Home / Kulture / Specialistët kritika Ministrisë së Kulturës: A e dinë agallarët që Gjirokastra është pasuri botërore?

Specialistët kritika Ministrisë së Kulturës: A e dinë agallarët që Gjirokastra është pasuri botërore?

Gjirokastra u shpall qytet muze në vitin 1961 dhe është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në vitin 2005. Por edhe pse është një qendër historike për të cilën duhet të ketë vëmendje dhe kujdes të madh për monumentet e kulturës, kjo gjë sipas specialistëve të ndryshëm nuk ka qenë sa duhet në vëmendje. Akademiku Emin Riza njëkohësisht dhe hartues i dosjes së Gjirokastrës për në UNESCO dhe dr. Latif Lazimi arkitekt, shprehen se qendra historike kërkon mbrojtje nga institucionet dhe të mos merren vendime, që e dëmtojnë atë. Për vite me radhë profesor Emin Riza dhe dr. Latif Laizmi janë marrë me monumentet e kulturës dhe kanë punuar në Institutin e Monumenteve të Kulturës, por sipas tyre vite më parë për çdo ndërhyrje që bëhej merrje vendimi i specialistëve. Akademiku Emin Riza dhe arkitekti Latif Lazimi shprehen se qendra historike e Gjirokastrës nuk pranon ndërhyrje që  e dëmtojnë, por sipas tyre përgjegjësia për banesat monument kulture që duhen restauruar është e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), ku dhe për projektin Bypass ata kanë kritika. Profesor Emin Riza kryesues i grupit të punës që bënë gati dosjen e UNESCO-s për Gjirokastrën dhe pjesë e grupit që përgatiti këtë dosje për Beratin, është arkitekt dhe njohës i mirë i monumenteve kulturore në Shqipëri dhe autor i një sërë librash mbi këtë çështje. Për qendrën historike të Gjirokastrës, ai pohon se ata që ai i quan agallarë duhet ta dinë se është edhe pasuri botërore. “Monografia e parë që unë kam bërë për monumentet e kulturës për banesën popullore është qyteti i Gjirokastrës. Për Gjirokastrën duhet të merren specialistët. Po bëj një krahasim. Kur shkon të rregullosh këpucët nuk i thua ti këpucarit se pse je kryeministër apo ministër se si ti rregulloi, por kur vjen puna te monumentet e kulturës të gjithë bëhen specialistë. Qendrat historike duan specialistët, monumente e kulturës janë të përcaktuar dhe duan specialistët e fushës së trashëgimisë kulturore. Zonat muze të mbrojtura janë të përcaktuara, problemet janë të qarta. Gjirokastra është pasuri botërore. E dinë agallarët, që është pasuri botërore Gjirokastra?”, shprehet akademiku Riza.

Monumentet prioritet

Në reagimin e tij akademiku Emin Riza thekson se prioritet duhet të jenë monumentet e kulturës, mirëmbajtja dhe ndërhyrjet restauruese. Sipas akademikut duke qenë se Gjirokastrës është pasuri botërore, se si bëhen projektet si Bypass duhet të jetë në dijeni dhe UNESCO. “Ku do të dalësh me Bypass? Do të dalësh në cepin lindor të Gjirokastrës, që është pjesa më e parëndësishme dhe më pas do të vish në qendër, se nuk ka kuptim. Çdo ndërhyrje në Gjirokastër duhet të jetë dhe me dijeninë e UNESCO-s, është edhe pasuri botërore. Një projekt si Bypass duhet parë me shumë kujdes. Po institucionet tona sot? Po ne nuk kemi institucione. Gjirokastra duhet të ruhet si qendër historike, të bëhen ndërhyrjet që duhen pa e dëmtuar. Gjirokastra kërkon restaurime të monumenteve, etj”, shprehet akademiku. Problemet në fushën e trashëgimisë kulturore për arkitektin  Latif Lazimi janë në fillim përgjegjësi e institucioneve, që merren me ruajtjen dhe restaurimin e tyre. Edhe pse arkitekti Lazimi shprehet se projektin Bypass nuk e di, ai thekson se Gjirokastra është asuri botërore dhe nuk mund të bëhet çfarë duan. “Nuk e di projektin Bypass, por për qendrën historike të Gjirokastrës tashmë pasuri botërore nuk mund të bëjnë çfarë të duan, sepse është në mbrojtje të UNESCO-s. Duhet marr mendimi i UNESCO-s. Edhe me ligjin shqiptar për trashëgiminë kulturore, në qendrat historike infrastruktura ruhet origjinalja dhe nuk mund të ndërhysh ta transformosh sipas dëshirës. Në Gjirokastër mbetet probleme mirëmbajtja dhe restaurimi i banesave monumente, të cilat për ditë po rrënohen dhe po humbim monumentet shekullore nga mos mirëmbajtja”, shprehet Laizimi. Në reagimin e tij dr. Latif Lazimi ndërsa thotë se Ministria e Kulturës dhe IMK sot IKTK janë kryesorët për qendrën historike, thotë se Bypass si projekt e shqetëson. “Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë përgjegjës ligjore për ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore. Patjetër më shqetëson projekti Bypass, sepse prek infrastrukturën e qendrës historike”, thotë Lazimi, arkitekt. Ajo çka e bën Gjirokastrën goxha të njohur janë vlerat arkitekturale të ndërtimit të shtëpive dhe kalldrëmeve. Këtu mund të vizitohet qendra historike, pazari unikal, kalldrëmet e tij karakteristike, kalaja madhështore, etj.

Check Also

“Vitet e Pritjes”, sot premiera botërore e versionit të restauruar

Sot shfaqet premiera botërore online e versionit të restauruar të filmit artistik “Vitet e Pritjes” …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + seventeen =