Home / Uncategorized / “STIMULUESIT E BOTIMEVE TË MIA TË PARA”

“STIMULUESIT E BOTIMEVE TË MIA TË PARA”

Ndoc Gjetja/

Si mirënjohje në 89-vjetorin e lindjes së DRITËRO AGOLLIT

“STIMULUESIT E BOTIMEVE TË MIA TË PARA”

Që në vitin e parë të universitetit, miku im dhe poeti RUDOLF MARKU, shfrytëzoi rastin e njohjes me poetin FATOS ARAPI, për t’i dhënë atij të lexojë një fletore me poezitë e mia. Kjo fletore u bë shkak që poeti i shquar të më thërrasë në Tiranë. Një natë më parë se ta takoja, nuk kam vënë gjumë në sy nga gëzimi. Nuk e kisha përfytyruar kurrë se mund të vijë një ditë që unë të njihesha e të çmohesha për provëzat e mia poetike nga njëri prej tre figurave më të njohura të letërsisë së re shqipe. Unë deri në moshën 25 vjeç s’kisha qenë ndonjëherë në Tiranë, as kisha parë ndonjëherë ndonjë poet, bile as në fotografi.

FATOSIN e takova para Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë dhe pimë kafet te një klub aty pranë. Pas këtij takimi, mora rrugën drejt stacionit të trenit për t’u kthyer në shtëpi i ngarkuar me peshën e një gëzimi të thellë. Pastaj pata rastin të përjetoja me një gëzim të jashtëzakonshëm befasinë që më bëri Fatos Arapi, duke më botuar në revistën “Nëntori” nr.8/1970, një cikël me poezi, të shoqëruar ato me disa rreshta vlerësues, të cilët i kujtoj fjalë për fjalë: “Një djalosh trupvogël, i thjeshtë, nëpunës i kooperativës së konsumit në qytetin e Lezhës, Ndoc Gjetja është një letrar i ri pothuajse i panjohur. Po dhe në ato pak vjersha të botuara (dhe të tjerat që kemi lexuar) spikat ndjenja e ngrohtë, e pastër, shprehja poetike e një poeti në formim e sipër. Ndoci me këmbëngulje kultivon shijen e vet artistike…”.

Pak kohë pas kësaj ngjarjeje të madhe për mua, në zyrat e administratës së N.Sh.G-së ku punoja më njoftojnë të paraqitem për të folur me një njeri, i cili më kërkonte në telefon nga Tirana, e kishte theksuar enkas Komiteti Qëndror, po qëllimisht pa e përcaktuar i Partisë apo i Rinisë. Ishte zëri i shkrimtarit të njohur VATH KORESHI, redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”, i cili më njoftoi se “nesër do të iu botojmë një cikël me poezi”. Pas këtyre dy cikleve u hap rruga të më mirëpresin edhe organet e tjera të shtypit letrar.

Është përsëri Rudolf Marku ai që përpiqet e arrin të zgjerojë më tej njohjen time te shkrimtarët e tjerë. Një natë vere më vjen në darkë te shtëpia dhe më njofton se ka takuar rastësisht në Shëngjin poetin e shquar DRITËRO AGOLLI bashkë me bashkëshorten e tij, SADIJEN, tek po bënin plazh dhe se ai më thërriste për të biseduar për fletoren me poezi, të cilën Rudolfi, pa më pyetur mua, ia kish pas dhënë atë ditë. Më begenisi e më sajdisi me dashuri e përkujdesje sikur të kisha qenë autor i njëzet vëllimeve.

Në vitin 1970 pata qepur disa fletore të holla bashkë dhe me to sajova një bllok ku përmblodha poezitë që mendoja se mund të begeniseshin për t’u botuar në një libër modest. Rudolf Marku është rropatur shumë për ta nxjerrë emrin tim nga anonimati, pasi unë kam qenë tepër i ndrojtur, i mbyllur dhe i rezervuar për të bërë një gjë të tillë. Rudolfi ose Dolfi, siç i thoshim për shkurt, më është ndodhur pranë në çdo hap të jetës e të krijimtarisë sime, gjithashtu edhe unë atij, deri në vitin 1992. Pas shkrepjes së demokracisë na spostuan nga njëri-tjetri rrethanat dhe kushtet që u krijuan.

