Home / Aktualitet / Si është të jesh i infektuar me COVID-19? Flet skulptori i njohur, i izoluar 25 ditë në dhomën e gjumit…

Si është të jesh i infektuar me COVID-19? Flet skulptori i njohur, i izoluar 25 ditë në dhomën e gjumit…

Skulptori dhe ish-drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Berti Kasi, ishte një prej të prekurve me Covid 19. Tashmë që është shëruar plotësisht, ai zgjedh të ndajë me lexuesit e ArgjiroLajm.net një rrëfim për ditët i izolimit teksa po përpiqej të linte pas virusin famëkeq, që ka kapur të papritur botën mbarë dhe që ende është një rrezik permanent për jetën tonë. Kasi tregon përjetimin prej ditës së parë e deri në fund, medikamentet që përdori dhe reagimet e njerëzve teksa e shohin si një ish-pacient i sëmurë me Covid.

Më poshtë intervista me të.

Z.Kasi si e morët vesh që ishit prekur nga Covid dhe cilat ishin shenjat e para që vutë re tek vetja?

Shenja e parë, ishte nje temperaturë e lehtë 37-37.5 gradë dhe që shkoi deri në 38 ditën e parë. Më pas zbriti në 37.5 pas një Paracetamoli. Ditën e dytë që ishte data 22 Qershor u gdhiva me një temperaturë të lehtë po 37 dhe  bëra humor me një koleg dhe mik nga Tirana (i cili rezultoi  në fakt burimi i infektimit tim) duke i thënë; mos u tremb se nuk ka vetëm Covid vërdallë pasi ai më tha se edhe ai kishte temperaturë dhe kishte bërë ndërkohë tamponin. Po atë ditë në pasdite, kolegu më thotë se kishte rezultuar me Covid. Nga ky moment të gjithë anëtarët e familjes u ndanë secili në dhoma të ndryshme dhe prej asaj dite nuk dolëm më nga shtëpia.

Si e përjetuat më pas?

Isha në pritje të rezultatit të testit. Duke qenë asimptomatik iu thoja familjarëve; po qe kështu më mirë ta kaloj, se për të hequr është. Sigurisht kur doli pozitive edhe nëna ime, u trondita shumë. Tronditje që në fakt rezultoi e kotë sepse ajo më thoshtë tërë kohës pasi unë e pyesja vazhdimisht se si ndihej: “More djalë, do më kenë ngatërruar analizat se nuk ka mundësi”. Nga ajo që kemi parë e dëgjuar, ti pret “stuhinë”, por e deshi fati dhe Zoti që të mos ishte as sa një “vesë”. Për mua pjesa më e vështirë ishte meraku se mos infektoheshin pjesëtarët e tjerë të familjes, ime shoqe, djali dhe sigurisht izolimi prej 25 ditësh në dhomën e gjumit pa dalë as në korridor.

Me çfarë jeni trajtuar gjatë kohës kur ishit në karantinë. Mund të përmendni emra medikamentesh?

Po kryesisht antibiotikë si Azithromycine, Levofloxacyne, vitaminat C dhe D, Heparinë për hollimin e gjakut, Yovita një lloj probiotiku etj, të cilat sigurisht merren për të mbrojtur sistemet jetësore dhe përjashtojnë rreziqet.

Sa ditë qëndruat brenda pa dalë fare dhe a kishte punonjës policie që ju monitoronte jashtë banese?

Kam qëndruar në izolim 25 ditë. Policia erdhi vetëm dy herë, jo më tepër. Ndoshta menduan që jam djalë i mirë.

Qarkullojnë histori dhe shpesh teori konspiracioni që Covid 19 është thjesht një grip i zakonshëm që nuk duhet marrë shumë seriozisht. Cili është mendimi juaj si person që e kaluat këtë virus?

Këto janë marrëzi! Edhe pas kaq kohësh kur kemi parë e dëgjuar shumë, nuk e kuptoj se si ka akoma  njerëz që besojnë që kjo është një lojë. Ata jo vetëm rrezikojnë jetët e tyre, por bëhen rrezik edhe për shumë e shumë të tjerë që nuk kanë këtë qasje. Covid duhet marrë seriozisht. Ndoshta unë nuk jam dëshmitari i duhur për këtë, po nga ky virus mund të presësh edhe më të keqen.

Si ndiheni aktualisht?

Është një eksperiencë ku të vihet në provë forca e karakterit dhe elementë të tjerë si tendosja psikologjike etj, pasi kur je dhe kryefamiljar të kalojnë në kokë me dhjetra skenarë. Tani ndihem mirë, por kam nevojë akoma për pak rikuperim. Nga të gjitha testet dhe analizat pas Covid, gjendja rezultoi shumë e mirë, pa asnjë pasojë mbi shëndetin tim.

Kur ndesheni me njerëz që ju njohin, a ju stigmatizojnë si një ish pacient me Covid 19?  

Njerëzit nuk më stigmatizojnë aspak, përkundrazi janë kuriozë. Këtu flas për miqtë dhe shokët, të cilët nuk më lanë asnjë minutë vetëm, madje siç thotë një miku im, më lanë si “Deda majë shtyllës”. Por njerëzit që më njohin duan të dinë si ishte si eksperiencë. Ndonjëherë më duket se me shohin si UFO. Një miku im nga Tirana më thoshte se tani mund të kandidosh për deputet edhe për të gjithë Epirin (Hahahah të mos kenë frikë ata se ishte me humor)

Si e keni shpenzuar kohën e izolimit, me çfarë jeni marrë konkretisht?

Lexoja, zhgaravisja, vizatoja, pastaj prapë lexoja, bëja ecje brenda dhonës. Muret e banesës sime janë të trasha prej guri dhe pragu i gjerë i mermertë i dritares, u bë tavolina e punës. Mësova të lexoj në këmbë, lexoja e vizatoja në këmbë. Rileximi i librit “Lufta e Dytë Botërore” i Roberto Bataias më ndihmoi ta merrja lehtë këtë punën e Covidit. Mësova për sakrificat mbinjerëzore gjatë kësaj lufte. Një pjesë të kohës siç e thashë ma merrnin telefonatat e shokëve dhe miqve të cilët gjej rastin t’i falënderoj pafundësisht. Nuk më lanë asnjë moment vetëm.

Në fund të kësaj bisede, a keni një mesazh për njerëzit teksa jemi ende në kushtet e pandemisë dhe rritjes së rasteve me Covid në Shqipëri?

Do më lejoni së pari të bëj edhe dy falenderime, të cilat shkojnë për mjeken e lagjes znj. Rajmonda Sinini, e cila telefononte edhe dy herë në ditë për të pyetur si isha. Po kështu dhe Arenc Brahimin, shefin e Epidemiologjisë në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër, i cili ka shërbyer me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Sa i përket mesazhit, siç e përmenda edhe më sipër, kjo është një situatë që do të duhet ta kalojmë dhe që duhet marrë seriozisht, pasi për fat të keq, në shumicën e rasteve njerëzit sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur. Duhet medoemos që gjithëkush për të mirën vetjake dhe të të gjithëve të zbatojnë masat antiCovid. Këtu nuk përjashtoj aspak, por sidomos entet e shërbimeve, ndaj të cilëve shteti duhet të ketë shumë vëmendje, nëse kemi një të tillë./Argjirolajm

Check Also

Ukraina paralajmëroi njohje të mundshme të shtetit të Kosovës

Kievi zyrtar paralajmëron një njohje të mundshme të shtetit të Kosovës. Paralajmërimi është bërë nga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve + 7 =