Home / Kryesore / Sot 76 vjeç, Ibrahim Rugova kritiku i letrave shqipe

Sot 76 vjeç, Ibrahim Rugova kritiku i letrave shqipe

Alda Bardhyli
Nderim për estetin në datën e lindjes!
Në bulevardin Saint-Michel, Ibrahim Rugovës i pëlqente të endej deri pas mesnate duke vështruar libraritë. Kur dera e madhe e tyre ishte e mbyllur, ai përfytyronte si mund të ishte jeta e mijëra personazheve në errësirë. Ishte 32 vjeç. Në vendin nga vinte libraritë ishin të vogla dhe asnjëherë nuk mund të gjeje dy në të njëjtën rrugë. Por Parisi ishte ndryshe, për djaloshin me trupin e imët, veshur me pantallona teritali, në portretin e të cilit dalloheshin xhamat e mëdhenj të syzeve. Parisi kishte zgjuar ndjesi e këndvështrime të reja jo vetëm të vështruarit të letërsisë, por edhe botës. Ishin mijëra mendime që i kalonin në mendje teksa me duart në xhepa ecte duke ëndërruar në mesnatë. Paradite ai ishte ndalur në librarinë Joseph Jibert dhe në raftet e pafund të librave kishte pikasur një stendë për fjalorët shqip, por që nuk kishte më. Në këtë qytet të Europës kishte njerëz që ndaleshin për të blerë një fjalor të shqipes. Kjo i ngjallte një ndjenjë të fshehur krenarie, teksa shihte në sytë e vizitorëve të tjerë të kësaj librarie, e hidhnin vështrimin për nga ky raft. Mbajtja e librave gjatë në duar, duke i shfletuar ishte një zakon i hershëm, qëkur kishte zbuluar tërheqjen ndaj leximit. Ndaj orët e kaluar nëpër librari duke shfletuar libra, i ngjallnin një lloj përmbushjeje që nuk mund ta gjente në asnjë vend tjetër. Mes tyre do të pikaste disa libra për Xhojsin, një prej shkrimtarëve të tij të dashur. Por bursa modeste e bënte të mendohej gjatë para se të blinte një libër. Në Paris s’mund të jetosh vetëm me libra. Por teksa shfletonte librin e Mathew Hodgart për Xhojsin do të lexonte, se ai shkruante se në veprën e tij të fundit Fennegans Wake kishte përdorur fjalë e shprehje shqipe. Kaq do të mjaftonte që Rugova të niste hulumtimin e tij mbi këtë argument, në vendin ku informacioni ishte i lehtë për t’u marrë. Kërkimin do ta vazhdonte në Bibliotekën Kombëtare (Bibliotheque Nationale) dhe Qendrën Kombëtare Zhorzh Pompidu (Centre Nationale Culturel Georges Pompidou), që në formë të popullarizuar i thonë Bobur (Beabourg), më shkurt në bibliotekën publike të informacionit të kësaj qendre, ku mundësia e informimit kulturor e shkencor ishte e organizuar në formë dhe me mjete më moderne të informatikës dhe punës së drejtpërdrejtë me librin. Rugova do të kalonte ditë të tëra për të studiuar veprën e Xhojsit, por për të kuptuar më mirë punën e biografit të njohur të Xhojsit Hodgart për këtë vepër. Që në vitin 1964 Hodgard kishte botuar një studim me titullin “Word Hoard (Albanbian, Kiswahili and Basque). Pastaj, më vonë më 1978 kërkimet e tij për gjuhën shqipe i jep në libër”. Hodgarti konstaton se Xhojsi fliste frëngjishten, gjermanishten dhe italishten, pjesërisht norvegjishten e latinishten klasike dhe greqishten e vjetër, por ai përdori fjalë edhe nga hebraishtja, arabishtja e kinezishtja, si gjuhë të mëdha kulturore, po me të njëjtën masë edhe nga shqipja dhe armenishtja. Ne nuk patëm mundësi ta kemi studimin e veçantë të Hodgartit që e botoi më 1964, që me siguri flet më gjerësisht për këtë çështje”, do të shkruante Rugova teksa kujtonte këtë hulumtim. Te Finegani, Xhojsi përmend etnopsikologjik shqiptar Malësi: “Neve nuk na duhet të na pengojë të shënojmë se më shumë se gjysma e linjave, që shkojnë veri-jug në drejtimin e Nemcës (Gjermanisë) e të Bukarahast (Bukureshtit), si dhe ato që shkojnë nga Perëndimi në kërkim të Malazies e të udhës Bulgarad, fort mirë bën të krahasohen me shkrimin (shqipen) e inkunabulave tjera, po kjo i përmban pikat e veta kardinale, përkundër të gjithave”. “Kjo dëshmon se Xhojsi fjalët dhe shprehjet shqipe i kishte marrë nga libra të vjetër. Termin Malësi që e jep në origjinal, siç thotë edhe Mekhag që e identifikonte të gjuhës shqipe, Xhojsi e kishte nxjerrë nga inkunabula, pra librat e epokës së parë të aplikimit të shtypit, para vitit 1500. Pra mund të jetë ndonjë libër i shkruar në shqip apo në gjuhë tjetër, ku përmendet në origjinal Malësia, që ne nuk e njohim në historiografinë tonë. Kjo mbetet çështje që do kushtuar vëmendje në të ardhshmen”, shkruan Rugova. Xhojsi ishte vetëm një nga ngjarjet që do t’ia bënte më të