Home / Aktualitet / Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho për herë të parë përballë publikut grek
Madama Butterfly Ermonela Jaho as Cio Cio San Photo by Bill Cooper

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho për herë të parë përballë publikut grek

Ka ardhur më në fund dita që publiku sa konservator aq edhe artdashës grek të mrekullohet nga një shqiptare ikonë e vërtet e artit botëror, siç konsiderohet tashmë.

Greqia, megjithë të dhënat e pandemisë në rritje dhe shtrëngimin e përditshëm të masave mbrojtëse ka shtruar tapetin e kuq, me një mikpritje tepër të ngrohtë e të denjë, në vizitën e parë, e siç deklaroi, të shumëpritur në tokën helene. Gazeta e madhe historike “To Vima” i dedikon kopertinën e revistës më të madhe të vendit “BHMAGAZINO”, me titull vetëm emrin të shkruar siç është në gjuhën shqipe, pavarësisht se lexuesi i thjeshtë do duhet të shfletojë në brendësi për të zbuluar shqiptimin e saktë. Përse jo, artistja e madhe shqiptare nuk ka nevojë as këtu për prezantim! Ndërsa, për komunitetin shqipfolës në Greqi, që si dhe emigrantët e tjerë rrallë e më rrallë bëhen pjesë e lajmeve televizive, e diela e 20 shtatorit mbarte një minutazh tregues të kapitullit të ri që e ndjejmë se më në fund është hapur.

Menjëherë pas transmetimit të intervistës së kryeministrit Edi Rama në emisionin e drejtëpërdrejtë “Mega Fundjavë”, pa asnjë koment provokues, por me respekt e shumë dashamirësi, moderatorët u shprehën se do të mbeten në tema nga Shqipëria pasi një artiste e madhe shfaqet për herë të parë në Athinë.

Kryeredaktore e revistës “BHMAGAZINO” në lidhje të shkurtër promovoi kopertinën dhe u referua me superlativa në intervistën e siguruar me divën shqiptare, duke theksuar me keqardhje se ky debut vjen me shumë vonesë. Këto ndoshta detaje për komunitetet diku tjetër, apo edhe shqiptarët brenda territorit, por hapa gjigandë për këtu, që vetëm komuniteti shqiptar në Greqi mundet t’i perceptojë në dimensione të sakta.

Intervista mbresëlënëse dhënë në New York për gazetarin grek, Kosmas Vidhos, pak para se të arrijë në Athinë, përshkruan hap pas hapi se si Ermonela Jaho, nga një nxënëse e vogël me një zë potent në shkollat muzikore të Tiranës arriti të pushtojë skenat më prestigjioze e të jetë sot sopranoja më e vlerësuar në botë (The Economist).

Fragment nga intervista

“Le të jemi të sinqertë, publiku do gjak dhe artisti gjatë interpretimit të një roli është sikur jep gjak. Ndoshta dëgjohet pompoze, por pikërisht nga ky këndvështrim prek rolet, si një akt sakrifice” thotë Ermonela Jaho ndërsa gazetari grek komenton se është mëse e vërtet, të gjithë sa kanë ndjekur shfaqje të sopranos, akoma edhe në youtube, mrekullohen nga ajri magjik që përcjell, jo pa arsye konsiderohet singing actresses (aktrim dhe arie) më e madhe e epokës tonë.

Në Athinë Jaho do të interpretojë në skenën e re të Operas dhe Baletit grek të inaguruar kohët e fundit rolin e saj më të madh, “Madame Butterfly” e Puccinit.

“Një jetë si përrallë përshkruan Ermonela Jaho në intervistën e parë. Fëmijë akoma, pas një shfaqje të Verdit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë vendosi të bëhet primadonna si idhulli i saj Maria Kallas. Me mbështetjen e përhershme të prindërve, arriti të studiojë e të realizojë ëndrrën, ndërsa vetëm 19 vjeçe u gjend në Itali, plot enegji, vullnet e energji krijuese, por edhe vetëm, pa para, në një ambjent konkurrues dhe tepër të ashpër. Merr pjesë pa ndalim në konkurse ndërkombëtare, fiton vlerësime e trofe, impresionon vazhdimisht publikun dhe kritikët që ndjekin me adhurim këtë vajzë mikroskopike, të dobët e me një zë lirik kaq delikat, që sapo ngjitet në skenë thjesht e sundon. Bashkëpunimet me yjet më të mëdhenj botëror ndriçojnë më shumë yllin e saj ” shkruan gazetari Kosmas Vidhos.

