Home / Kulture / Sot, poeti dhe vëllai im, Luigj Çekaj,e mori jetën me vete dhe dha shpirt

Sot, poeti dhe vëllai im, Luigj Çekaj,e mori jetën me vete dhe dha shpirt

Nga Gjekë Marinaj-

Të dashur miq,

Dita e djeshme regjistron disa nga orët më të vështira të jetës sime. Poeti dhe vëllai im, Luigj Çekaj, e mori jetën me vete dhe dha shpirt në një nga spitalet e Nju Jorkut. Kur një poet vdes, diçka vdes jo vetëm brenda meje por dhe brenda të gjithë poetëve të tjerë të botës. Luigji nuk ka vdekur, sepse ishte poet dhe, siç e kam thënë diku në një poezi timen, poetët nuk vdesin por thjeshtë kalojnë në orën e 25të të ditës.

Megjithatë, gjithmonë kam qenë i bindur se Luigji nuk e kishte frikë vdekjen. Gjatë jetës së tij plot dashuri dhe vuajtje ai qe kacafytur disa here me të. Në fakt, unë mendoja të kundërtën, gjithmonë mendoja se Vdekja e kishte frikë Luigjin. Ai e luftonte atë me dashuri, me një dashur të skajshme të pranuar dhe të dhënë.

Luigji gjithmonë gëzonte brenda vetes dashurinë e pafundme të Violetës, zonjës së tij të pashembullt për ndershmëri dhe dashuri familjare e bashkëshortore. Askush më mirë se ai nuk e shijonte rëndësinë e dashurisë që vajzat kanë për prindërit, kur Enkolana e Justina bëheshin buqetë dashurie dhe ndjenjë krenarie në prehrin e tij. Luigji e kalonte ditën i fuqizuar në shpirt me dashurinë e djalit të tij të vetëm, Terensit, si babai më i lumtur i botës. Pastaj, dashuria engjëllore e vajzës së Enkolanës, Scarletës së vogël, e bënte me flatra poetin e madh në jetë dhe në penë kur luante me të dhe e këshillonte që “ai të bënte një vizitë te doktori” kur nuk ndjej mirë me shëndet. Apo Ace, djali i sapolindur i Justinës, ndoshta buzëqeshja e fundit në sytë e Luigjit, buzëqeshje për të cilën ai priti deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai gëzonte një dashuri të veçantë edhe nga dy dhëndrit e tij të dashur Kristiani dhe Valmiri. Luigji gjithmonë ndjehet vëlla më vëllezër, ngaqë George, John, Martini dhe Pllumi i gjendeshin gjithmonë pranë. Dhe motrat e tij shumë të dashura, Angjelina, Kristina, Maria, Elizabeta, Palina, Anka, Lucia dhe Magdalena i jepnin atij nder dhe krenari me praninë e tyre në momentet me të bukura dhe më të vështira të jetës. Po ashtu edhe Nikolla, daja i dashur dhe i respektuar i Luigjit, i cili gjithmonë e mësonte “kurrë mos fol keq se vjen e të mësohet goja…” Dashuria e sinqertë e miqve edhe kolegëve të shumtë, nga kudo ku ka shqiptarë në botë, e bënin të çohej e të merrte jetë sa herë që furtunat e jetës e hidhnin përdhe. Veçanërisht Astrit Tota, i cili gjithmonë gjendej në anën tjetër të telefonit me Luigjin. Poezi e tij dhe e të tjerëve si dhe lexuesit e tij shumtë i jepnin atë ndjenjë që e bën njeriun ta dojë jetën me gjithë forcën e pasionit njerëzor.
Por Luigj Çekaj kishte plot dashuri edhe për të dhënë. Ai e donte jetën sepse brenda saj ziente dashuria e pastër dhe e pakufishme që kishte për familjen, miqtë, kolegët, shqiptarët dhe njerëzimin anë e mbanë botës. Ai e shprehte dashurinë e tij në sofrën e bukës me familjen, në tavolinën e kafesë me miqtë, në poezitë dhe prozën e tij të mrekullueshme me botën.

Ndaj them se vdekja ia kishte frikën Luigj Cekajt, pikërisht sepse e luftonte atë me dashuri të pakufishme të pranuar dhe të dhënë. Mbi të gjitha ia kishte frikën sepse Luigj Çekaj ishte një poet më i dashur, më i mençur, më i thellë, më trim, dhe më i rrezikshëm se vdekja për vdekjen dhe aq i çmuar sa jeta për jetën. Njerëz të tillë, poetë në çdo kuptim dhe frymëmarrje të jetës, kanë privilegjin hyjnor të kalojnë direkt nga kthetrat e jetës për tek duar e zotit. Ndoshta këshilltari i tij shpirtëror dhe frymëzuesi i devotshëm fetar Dom Pjetër Popaj, që Luigji e donte dhe respektonte aq shumë, do të ishte dakord me mua kur them se Luigj Çekaj sapo iu bashkua atyre pak njerëzve që Zoti është me fat që i ka pranë.

Qe të jem i sinqertë me ju, ndonëse gjatë minutave që po shkruaj këtë mesazh lamtumire për vëllain tim dhe poetin e dashur, nuk po i mbaj dot lotët, unë besoj se nuk është mirë të qajmë apo të pikëllohemi pafund, por të celebrojmë imazhin e tij njerëzor e poetik dhe të gëzojmë për gjithçka të çmuar që na la mbrapa si njeri dhe si poet. Sepse shpirti i Luigj Çekaj është aq i madh dhe aq i pastër sa vetë paqja ka plot vend që pa derte të pushojnë mbi të dhe të lahet me ar nën dritën e tij.

Lamtumirë vëlla! Lamtumirë poet! Lamtumirë Luigj Çekaj! Miqësinë do ta vazhdojmë edhe atje ku je sot, por duhet të na presësh deri sa secilit prej nesh t’i vijë dita ashtu siç të edhi ty. Të na presësh ashtu siç po të pret ty, babai yt i dashur Kola dhe nëna jote e dashur Gjystja, të cilës me aq dashuri i drejtoheshe jo vetëm me fjalën Nënë por edhe me metaforën e spikatur “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”.

 

Check Also

Dokumentar për gratë e persekutuara nga diktatura në Shqipëri

Periudha e komunizmit në Shqipëri nuk kurseu as gratë dhe fëmijët. Janë 450 gra të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 + 7 =