Tre a katër vjet pas shkrepjes së demokracisë takoheshim rrallë e për mall. Mes nesh u fut politika. Rudolfi ka qenë dhe mbetet shoku më i çmuar i jetës sime dhe çdo thashethem apo hamendje që bëhet në dëm të figurës së tij për shkaqe politike e ndonjë shkak tjetër unë e asgjësoj me thënien: “Edhe pa e takuar ai është aty ku ku qenë, thellë në shpirtin tim, në kujtesën time”

Dhe kështu udha e botimit u hap, më mbetej vetëm a kisha këmbë të forta për të ecur, apo do të bëja ca hapa dhe kaq e pat, siç u ka ndodhur mjaft letrarëve. Më duhej të punoja shumë e të kërkoja në jetë e në libra…
Në periudhën kur libri ndodhej në procesin e botimit më mobilizojnë për të kryer shërbimin ushtarak në repartin e spitalit ushtarak në Tiranë. Kur erdhi Rudolfi për të më parë te reparti i tregova se nuk më japin leje eprorët për të shkuar te shtëpia botuese që të marrë pesë kopjet e librit që më takonin si autor. Rudolfi këtë dëshirë timen për disa orë leje nga reparti ia thotë DHIMITËR S. SHUTERIQIT, i cili për të më ardhë në ndihmë mua e për të ma rritur prestigjin, si njeri i talentuar në sy të eprorëve, porosit shoqërisht poetin ushtarak RESUL BEDO dhe kryeredaktorin e poezisë pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” DHIMITËR FULLANI që të ndërhyjnë pranë komandantit të repartit për të më dhënë një leje ditore.

Dy të deleguarit e Lidhjes, shumë seriozë, me kapele republike e me kostume të ngrira nga hekurosja, më fusin në mes dhe i drejtohemi komandantit, të cilit sapo iu hapëm iu shkriftua autoriteti i rëndë dhe u tregua bujar me ne. S’do ta harroj kurrë këtë “kurdisje” që sajoi i ndjeri Dhimitër S. Shuteriqi vetëm për të më ndihmuar mua që sapo kisha hedhur hapat e parë në krijimtarinë poetike.

Në shtëpinë botuese, pas pesë kopjeve të librit, mora edhe honorarin për të (4200 lekë të vjetra). Dihet që shuma e parave ishte qesharake, por mua m’u duk e jashtëzakonshme. Dhjetra herë e shikoja librin, emrin tim e titullin, por me shumë vështirësi arrita ta besoj që është i imi.

Libri i parë u prit me vlerësime të shumta nga lexuesit dhe kritika e kohës. Mbi bazën e grafikut të planifikuar nga Ndërmarrja e Shpërndarjes së librit, në Lezhë erdhën 30 libra të cilët u blenë për dy ditë. Rreth njëzet kopje të tij ia dhurova miqve dhe shokëve me dedikim. Pas dy javësh kur shkova për një vizitë mjekësore në Tiranë nuk gjeta në gjithë libraritë kopje të librit tim. Ai u botua me tirazhin 1000 kopje. Ky ishte maksimumi i tirazhit në atë kohë për librat e poetëve të rinj. Poetët e afirmuar e të shquar botonin nga 3.000 deri 5.000, në raste tepër të veçanta tirazhi i tyre shkonte në 10.000 kopje.

D R I T Ë R O A G O L L I:

Pyetjes së botuesit te “Gazeta e Lezhës” Mark Simoni (27 shkurt 2000) drejtuar Dritëro Agollit se “Ju jeni nga miqtë më të ngushtë të poetëve lezhjanë, nga rrjedhin këto lidhje?” njeriu dhe poeti i shquar, do t’i përgjigjej: “Mua më ka tërhequr prej kohësh Lezha me natyrën, me njerëzit, me traditat dhe me kulturën popullore. Më pëlqenin këngët dhe vallet popullore dhe rrëfenjat e lashta, të mençura dhe të bukura. Dhe kur grupi folklorik i Lezhës fitoi çmimin e parë në Festivalin e parë folklorik të Gjirokastrës, u thashë shokëve që më ngacmonin për Lezhën: “E shikoni? Ja, cila është Lezha!” Po mua më pëlqente edhe Shëngjini me plazhin e tij, që kishte një rërë të pastër dhe të imët…Këtu njëherë, shumë vjet më parë, kur unë pushoja, në një ditë korriku, erdhi një djalë i ri, i imët dhe i drojtur, me një fletorkë me vjersha të shkruara me shkrim dore.

