Home / Ekonomi / Si ndikoi pandemia e COVID-19 tek pagat, punësimi dhe shitjet për programuesit

Si ndikoi pandemia e COVID-19 tek pagat, punësimi dhe shitjet për programuesit

Bizneset e lidhura me zhvillimet teknologjike dhe programimet kompjuterike revolucionarizuan zhvillimet sociale dhe ekonomike në dy dekadat e këtij shekulli në të gjithë botën, teksa fuqia e tyre vërtetë u shpalos gjatë pandemisë COVID-19.
Profesionet e lidhura me teknologjinë dhe kompjuterin panë një rritje jo të zakontë gjatë pandemisë si në volumet e shitjes, punësim dhe paga dhe kjo qe e vlefshme edhe për bizneset e sektorit në vendin tonë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, indeksi i fondit të pagave në bizneset e programimit të kompjuterëve u rrit në tremujorin e dytë më 14.6% në raport me fundin e vitit, teksa pjesa e profesioneve të tjera panë ulje të fondit të pagave, punësimit dhe shitjeve me ritme dyshifrore.

Nga viti bazë 2015, indeksi i fondit të pagave në programimet kompjuterike është rritur me 75%. Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur, biznesi i programimit ka nisur të bëhet atraktiv pas vitit 2011, kur ambienti nisi të digjitalizohej. Fondi i pagave në këtë sektor pa rritje të shpejtë, në raport me profesionet e tjera.

Programimi i kompjuterëve pa gjithashtu rritje me 10% të indeksit të punësimit dhe rritje me ritme dyshifrore të shitjeve.

Kërkesa për pajisje teknologjike dhe programime kompjuterike u rrit në mënyrë të befasishme në ditët e fundit të muajit mars, ku për shkak të masave bllokuese, shumë punë që kryheshin në zyra nisën të ofroheshin online. Nxitësi kryesor i përdorimit të teknologjisë ishte mësimi online ku 30 mijë mësues në të gjithë vendin dhe mbi 400 mijë nxënës u duhej së paku një telefon ose një kompjuter me internet.

Gjithashtu mijëra punonjës në administratën publike dhe në kompanitë private punuan nga shtëpia, çka nxiti kërkesën për shërbime teknologjike. Bizneset që ofruan shitjet e mallrave dhe shërbimeve online kishin më shumë nevojë për punonjës IT për të menaxhuar shitjet online. Pandemia gjithashtu nxiti një kërkesë jo të zakontë për programe dhe aplikacione të posaçme që shërbenin për tregti online.

Në këto rrethana, profesionet e lidhura me mirëmbajtjen dhe funksionin e kompjuterëve panë një rritje jo të zakontë në volumin e punës. Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2019 ishte 52.4 mijë lekë, sipas INSTAT, me një rritje prej 3.5% në raport me vitin e kaluar.

Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë kaluar për herë të parë në vend të tretë për nivelin më të lartë, me një pagë mujore prej 92 mijë lekësh. Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë dhe nevoja e bizneseve për t’u përshtatur dhe për të qenë konkurrues, po i bën gjithnjë e më të kërkuar profesionistët e IT-së.

Check Also

Franca futet në karantinë/ Kaos në Paris, qytetarët dynden në dyqane dhe largohen nga qyteti përpara mbylljes

Parisi është ‘pushtuar’ nga makinat vetëm pak orë para se të ndodhte bllokimi i ri …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × two =