Home / Uncategorized / Të gjithë vandalët një fytyrë kanë

Të gjithë vandalët një fytyrë kanë

Nga Arben KALLAMATA
Çfarë ndryshimi ka kthimi që po i bën Erdogani Shën Sofisë në xhami nga kthimi që iu bëri Enver Hoxha kishave, katedraleve, xhamive në vatra kulture e pallate sporti? Nuk ka shumë ndryshim. Të dyja janë vandalizma kundër një trashëgimie të caktuar, krime kulturore. Çfarë ndryshimi kanë këto të dyja nga kthimi që i bëri Ferdinandi III i Spanjës xhamisë së famshme të kalifit Abu Yaqub Jusufi në Katedralen e Seviles që njohim ne sot? Pikë ndryshimi.
Lista është pa fund nga të gjitha anët: të krishterë që prishin faltore dhe monumente të të tjerëve përpara tyre dhe muslimanë që prishin kisha, faltore të të tjerëve, diktatore që prishin ose shndërrojnë rrënjët ideologjike të paraardhësve për t’i përdorur ato për nevojat a tyre ideologjike. Të krishterë që kthejnë xhamitë në kisha dhe muslimanë që kthejnë kishat në xhami.
Vetëm në Romë numërohen me dhjetra objekte të qytetërimit të lashtë romak që janë përvetësuar dhe përshtatur për t’i shërbyer krishterimit. Ndër to Curia Iulia, Selia e Senatit Romak u kthye në kishë të krishterë në shekullin e shtatë; Bazilika e Shën Pjetrit që është edhe sot e kësaj dite katedralja e Vatikanit ngrihet mbi një nekropol romak; Panteoni i famshëm ka shërbyer për një kohë të gjatë si Santa Maria Rotonda, Banjat e Dioklecianit u kthyen në Santa Maria degli Angeli e dei Martiri dhe San Bernardo alle Terme; ndërsa Koliseumin e shohim sot çerek të rrënuar vetëm se të krishterët i hiqnin gurët për t’i përdorur si materjal ndërtimi në kishat e ndryshme të Romës. Shnderrimi i tempujve, faltoreve dhe objekteve të tjera në kisha e katedrale shtrihet në të gjithë botën dhe përfshin shkatërrime pafund. Katedralja Metropolitane e qytetit të Meksikos ngrihet mbi një tempull Aztek, ndërsa kisha Nuestra Senora de los Remedios është ndërtuar mbi Piramidën e Madhe të Cholulas.
Me të ardhur në pushtet, muslimanë e të krishterë kanë përveshur mëngët për të shkatërruar apo përshtatur për nevojat e veta atë që kishin ndërtuar të tjerët para tyre. Muhameti kthehu Mekën dhe gurin e saj të famshëm nga një vend adhurimi dhe peligrinazhi për besimtarët politeistë në qendër turistike të besimit të tij, ndërsa pasuesit e islamit kanë kthyer me qindar kisha, tempuj Hindu, Xhaine dhe Budiste në xhami. Shën Sofia është një dhe më e njohura midis dhjetra e dhjetra kishave të kthyera në xhami brenda territorit të Turqisë, pa përmendur të tjerat kudo ku sundonte perandoria Otomane.
Përse çuditemi me Erdoganin?! Ai s’është gjë tjetër veçse një vandal në rradhën e gjatë të vandalëve që përpara tij. Të gjithë janë të bindur se miku i tyre imagjinar është më i mirë se i të tjerëve, ose më saktë është i vetmi që duhet adhuruar, prandaj askujt nuk i dridhen duart kur prish apo përshtat.

Check Also

E ndaluan për kamionin pa targa, vëllezërit e shoferit kanosin policët

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − twelve =