Ky ishte NDOC GJETJA. Unë e lexova fletorkën aty për aty në prezencë të Ndocit dhe u befasova me bukurinë poetike të vargjeve, me origjinalitetin dhe me zërin e veçantë të tyre, që nuk u ngjanin krijimeve të poetëve të tjerë. Dhe thashë me vete: “Lezha nuk duhet të ketë vetëm një poet!” Kështu, unë e mora fletorkën e Ndocit dhe e shpura në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ajo fletorkë u bë libri i parë i Ndoc Gjetjesme titull “Rrezatim” (dhe titulli ka nje histori në vete, që në libër tregohet), poetit tanimë të dëgjuar dhe të njohur nga të gjithë…Ndërkohë fillova të takoj edhe poetë të tjerë lezhjanë si RUDOLF MARKU, po edhe më vonë më të rinj si PREÇ ZOGAJN, MARK SIMONIN e me rradhë. Mua më tërhiqte dhe më tërheq poezia e juaj për ndjeshmërinë e natyrshme, për lëvizjen e figuracionit dhe për frymën humane të shprehur ndryshe poetëve të tjerë. Por më tërheq edhe ndjenja e miqësisë dhe e solidaritetit që keni.

Ndihma ime për poetët lezhjanë nuk ka qenë ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Ka qenë brenda normave të misionit qytetar të poetit. Poetët e vërtetë janë solidarë me njëri-tjetrin dhe e kanë për detyrë të mbrojnë nderin dhe lirinë e shoku-shokut. Unë, duke njohur talentin, zotësinë dhe ndershmërinë patriotike të poetëve lezhjanë, e kam thënë fjalën time në sferat zyrtare të kohës së shkuar, doemos sa kam patur mundësi. Dihet që atëherë e kanë patur të vështirë për të ndjekur studimet e larta universitare PREÇ ZOGAJ, MARK SIMONI e ndonjë tjetër. Ne insistuam dhe ata u shkolluan pavarësisht nga kriteri politik.

Vështirë e kishin për të punuar në Tiranë në redaksitë e gazetave dhe revistave edhe NDOC GJETJA me RUDOLF MARKUN. Bashkë me poetin LLAZAR SILIQI kemi ndërhyrë në autoritetet e administratës së Lezhës dhe të Tiranës për të krijuar një klimë më të mirë për ta. Dhe mendoj se vërtet u bë diçka. Kjo gjithmonë bëhej në dobi të shoqërisë. Madje për të ndryshuar opinionin e autoriteteve të Lezhës ndaj poetëve dhe krijuesve, ne përdorëm edhe metoda metaforike. Kur vinin në Lidhjen e Shkrimtarëve poetë e personalitete të huaja, unë i merrja dhe i shpija në Lezhë në takim me krijuesit e qytetit.

Kështu XHOJS LUSU, studiuese, poeteshë dhe përkthyese, figurë e shquar e kulturës italiane, takimin e saj të parë në vitet 80-të e bëri me poetët e Lezhës. E shoqëroja unë dhe i ndjeri MISTO TRESKA. Atëherë autoritetet e Lezhës thanë: “More, dale! Poetët tanë çmohen edhe nga të huajt”. Lususë poetët lezhjanë i falën edhe një lahutë.

Kur shkova në Itali më 1993 dhe e vizitova në shtëpi Xhojs Lusunë e pashë lahutën lezhjane të varur në murin e dhomës së saj. Ajo më vuri re që e vështroja dhe më tha më buzën në gaz: “Si janë ata djemtë e Lezhës?”…
____
Fragment nga sythi “Stimuluesit e botimeve të mia të para” të monografisë time “Të krijosh duke krishtëruar-Thellësia e thjeshtësisë sipas Ndoc Gjetje”. Botimet “Geer”, Tiranë, 2014.

Check Also

Dalin jashtë kontrollit shifrat e reja në Francë, mbi 30 mijë të infektuar në ditë

Në 24 orët e fundit në Francë është rritur ndjeshëm numri i rasteve të reja …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen + five =