Home / Aktualitet / Si të mbijetosh në një botë me lajme të rreme?

Si të mbijetosh në një botë me lajme të rreme?

Nga Elira ÇANGA-

Lajmet e rreme nuk janë një risi e kohëve moderne. Përkundrazi, kanë ekzistuar gjithnjë dhe historia e tyre është e lidhur ngushtësisht me historinë e njerëzimit. Fakti që sot ato përbëjnë një sfidë dhe rrezik real për infomimin cilësor dhe mendimi kritik të publikut ka lidhje me mundësinë e përhapjes së tyre në një numër të pafund platformash dixhitale, me një shpejtësi marramendëse.

 

Edhe pse parimet bazë të gazetarisë nuk kanë ndryshuar, janë po ato katër apo pesë që kanë qenë gjithnjë, nuk ka qenë kurrë më e vështirë sesa sot të filtrosh informacionin dhe ta verifikosh atë. Me pak fjalë, të mbash publikun të informuar në mënyrë cilësore në një kohë kur bota është e mbushur me gënjeshtra, informacione të paverifikuara, teori konspirative dhe lajme të fabrikuara.

 

Gazetaria është një e mirë publike, por në kohën e sotme ajo e vetme nuk mjafton për të mbajtur publikun të informuar. Atë publik që bombardohet përditë, në çdo orë të ditës, nga informacione pa fund, shpesh të paqena apo të kopjuara pakujdesshëm nga faqe të tjera.

 

Nuk është rastësi që prej vitesh shumë vende të Europës, por edhe të Ballkanit Perëndimor po investojnë në programe të edukimit mediatik, duke e zgjeruar konceptin e edukimit formal dhe duke menduar për forma të reja që zgjojnë interes që te moshat më të vogla.

 

Krahas shërbimeve fact-checking që synojnë verifikimin e deklaratave publike apo lajmeve të shpërndara në rrjet, një sërë nismash që synojnë angazhimin e të rinjve në gazetari dhe aftësimin e tyre në kundërshtimin e lajmeve të pavërteta apo të verifkuara janë përhapur në shumë vende.

 

Nëse nuk do të ndiqja këto ditë një webinar të organizuar nga Qendra e Medias në Sarajevë nuk do ta dija se gazeta “The Guardian” nëpërmjet fondacionit të saj ka ngritur një qendër të posaçme të edukimit mediatik që synon të arrijë pikërisht audiencën e re, madje që prej klasave të shkollës fillore.

 

Puna e kësaj strukture bazohet mbi faktin se vetëm 2 për qind e fëmijëve në Britani kanë aftësi për të menduar në mënyrë kritike lidhur me informatat që marrin. Rreth 55 për qind e tyre mendojnë se është e vështirë të zbulosh vërtetësinë apo jo të një lajmi në median sociale dhe 42 përqind e tyre nuk janë aspak të interesuar për mediat.

 

Për këtë arsye, “The Guardian Foundation” ka krijuar dy programe të posaçme: Newswise që ka në qendër të vëmendjes fëmijët 8-12 vjeç (pra klasat e shkollës fillore) dhe Qendrën e Edukimit që bashkëpunon me fëmijët mbi 12 vjeç.

 

Të dyja synojnë të afrojnë të rinjtë me median, gazetarinë dhe t’u japin atyre aftësitë e duhura për të filtruar informatat e për te menduar në mënyrë kritike.

 

Programet janë një përzierje e seminareve mbi historinë e medias, kodimit të mesazhit dhe editimit te videove në zyrat e “The Guardian” si dhe klasave online mbi edukimin mediatik. Qendra është hapur që në vitin 2002 dhe që prej këtij viti ka patur rreth 145 mijë pjesëmarrës në aktivitetet e ndryshime online dhe offline.

 

Ky lloj edukimi informal pa diskutim i vjen në ndihmë sidomos brezit të ri për te kuptuar më mirë informacionin që i ofrohet por edhe rëndësinë e medias. Ndërkohë, gjatë kurseve fëmijët dhe adoleshentët mësojnë si të shkruajnë vetë lajme, si të përgatisin një  faqe të parë në kohë reale apo si të përzgjedhin informacionin për publikun.

 

Në Itali, gazeta “La Stampa” ka përgatitur shtojca që shpjegojnë lajmet e rreme për publikun e gjerë, por edhe për target-grupe të caktuara si adoleshentët apo fëmijët.

 

Një tjetër nismë në vendin fqinj është ajo e organizatës Factcheckers, një nismë e gazetares Gabriella Jacomelli, që ka për qëllim të aftësojë të rinjtë për të analizuar informacionin dhe për të mbrojtur nga lajmet e rreme si për shembull kontrolli i adresave në web, profileve false, dyshimet mbi titujt sensacionalistë e që nuk mbështeten në shkrim si dhe lajmet e fabrikuara. Ekipi ka në përbërje gazetarë shkencorë, verifikues faktesh, zhvillues të webit dhe trajnerë edukimi.

 

Në Gjeorgji, programi “Learn to Discern” i IREX që ka në qendër edukimin mediatik nisi rrugëtimin nga bibliotekat dhe jo rastësisht me grupet që i frekuentojnë këto qendra, kanë një formim tradicional dhe një besim po aq tradicional te media.

 

Në Shqipëri, ka organizata të ndryshme si BIRN Albania apo Faktoje.al qe i janë kthyer gazetarisë bazike të verifikimit të informacionit si qëllim ne vetvete apo rubrika të ndryshme. Por, edukimi mediatik nuk është përfshirë ende në edukimin formal dhe mbetet qëllim i nismave, trajnimeve apo projekteve të ndryshme, që në fakt janë shtuar gjatë viteve të fundit.

 

Nëse organizatat do të mbështeteshin nga institucionet arsimore për ta nisur aftësimin apo edukimin mediatik që në moshat e reja, përmes platformave apo mënyrave të preferuara prej tyre, do të kishte më shumë shanse mes të rinjve për kundërshtimi e lajmeve të rreme.

 

Në të njëjtën kohë, do të kishte më shumë interes për gazetarinë si një e mirë publike, një koncept që po të mos ishte për disa gazetarë kokëfortë e kurajozë, thuajse do të ishte harruar.

 

Ky artikull është botuar në kuadrin e projektit “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizatat partnere, me ndihmën financiare të Bashkimit Europian.   

Check Also

Lajm i mirë/ Ky shtet i dhuron Shqipërisë 10 mijë doza vaksine anti-Covid

Në seancën parlamentare të Qeverisë së Kroacisë, u miratua sot një vendim për të dërguar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × three =