Home / Bota / Takimi i liderëve të mekanizmit 17+1 në një format ndryshe, dhe nyjat e marrëdhënieve ekonomike BE-Kinë

Takimi i liderëve të mekanizmit 17+1 në një format ndryshe, dhe nyjat e marrëdhënieve ekonomike BE-Kinë

Edhe këtë vit ishte planifikuar të mbahej takimi i për vjetshëm i liderëve të mekanizmit 17+1, por që për shkak të pandemisë u vendos që takimi të bëhej vetëm në rangun e përfaqësuesve politikë të vendeve pjesëmarrëse në qytetin Suzhou, në datat 5-6 Dhjetor 2020.

Mekanizmi 17+1 është një iniciativë e Kinës për të përfshirë në projektet e saj të investimeve vendet e Europës lindore dhe juglindore, pra edhe Ballkanin, në kuadrin e iniciativës Një Brez Një Rrugë. Në kuadrin e kësaj nisme, përveç projekteve të ndryshme në infrastrukturë të cilat do kërkonin një analizë më vete, të bën përshtypje se që nga nënshkrimi i këtij mekanizmi në vitin 2012, lidhjet mes Kinës dhe kësaj pjesë të Europës janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme. Për ilustrim mjafton të përmendim se fluturimet direkt janë shtuar me rreth gjashtë herë dhe me to edhe numri i turistëve kinezë të cilët kapën thuajse një milion veta përpara se të shpërthente pandemia, nga vetëm 200 mijë që ishin përpara. Numri i bursave për studime në Kinë gjithashtu është shumëfishuar dhe janë krijuar një numër projektesh kërkimore që analizojnë këtë iniciativë. Kina e ka përsëritur disa herë se mekanizmi 17+1 dhe iniciativa Një Brez Një Rrugë, është produkt i vizionit të vet afat gjatë për një botë në të cilin multilateralizmi është parimi mbi të cilin do të ndërtohen marrëdhëniet ekonomike e politike të së ardhmes dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të patur përfitime reciproke.

Përfaqësuesit diplomatikë që do të takohen në Suzhou do kenë edhe rastin të vizitojnë kontenë e Kunshanit, një nga më të zhvilluarat në Kinë. Suzhou ndodhet në provincën Jiangsu, jo larg nga Shanghai. Me historinë e vet të lashtë prej më shumë se 2500 vjetësh Suzhou është vendi i shumë atraksioneve historike. Gjithashtu, për arsye se Suzhou ndodhet në rrjedhën e lumit Yangtze (长江), qyteti ka karakteristikën e veçantë se ka një seri kanalesh që për syrin e një perëndimori të kujtojnë njëkohësisht sa qytetin e Venecias në Itali aq edhe atë të Amsterdamit në Hollandë. Në fakt në origjinën e vet Suzhou ishte një seri vendbanimesh që lidheshin me njëra tjetrën përmes këtyre kanalesh. Sot shumë prej tyre janë ruajtur më së miri, së bashku me arkitekturën e mrekullueshme të ndërtesave të lashta dhe monumenteve të shumta.

Por kjo është vetëm njëra anë e qytetit. Ana tjetër është fakti se në Suzhou bashkohet sa kultura e historia e lashtë e Kinës aq edhe zhvillimi modern ekonomik. Simbol i këtij zhvillimi të kësaj zone është kontena Kunshan aty afër. Hapja e ekonomisë së Kinës në vitin 1978 u përqafua me shpejtësi marramendëse nga Kunshani. Atëherë kjo kontenë e vogël për standardet e Kinës merrej kryesisht me agrikulturë dhe aktivitete të tjera të sektorit primar. Sot, pas katër dekadash, në Kunshan, ashtu si në shumë qytete të tjera në Kinë, shumica e aktiviteteve ekonomike përbëhet nga sektori sekondar e terciar, me një fokus të veçantë në prodhimin e komponentëve në fushën e teknologjisë informatike, siç janë semikonduktorët, por edhe në fusha të tjera ku kërkohet zhvillimi i teknologjive të reja dhe që bazohen në inovacion të vazhdueshëm siç është biomjekësia. Për shkak të hapjes së ekonomisë kineze ndaj botës, në Kunshan gjenden më shumë se një mijë kompani që fokusohen në të gjithë sektorët e elektronikës dhe teknologjive të informacionit.

