Home / Analize / Skëterra sociale që të mohon dhe ditën e Zotit

Skëterra sociale që të mohon dhe ditën e Zotit

Fatmira LOCI-
Duke kërkuar të dhëna mbi papunësinë dhe pagat e ulëta, kryelajmet që hasen shpesh, janë: “Shqipëria, vendi me pagat më të ulëta në rajon” (euronews.al); “Dhjetë shtetet me rrogat minimale më të ulëta, (albinfo.ch) ku vendin e tretë e zë Shqipëria, mbas Egjyptit dhe Venezuelës”; Sipas të dhënave të INSTAT: “Pagat në sektorin shtetëror pësuan rënie të lehtë në 6-të mujorin e parë të vitit 2020.” Po sipas INSTAT: “Shqipëria vazhdon të ofrojë pagat më të ulëta në Rajon dhe Europë”. Më tej renditen pagat mesatare mujore; Shqipëria 420 Euro/muaj, (30% më e ulët se gjithë vendet e rajonit!) Kosova 602 Euro, Maqedonia 617 Euro, Serbia dhe Bosnja 700 Euro, si dhe Mali i Zi me pagë mesatare 770 Euro në muaj.

Deri këtu ishim vetëm me raportimet mediatike dhe prej Institutit të Statistikave, nuk folëm për bizneset private, pagat minimale, punët e padeklaruara, etj., etj. Pikërisht këtu dua të ndalem, pa ju referuar shifrave të disa statistikave sipërfaqësore.
Do flas për tregun e punës në Lezhë, fasoneritë, bizneset private, kushtet që ofrojnë, pagat, kontratat…
Nëse i drejtohesh Drejtorisë Rajonale të Punësimit Lezhë për të kërkuar punë, (pavarësisht arsimit që ke) të jep tri opcione, – fabrika e peshkut, fabrika e zorrëve (nënprodukteve të mishit), fabrika e këpucëve. Qyteti ynë, me gjithë këto fasonëri e mundësi punësimi ngjan tejet normal, madje mbi normalen! Por të futesh brenda këtyre fasonerive dhe të shohësh në ç’kushte punohet, sesi trajtohen punëtorët, do skandalizoheshit. Le pastaj të marrësh një informacion më të detajuar mbi pagat, ku një pjesë konsiderueshme e punonjësve nuk marrin as atë minimalen, prej 23.088 (NET) Lekë.

Nëpër xhamat e bizneseve private has shpeshherë njoftimin “kërkojmë punëtor/e”, po hyr si një punëkërkues/e i/e thjeshtë në një kafene, restorant, kancelari, butik, dyqan, agjenci, dhe pyet për pagën, kushtet, kontratën! Vetëm aty do mësosh të vërtetat e hidhura që bien e rëndojnë mbi shpatullat e punëtorit të thjeshtë. Mundësisht preferohet të jesh me arsim të lartë, ama pagën, “ngaqë s’kanë të ardhura të mjaftueshme” s’ta japin një lek mbi minimalen. Natyrisht dhe kushtet e punës janë të qarta: 8 orë ose më tepër punë në ditë, pa asnjë ditë në muaj pushim, (veç ndonjë “zemërgjërë” t’i jep dy ditë në muaj). Kontratën e firmosin dhe vulosin vetë punëdhënësit, dhe në disa vende duhet t’ua kthesh 3.088 lekët që t’i kalojnë në bankë, se paga preferohet të jetë fiks 20.000 lekë. Nëse nuk je i gatshëm të biesh në ujdi me kushtet, pa hiç dert të tregojnë derën, se ka plot e plot të tjerë që presin e kërkojnë një punë të tillë.
Duke qënë se skamja ja ka fut thonjtë në fyt një pjese të konsiderueshme të kësaj shoqërie, detyrohesh ta pranosh atë punë, jo nga padija, po është e vetmja mundësi të mos ngordhësh për bukën e gojës, ose-ose, të marrësh arratinë si qindramijëra bashkëqytetarë e bashkëkombas të tjerë. Këtu duhet të shkelësh mbi dinjitetin tënd, aftësitë e tua, për një pagë qeshararake, ku trajtohesh pa pikë respekti e konsiderate për punën që bën. Pra, është fatkeqësi e madhe kur je e/i detyruar të bësh njërën nga këto punë, se ke familje për të ushqyer. Të nevoiten veshmbathje, ke detyrime qiraje, drita, ujë, tv, internet, etj.,etj., …pa guxuar as ta mendosh të jetuarit njerëzisht, fundjavat pushim, daljet, blerjet, vizitat apo njohjen e kulturave të qyteteve të tjera, defrimet mes miqsh. Privohesh sepse me kaq para, nuk mbyll dot as shpenzimet mujore, nuk kalon dot as urën e qytetit, le që s’ke të drejtën as të ç’mallesh me familjen apo të shijosh dritën e diellit, se puna të do çdo ditë mbi krye ose dera është e hapur për të të përzënë. Ky është shkaku, kjo është arsyeja që ta zbeh çdo dëshirë për t’ju bashkuar këtij tregu pune, dhe ç’ndodh në këtë rast? Ndodh të kthehesh në parazit, qenie e padobishme për vete, familjen e shoqërinë; të biesh në depresion; të biesh pre e kurtheve të mashtrimit, bixhozit, drogës; siç ndodh të futesh në kthetrat e krimit, aq më tepër moshat e reja; apo IKJA. Ikja aty ku së paku shpreson të trajtohesh si njeri, nëpër rrugët e Evropës, botës… Kjo është humbja më e madhe e shpresës.
Shteti, inspektoriati, tatimet etj., duhet patjetër të vënë dorë, dhe janë të gjitha mundesitë. Madje, mosndërhyrja është vepër penale dhe antiligjore. Padiskutim që është mundësia e rritjes së pagës minimale, dhe e një kontrolli të rreptë ndaj bizneseve private. Asnjë kompani, fasoneri, kafene, agjenci, kancelari, etj…nuk duhet të guxojë të paguajë nën pagën minimale. Asnjë punëdhënës s’duhet të guxojë të mos e respektojë kodin e punës, dhe të firmosë kontrata sipas qejfit. Këto biznese duhen kontrolluar që të respektohet dita e pushimit në javë, e cila shënohet në kontratë. Asgjë nuk është e pazgjidhshme, por mungesa e kontrollit nga instancat, instuticionet përkatëse shtetërore e ka kthyer në zgavër të skëterrtë këtë sektor pune. Ky rregullim mund të bëhet fare thjesht nga kushdo, me pasion, përkushtim e seriozitet, siç bëhet në çdo vend tjetër, në rajon e Evropë.

Tetor 2020

Check Also

Shkarkimi i Luan Dacit nga KPA, flet Zaçe Islami

Avokati Zaçe Islami ka qenë i ftuar sot në Fax news, ku ka folur lidhur …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × four =