Rrëfimi plot sinqeritet çarmatosës, me vetë-sarkazëm, optimizëm dhe vizion me këmbë në tokë, plot këshilla të vyera për brezin e ri – që nuk duhet të frenohet kurrë, pavarësisht refuzimit që sidomos në fushën e artit është fenomen i përditshëm- për punën e studimet që nuk rreshtin, në mos shtohen me suksesin mbarëbotëror, shpalos për lexuesin grekfolës temperamentin e fortë e të admirueshëm të Ermonela Jahos. Emocionuese dhe racionale është edhe në përshkrimin e javëve të karantinës:

“Për ne artistët që gjithë jeta jonë është një udhëtim dhe një shfaqje, që jemi vazhdimisht larg familjes e të vetmuar, të fokusuar në artin tonë, prezenca e publikut është e domosdoshme, kështu që pa dashur të përdor fjalën “depresion”, karantina ishte shumë e vështirë, me shumë trishtim mësova anullimin e shtatë kontratave, përfshi debutin tim në operan “Adriana Lecouvreur”. Kështu që kur erdhi ftesa nga Greqia u përlota nga emocionet. Sado i vështirë të jetë udhëtimi im nga New York, me testimet e shumta dhe rrezikun nga covid-19, mendoj se erdhi momenti të bëj restart, të eci përpara edhe unë e të gjithë ne”.

Në mbyllje të intervistës Ermonela Jaho ndan me lexuesin grek një çast vërtet rrënqethës në karrierën, por edhe jetën e saj personale, ndërsa i përgjigjet pyetjes “Si përfundim, kur ulet sipari a ja vlen sakrifica, mundimi, gjithë ky udhëtim i lodhshëm”?:

-“Të gjitha udhëtimet që drejtojnë në dijen e si rrjedhim në zbulimin e vetvetes dhe vetërealizimin ja vlejnë. Kanë një kosto, por edhe një shpërblim po aq të madh, e nuk referohem në famën, paratë apo vetëm duartokritjen. Flas për ato momentet që të ripajtojnë me boshtin e ekzistencës tënde. Po ndaj me ju një ngjarje personale. Pak kohë para se të fillonin provat për “Suor Angelica” të Puccinit në Londër, kisha humbur të dy prindërit e mi, ngjarje që e mbaja sekret. As lot nuk kisha derdhur dot. Më dukej sikur shpirti im ishte bllokuar me hekura. Erdhi dita e premierës dhe çdo gjë vijonte normalisht, deri në skenën që tetua viziton Angelican dhe i deklaron me ashpërsi se ka vdekur fëmija i vogël i saj që rritej diku larg. Atë moment, krejt papritur, kur Angelica (roli im) qante për fëmijën e saj, brenda vetes u transformova unë në një fëmijë të vogël që qante për prindërit e humbur, që mbeti jetim. Fytyra ime u mbush me lotë! Publiku ishte i heshtur, i ngrirë, në sallë mbizotëronte një qetësi absolute. Kurrë nuk do e harroj atë moment, vështirësitë por edhe shpengimin total që ndjeva. Aty kuptova cili është misioni sublim i artistit: Zhbirimi i skutave që na dhembin. Duhet bërë! Vetëm atëherë arti përfiton vlerë!”.

(Premiera e operas “Madame Butterfly” me regji të Hugo de Ana në skenën e Operas dhe Baletit Grek është në 10 tetor, Ermonela Jaho do të interpretojë rolin përkatës në shfaqjet e datave 16, 20 dhe 25 tetor)

Check Also

U arrestua për trafik droge, vëllai i kryebashkiakut socialist i shpëton burgut

Albert Tuci, vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, i ka shpëtuar burgut edhe pse u arrestua …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 4 =