurrë për shitësen e perimeve përballë kafes! Ishte e vjetër në moshë, me duar të ashpra, të çara, por e dinte se për se kishte ardhur dhe mendonte për të nesërmen dhe ishalla mbante koha. Zakonisht fitonte me 10 lekësha, por kur blija une me jepte gjithmonë më tepër.
Sot, vras mendjen ku është shitësja e perimeve. Kohë pandemie, punonte në të zezë… Si mbahet, ajo dhe familja e saj?

A ju kam folur ndonjëherë për shitësen e qumështit përballë pallatit tim?
Vinte çdo ditë dhe shiste me klientë qumësht fshati me bidona dhe ikte të ushqente familjen. Ajo kishte besim tek blerësit dhe nuk frikësohej shumë se mund të kapej në flagrancë. Ajo ishte më e re, më e shkathët. Ndoshta prandaj nuk ju kam folur për të! Vras mendjen po ajo ku është sot në këtë kohë krize?

A ju kam folur për atë që pastronte shkallën e pallatit tim?
Për këtë do flas pak më gjatë se kam ndarë më shumë kohë me të. E ndihmoja me kovat dhe me ujë. I kishte vdekur burri dhe ishte e moshuar. Jetonte me djalin dhe nusen të cilët nuk e pranonin në shtëpi , pasi ia kishin marë shtëpinë, nese nuk shkonte në punë. Unë qaja në heshtje kur e dëgjoja historinë e saj. Ajo kurrë! Më dhimbsej, por nuk e tregoja. Kisha frikë mos e ofendoja. Pasi mbaronte aty ikte dhe ndihmonte një shitës për sistemimin e fruta-perimeve. Vras mendjen, a e mban me djali dhe nusja në shtëpi tani që është kohë pandemie? Di që e quanin dhe e trajtonin si të çmendur, por unë e konsideroja si një prej njerëzve më të aftë dhe të fortë mendërisht që kam njohur ndonjëherë. Nuk është gjë e vogël të pranosh realitetin e saj. Ajo po! Ndoshta më dhimbsej shumë, prandaj s’ju kam folur kurrë për të.

A ju kam folur ndonjëherë për gruan e këpucarit përballë me pallatin tim?
Nuk besoj, se shumë pak kohë kisha që e njihja. Pasi burri i saj këpucar vdiq, ajo endej rrugëve me një fëmijë dhe më dukej gjithmonë në një gjendje të mjerueshme. Më dhimbsej shumë dhe kam dashur t’i afrohesha disa herë, por nuk dija se si. Derisa erdhi tek farmacia e motrës sime për të blerë ilaçe me listë, për fëmijën e saj. Nuk dinte si të mbijetonte pa burrin e saj këpucar. Ishte trup vogël, imcake dhe rrinte si e verdhë. Ndoshta nuk hante mjaftueshëm.

Por unë jetoj në lagjen më të pasur të Tiranës. Vras mendjen sa shitëse të perimeve, të qumështit etj., ka në lagjet e tjera? Po në rrethe? Ç’po bëjnë ato sot? Nuk pyes për to, por di që kishin dhe familje për të mbajtur. Vras mendjen shpesh a mund t’i paguajnë dritat…
Unë e di që ka shumë njerëz që s’ju kam folur, por ndoshta s’kam pas mundësi t’iu flisja për ta. Të gjithë ata janë njerëz, si unë, si ju, si ata. Vras mendjen ç’po bëjnë sot me këtë pandemi të tejzgjatur.

Ndoshta më mirë që s’kam folur për to sepse edhe po të flisja bota do vazhdonte të ishte po njësoj. Varfëria gjithsesi do ishte po aty duke i bërë sehir skamjes. Nuk prishet bota për raste të tilla, të cilat ne i dimë, por nuk i themi. Një i varfër më shumë nuk prish balancën.
Ne fakt deri tani nuk fola për ta. Fola për realitetin gënjeshtar që po luhet me jetën e të varfërve. Dhe unë, Unë jetoj në lagjen më të pasur të Tiranës.

Silvana BEGAJ

Check Also

Njihuni me Florian Kunushevci, shqiptari që zbuloi problemin në sistemin e sigurisë të prestigjiozes BBC

Eksperti i sigurisë kibernetike, Florian Kunushevci, është renditur në listën e personave të cilët identifikuan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × five =