bukur qëndrimin në Paris. Pas përfundimit të Fakultetit të Letërsisë shqipe në Prishtinë për një vit 1976-1977, Rugova qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Shkenca e teorisë ishte ajo që prehu ndoshta liderin e ardhshëm tek ai. I saktë dhe i thellë në gjykim, i ndjeshëm si çdo njeri që merret me libra, ai e la veten të lirë, për t’u rrëmbyer nga kjo shkencë që nga Parisi do zhvendosej më pas në një vend të trazuar siç ishte Kosova. Me kthimin në Prishtinë ai do të botonte sprovën e parë letrare të quajtur “Kah letërsia” më 1978. Titulli duket sikur paralajmëron kahjen e pakthyeshme të rrugëtimit të tij artistik. Një vit më vonë, bashkë me kritikun dhe mikun e tij të mirë, Sabri Hamiti, ai boton “Kritika letrare” duke studiuar dy autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, arbëreshin Jeronim De Rada, dhe poetin që u nda nga jeta shumë shpejt Migjenin. Në një kohë kur rrugët me Shqipërinë për Kosovën ishin të mbyllura, përmes letërsisë ky teoricien i ri përçonte bashkimin. Në zgjedhjet që bënte, dukesh e projektuar e ardhmja. “Strategjia e Kuptimit” është një vepër e tij në vitet ’80, dhe në vitet 1982 do të qëndronte gjatë në veprën e Pjetër Bogdanit. Studimi “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” botuar më 1986, do ta vendoste Rugovën në rreshtin e parë të mendimit shqip. Ky do të ishte i pari studim i këtij lloji, për rrugën e zhvillimit të kritikës sonë letrare. Rugova e nis studimin me vitin 1504 pikërisht vit ku shënjon dhe një ngjarje për letrat shqipe. Botimit të “Rrethimit të Shkodrës” nga Marin Barleti. Ndërsa fillimet i përkasin Bogdanit dhe Barletit, më pas fillon lundrimi në rilindjen tonë kombëtare përmes De Radës, Konicës, Gurakuqit, për të mbërritur te Dhimitër Shuteriqi, Kris Maloku, Branko Mexhanit, Eqrem Çabej… Që me kritikën letrare Rugova e shihte Shqipërinë e madhe, duke vendosur në hartën e kritikës shqipe autorë që diktatura në Shqipëri i kishte ndarë. Në studimin e kritikës shqipe, ai e bënte bashkë Çabejin e Kutelin, me autorë nga Kosova. Është interesante të lexosh mendimin Rugovian përmes titujve të librave që ka shkruar. Në vitin 1987 ai boton studimin “Refuzimi estetik”, si për të paralajmëruar një refuzim të brendshëm që do ta çonte dy vjet më vonë në krye të një force politike, nga ku më pas do të niste një rrugë tjetër drejt projektimit të asaj që sot është realitet pavarësisë së Kosovës. Ky do të jetë dhe libri i fundit studimor që ai botoi në kapërcyell të fijeve të holla që ndajnë kritiku nga politikani. Më pas gjithë bota e tij letrare u shndërrua në një skenë ku personazhet ishin një sfidë dhe idetë dukeshin larg konsolidimit. Por një njohës i mirë i gjuhës së artit, Rugova, diti të ecte përmes estetikës, për të krijuar atë çfarë sot ne e quajmë mendimi Rugovian, për t’u kthyer në një ikonë të zhvillimeve në këtë kënd të trazuar të Ballkanit. Estetika e kishte përsosur shijen dhe forcën e tij për t’ia dalë. “Kërkimi i tij letrar nis nga bashkëkohësia për të shkuar më thellë në të shkuarën. Nga krijuesit e brezit të vet ai arrin tek Anton Pashku e Ismail Kadare, nga këta te Naimi e Fishta e nga këta te Pjetër Bogdani, madje në fund te Gjon Buzuku. Jo vetëm se interpretimi shkon pas letërsisë, po pse letërsia është kulturë e trashëgim dhe duhet të shkohet nga degët te rrënjët. Ky është paradoksi i madh i dytë. Prandaj studimi i tij Vepra e Bogdanit (ndoshta kryevepra e tij) e lexon një tekst të kaluar si një tekst të tashëm”, thotë një nga studiuesit më të mirë të veprës së tij, Sabri Hamiti. Sipas tij, “projekti i tij i pambaruar, mbetur në nivel të skicës, ka të bëjë me antikitetin arkishqiptar. Pasi Ibrahim Rugova metodën e shihte si strukturim të shumë zërave, të polifonisë”.
Rugova është një nga projektuesit e kritikës moderne shqipe, në kushtet kur kjo kritikë në hapësirën tjetër (atë të Shqipërisë) ishte nën ndikimin e censurës. Dhjetëra libra të lënë nga ai janë shkolla më e mirë nga ku mund të ecë sot teoria e letërsisë. Nën ndikimin e profesorit të tij, Roland Barthes-it, ai ngriti shkencën letrare në një nivel europian.
Alda Bardhyli

Check Also

Dosja e aferave/ Mafia e uniformave të Policisë së Shtetit në veprim

Zyrtarët e lartë të ministrisë së Brendshme e të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

thirteen − thirteen =