Home / Aktualitet / Sot Kuvendi i PD, 7500 delegatë të partisë zgjedhin Këshillin Kombëtar

Sot Kuvendi i PD, 7500 delegatë të partisë zgjedhin Këshillin Kombëtar

Shtatë mijë e pesëqind delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike mblidhen sot për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike.

Kryesia e selisë blu miratoi në seancën e kryesisë dy ditë më parë listën e plotë të kandidatëve me 600 emra, nga të cilët në fund do të zgjidhen 300 anëtarë. Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ish-sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani, dhe kryetarin e këshillit, Bujar Nishani. Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht.

Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillin Kombëtar apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD. Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e kryesisë.

Përmes tyre, Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve. Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. “Kuvendi Kombëtar nis mbledhjen në orën 11:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Procesi i votimit hapet në orën 12:00 dhe përfundon në orën 16:00. Procesi i numërimit fillon në orën 18:00 në selinë qendrore të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ngarkohet sekretari i përgjithshëm për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

“Pas konfirmimit të urdhrit nga Kuvendi Kombëtar ngarkohet Komisioni i Drejtimit të Punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe anëtarët e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zbatimin e tij”, thuhet në axhendën paraprake të miratuar nga kryesia e PD-së.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së do të çelet nga kryedemokrati Lulzim Basha, ndërkohë më pas axhenda parashikon që 19 drejtuesit politikë të mbajnë fjalën e tyre, duke folur nga 10 minuta. Në kryesinë e dy ditëve më parë, kryedemokrati Basha ka porositur drejtuesit politikë që të flasin vetëm për atë që ai e quan masakër zgjedhore.

EKIPI I RI

E sigurt është që muaji korrik nuk do të jetë i qetë brenda demokratëve. Kryedemokrati Basha planifikon që deri në fund të këtij muaj të bëjë ndryshimet e nevojshme edhe në kryesinë e PD-së, sekretariatet apo edhe nënkryetarët. Do të jenë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar që do të bëjnë zgjedhjen e kryesisë së re apo edhe të sekretarëve apo nënkryetarëve.

Ndërkohë, ndryshimet e reja do bëhen sipas statutit me ndryshimet e propozuara nga kryedemokrati Basha që pritet të miratohet sot. Statuti i ri parashikon një kryesi të PDsë më të zgjeruar, më shumë sekretarë dhe më shumë nënkryetarë të PD. Ndërsa për emrat ende deri tani nuk ka informacione. /Panorama.al/

Check Also

Aksidenti tragjik në Kosovë, Kurti: Lutemi që të kemi sa më pak viktima

Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku si pasojë e përmbysjes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 15 =