Interesant është fakti se në këtë qytet prodhohen disa nga elementët bazë të përdorimit të gjerë në elektronikë për të cilat Shtetet e Bashkuara janë zotuar ta përjashtojnë Kinën. Në këtë mënyrë ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë shtyrë atë të mendojë sesi të krijojë autonomi në ideimin dhe prodhimin e këtyre komponentëve. Në fakt i gjithë drejtimi i dokumenteve ekonomike të kohëve të fundit i mëshon fort idesë së krijimit të një ekonomie që bazohet në inovacion, dhe me synim forcimin e tregut të brendshëm, megjithëse njëkohësisht Kina ka theksuar nevojën e integrimit edhe më të madh të ekonomisë së saj me ekonominë botërore.

Në këtë kuptim ka marrë rëndësi të madhe edhe marrëveshja që po pritet të përfundohet mes Kinës dhe Bashkimit Europian për lehtësimin e investimeve në tregjet reciproke, ose siç njihet ndryshe Comprehensive Agreement on Investments. Kjo marrëveshje ka lindur si nevojë e rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy palëve. Për Bashkimin Europian Kina është partneri i dytë tregtar në botë pas Shteteve të Bashkuara. Ndërsa për Kinën Bashkimi Europian është partneri i parë në botë. Negociatat për këtë marrëveshje kanë vite që kanë filluar, që nga viti 2013, dhe 32 raunde negociatash janë zhvilluar deri tani, por ato nuk kanë qënë të lehta. Nga njëra anë Bashkimi Europian kërkon më shumë hapësirë për kompanitë e veta në aksesin e tregut kinez dhe mendon se disa kompani shtetërore kineze kanë pozicione dominuese në treg. Gjithashtu, BE ka kërkuar që të hapet më shumë tregu kinez i shërbimeve financiare. Probleme në të shkuarën janë përmendur edhe përsa i përket mbrojtjes së pronësisë intelektuale në Kinë. Nga ana tjetër Kina është përgjigjur me masa të reja përsa i përket pronësisë intelektuale, por edhe me hapa të matur dhe jo të nxituar përsa i përket balancës mes kompanive shtetërore dhe atyre private dhe në përgjithësi rolit të shtetit në ekonomi. Ashpërsimi i marrëdhënieve Kino-Amerikane ka ruajtur gjithashtu një rol në ngadalësimin e negociatave.

Megjithatë, megjithëse nën kushtet e menaxhimit të pandemisë, këtë vit të dyja palët kanë bërë përpjekje dhe progres të konsiderueshëm në negociata. Kjo është një tregues sesa e rëndësishme është kjo marrëveshje si për Kinën ashtu edhe për Bashkimin Europian, i cili ka shprehur një interes të konsiderueshëm për të patur marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike me Kinën. Kështu që të gjithë presin që gjatë muajit dhjetor 2020 kjo marrëveshje të nënshkruhet. Përfundimi në fakt me sukses i kësaj marrëveshje dhe nënshkrimi i saj do të kishin një domethënie të madhe për tregtinë globale, për arsye se Kina dhe Bashkimi Europian janë dy nga ekonomitë më të mëdha në botë. Me përfundimin me sukses të kësaj marrëveshje shumë vende të Europës lindore që janë anëtare të Bashkimit Europian, por edhe pjesëmarrës së nismës 17+1, do të kenë një përfitim shtesë nëse konsiderohet fakti se kompanitë e tyre do të kenë një akses edhe më të madh në tregun kinez të investimeve dhe do të operojnë në një kuadër normativ më të rregulluar.

Check Also

Sherr i frikshëm mes shqiptarëve në Spanjë, dy persona theren me thika

Dy shqiptarë të moshës 27 dhe 29 vjeç janë arrestuar në Spanjë si autorë të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve − eight =