Home / Kulture / “TË PUNOSH ME GJUHËN SI NJË ESNAF DHE FJALORIN TA KESH SI PARTITURË”

“TË PUNOSH ME GJUHËN SI NJË ESNAF DHE FJALORIN TA KESH SI PARTITURË”

KY ËSHTË ARTI POETIK PËR ÇFARË JULIAN ZHARA NGA SHQIPËRIA U VLERËSUA ME ÇMIMIN PRESTIGJOZ PËR POEZI “LERMONTOV”.


“Ramë në gjumë në fund të shkurtit dhe po zgjohemi këto ditë. Shtrati është i njëjti, por dhoma ama ka ndryshuar, nuk dimë ku është çelësi i dritave dhe duhet të ngrihemi e të lëvizim ngadalë. U gjendëm befas në një botë të re, këtu na duhet të jetojmë dhe kjo botë e re ka nevojë edhe për fjalë të reja. Dhe për këtë arsye do të shërbejë poezia.”

 Një tjetër intervistë ekskluzive në shqip me shkrimtarin e njohur Julian Zhara, i cili veçohet për rolin e tij si poet, performues dhe organizues eventesh kulturore. Është me origjinë nga Shqipëria, jeton dhe vepron në Itali. Është fitues i çmimit “Lermontov”, për aktivitetin e tij poetik në edicionin XVIII të Festivalit Kombëtar të Poezisë “Citta di Sant’ Anastasia”. Ka publikuar dy vëllime me poezi: In apnea (Granviale, 2009), Vera deve morire (Botuar nga Interlinea për Lyra giovani 2018). Në 2014 bashkëpunon në Generation Y, projekt i “spoken music” në MAXXI. Poashtu është organizator i festivalit të poezisë orale dhe muzikës dixhitale Andata e Ritorno.

1. Nga rrjedh frymëzimi për të shkruar?

Nëse e ke fjalën për një moment të veçantë, nuk ka të tillë. Shkruaj
mbrëmjeve, ku punoj për të përimtuar vargjet, ndërsa në mëngjes me pikësimin. Shumë shpesh nisem nga një imazh, një fytyrë, një shprehi  apo mënyrë të thëni, skena e një filmi, një motiv kënge që kam në kokë dhe që përpiqem ta modeloj në trajtë vargu.

2. Çfarë është poezia për ju?

Të punosh me gjuhën, si një esnaf, dhe fjalorin ta kesh si partiturë.

3. Si është ndjesia e të qenurit fitues i çmimit “Lermontov”?

Çmimi Lermontov ka qenë një surprizë e mrekullueshme. As që e prisja. Jam i lumtur që kërkimi im poetik dhe veprimtaria ime patën dëgjues dhe vlerësues të papritur, për të cilën shpreh falenderimet e mia. Puna e poetit është e përditshme, ka të bëjë çdo çast me ekzistencën tënde – gjithçka punon për të përkthyer botën (të brendshmen, të jashtmen) nëpërmjet fjalëve. Duhet të them se është hera e dytë që më jepet një çmim, për veprimtarinë time, në Campania. Diku, në thellësi, duhet të ketë një lidhje shumë të vjetër mes meje dhe këtij rajoni të mrekullueshëm.

4. Cilin shkrimtar/poet e konsideroni si model tuajin në letërsi?

Nëse flasim në kontekstin italian, autorë të gjallë, mjeshtri im në poezi është Franco Buffoni. Ndërsa një nga intelektualët- pikë referimi, poet, përkthyes dhe eseist, është Gabriele Frasca. Në prozë frymëzohem shumë, si intelektualë dhe si aktorë të eksperimentimit me romanin, nga Aldo Busi dhe Vitaliano Trevisan. Poetë të Nëntëqindës që sot kanë kryesisht ndikim në ekzistencën time: W. H. Auden, Pier Paolo Pasolini.

