Home / Kryesore / Stinë parazitësh

Stinë parazitësh

 

Fatmira LOCI-

Burrat i binin çiftelisë. Qenë shtruar me meze, raki e aheng.
Bora sapo kishte arrit parvazin e dritares. Vetëm një rrugicë e ngushtë çante oborrin mespërmes, deri në vathë të bagëtive. Ajo endej lart e poshtë, herë me një kovë ujë, herë me një krah grazhd, herë me drithë për pulat. Vathi me kotecin dukeshin aq largas, për të çarë tej e tej gjithatë dëborë.
Brenda ziente muzika. Kur Ajo mbylli punët e jashtme, gjeti burrin, kunatin e dy mysafirët duke i kënduar, “Oso Kukës”. Mbylli derën me kujdes, t’mos ua prishte terezinë. I futi dru oxhakut, po përdreq, ndërsa trazonte zjarrin që të kalleshin drutë sa më parë, kërceu një thëngjill e i ra kunatit te çorapi leshit. Burrat u çuan peshë. “Ptuuu, tu preftë nafaka. Bibë pa tru.” – iu hakërrye i shoqi, duke i marrë mashën nga dora. Kishte raste fatlume kur shamata mbyllej vetëm me kaq gjë!

Burrat loznin domino. Dyqani i fshatit gëlonte nga të qeshurat, zëri i lartë, fjalët banale…
Ishte kohë të mbjellash. Ajo përvjelte mëngët që herët. Pa zbardh mirë drita, mjelte bagëtinë, ziente qumështin, bënte gati mëngjesin. Kur ja dilte t’i mbaronte herët, fitonte kohë të lante ndonjë rrobë në përrua.
Në arë duhej me orar fiks, për t’ju gjendur pranë burrit, gjatë asaj orë të vetme që ndodhej aty, pasi më vonë kishte “punë të rëndësishme” për të bërë. Më pas mbjellje, pastrime, gatime, duhej t’i bënte vetë. Këta ishin xingla-mingla! Pra, punë që s’ishin për burra.

Burrat ndërtuan lojë të re. Gjuanin në drejtim të qiellit. Gëzhojat hapërdaheshin përtokë, gjithandej… vetëm gëzhoja. Era barut, djersë, alkool. Filloi të humbe aroma e barit, gjethit, zhurma e pyllit… Vetëm krisma, të qeshura e zëra të trashë çjerrnin ajrin e asaj stine. Se nga ishin strukur zërat e fëmijëve, gjinkallave, bretkosave, zogjve…
Buzëmbrëmje asaj verë, ra i pajetë trupi i një të riu 23 vjeçar.

Vjeshtë…
Burrat pinin cigare. Ndër tymnaje shfrynin hallët e botës. Shamizezat ktheheshin nga malet, plot shpinën me dru, për t’u siguruar dhe një dimër zjarr, parazitëve që vetë kishin krijuar.

Check Also

Rugova, kritiku i artit që u vendos në krye të politikës së Kosovës

Ky material është shkëputur nga libri “Hashim Thaçi dhe lufta e Kosovës” me autorë Blendi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eleven + seventeen =