5. Jeni edhe një përkthyes i aftë, sa përkthime keni bërë deri tash dhe cilin do e kishit vlerësuar si më të mirin?

Si përkthyes, po përpiqem të shërbej si një port mes dy realiteteve të mia gjuhësore: shqipes dhe italishtes. E quaj port, sepse, po ta mendoj mirë, ndoshta nuk është rastësi që kam lindur në Durrës dhe që pastaj zgjodha si vend dhe qytet për të jetuar Venecian. Deti është si aktori kryesor në përditshëmrinë time ka qenë gjithmonë një faktor përbashkues mes popujve. Në lidhje me përkthimet, po punoj njëherësh me poezitë e Fatos Arapit, Virion Graҫit, Parid Teferiҫit, Gentjan Çoҫolit, Rudian Zekthit dhe në mënyrë më të thelluar me poezitë e Agron Tufës dhe Luljeta Lleshanakut. Nuk e bëj dot një klasifikim vertikal: nga më i
miri te më pak i miri. Secili nga këta autorë ka një shifër stilistike shumë personale, e megjithatë e përçuar në një poezi frymëmarrjeje shumë më të gjerë të gjeografisë shqiptare. Cilësia e poezisë së tyre është padyshim e lartë dhe, në përkthim e sipër, në një raport ballë për ballë me tekstin, unë po përimtoj edhe poezinë time. Një gjë që më thoshte gjithmonë Franco Buffoni: gjatë kohës kur nuk shkruan, përkthimi është palestra më e mirë që mund të bësh. Dhe ka të drejtë.

6. Sa lexojnë të rinjtë?

Lexojnë përherë e më shumë poezi. Dhe ky është një lajm shumë i
bukur. Rilindja e tregut të poezisë në Itali, të paktën deri para
pandemisë, është rrjedhojë e një vëmendjeje të rikthyer të të rinjve.

7. Çfarë do t’u këshillonit poetëve/shkrimtarëve të rinj?

Të mos rreshtin së kërkuari. Të lexojnë pa fund. Të përballen me më të zotët. Të mos mendojnë për çmime dhe karrierë, por të mendojnë t’i japin një kontribut gjuhës. Të jenë të ndershëm me veten dhe me shkrimet e yre.

8. Çfarë e motivon më së shumti një shkrimtar si ju gjatë kësaj periudhe pandemie?

Uria për jetë, ma merr mendja. Ramë në gjumë në fund të shkurtit dhe po zgjohemi këto ditë. Shtrati është i njëjti, por dhoma ama ka ndryshuar, nuk dimë ku është çelësi i dritave dhe duhet të ngrihemi e të lëvizim ngadalë. U gjendëm befas në një botë të re, këtu na duhet të jetojmë dhe kjo botë e re ka nevojë edhe për fjalë të reja. Dhe për këtë arsye do të shërbejë poezia.

Julian Zhara

Poezia

Vera deve morire (Interlinea, 2018)

Che geloso com’ero del tuo passato
di un uomo soltanto: tuo padre,
di te, delle altre, da prima, l’uomo
su cui hai modulato l’idea di uomo
nel lastricare il percorso di mimi
fuggendo o calcando l’immagine miliare,
i volti degli altri uniti a creare uno suo: sbiadito.
Di nessun altro sono mai stato geloso.

Ne estraevo la forma a partire
dalle tue due pupille, proiettandola intorno
una volta incarnata nello spazio tra me, te,
queste labbra si alteravano fino
a farsi gabbia
indicarti la ferita a partire dalla cura;
la terra non può più appartenere
a chi l’ha abbandonata.

In silenzio ti osservavo elencarmi piano
la lista di lacune che dovevo supplire,
per poi vederti volgere lo sguardo in basso,
alzarti lentamente e dirmi: vado, è tardi;

indaffarata com’eri
non mi hai mai riparato dalla paura
che a riflettere fosse in me (anche se lontanamente)
la sua di figura,
e ne uscivo sconfitto.

 

Check Also

Sentenca nga Emil Cioran

1. Çdo fjalë më sëmur. Ndërkaq, çfarë kënaqësie do të ndjeja të dëgjoja lulet tek …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − eleven =