Home / Aktualitet / SI DUHEN SHPENZUAR PARATË

SI DUHEN SHPENZUAR PARATË

Për  të hapur një biznes riparimi motorësh në Itali, ju nevojiten 86 leje të ndryshme. Edhe nëse zgjidhni diçka më të thjeshtë, për shembull të shisni pica, gjërat mund të mos jenë të thjeshta për shumë kohë: biznesi juaj do t’i nënshtrohet kontrolleve nga 21 agjenci qeveritare. Nëse hyni në një mosmarrëveshje tregtare, prisni që ajo të zgjasë mesatarisht për tre vjet, dy herë më gjatë sesa në Spanjë, shkruan The Economist.
Këto fakte dhe shifra, të marra nga faqja e internetit të së përditshmes ‘Corriere della Sera’, ndihmojnë të shpjegojnë pse Italia u rendit e pesta nga fundi, midis shteteve të BE-së në sondazhin e fundit nga Banka Botërore mbi pengesat për të bërë biznes. Ato gjithashtu ndihmojnë të shpjegojnë përse samiti europian i këtij muaji zgjati pesë ditë, ndërsa shumë shtete i bënë qëndresë miratimit të një marrëveshje historike për të financuar rimëkëmbjen e BE-së nga pandemia e COVID-19.
Masa e re parashikon që Komisioni Europian të huazojë 750 miliardë euro (880 mld dollarë) për të dhënë hua për shtetet anëtare në varësi të dëmit ekonomik që kanë pësuar nga virusi, por edhe të faktit sesa kanë nevojë të modernizohen ekonomitë e tyre.
Ekzistojnë dy mënyra për ta interpretuar të ashtuquajturin projektin e Gjeneratës së Re nga BE (NGEU): në mënyrë pesimiste, duke e parë si një program që mund të nxisë një cikël të pafund furnizimi nga veriu efikas për jugun joefikas, ose si një mundësi historike për të sjellë jugun në nivelin e veriut, në mënyrë që transferime të tilla të mos jenë më të nevojshme. Italia, si përfituesja kryesore, mban një përgjegjësi të madhe.
Nuk është ende shumë e qartë sesa ndihmë do të marrë Italia. Kryeministri Giuseppe Conte, pretendon se do të jenë 209 miliardë euro: $ 81 miliardë në grante dhe 127 miliardë në kredi. Por megjithëse e drejta për hua e Italisë mund të llogaritet, shuma që do të huazojë në të vërtetë do të varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë vlerësimin e komisionit për propozimet e shpenzimeve të Italisë dhe gatishmërinë e qeverisë së saj për të marrë më shumë borxhe: huazimi shtesë për të përballuar COVID-19 e ka rritur totalin në të paktën 155% të PBB-së. Ndërsa për grante, 30% e parave nuk do të shpërndahen deri në mes të vitit 2022.
Si një kontribuues neto në financat e BE-së, Italia në fund mund të jetë e detyruar të paguajë për pjesën më të madhe të “dhuratave” falas, kur të maturohen obligacionet e lëshuara nga komisioni, megjithëse rregullat ende nuk janë vendosur. Një kundërshtim i menjëhershëm është se “katërshja dorështrënguar” (Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia) u bind falë reduktimeve të buxhetit, që mund t’u kushtojnë taksapaguesve italianë rreth 11 miliardë euro.
Gjithsesi mbetet ende një ndihmë prej 70 miliardë eurosh — pesë herë më shumë sesa mori Italia nga Plani Marshall pas Luftës së Dytë Botërore, megjithëse një vlerësim më i saktë do të ishte po të lidhnim ndihmën me madhësinë e ekonomisë në të dyja periudhat: 4.3% e PBB-së së Italisë këtë vit, kundrejt 8.3% të PBB-së në vitin 1948.
Shqetësimet
Nuk është për t’u çuditur që falë mënyrës së zhvillimit të negociatave, z. Conte fitoi lëvdata, madje edhe nga opozita — por jo nga Liga e Veriut e ekstremit të djathtë, shqetësimet e së cilës përqendrohen në faktin se ky mund të rezultojë: një “mallkim i rrezikshëm” sipas Claudio Borghi, kryetarit të Komisionit të Buxhetit të Dhomës së Ulët. Ai argumenton se, si formë e preferuar borxhi, huatë e Italisë nga Brukseli do të rrisë varësinë nga obligacionet e saj ekzistuese, duke i bërë ato të cenueshme nga paniku i tregut nëse ndryshojnë rrethanat.
Deri tani, investitorët nuk janë të shqetësuar. Që kur u miratuan fondet e rimëkëmbjes, hendeku i rendimentit midis bonove të qeverisë italiane dhe gjermane, që reflekton shqetësimet e tregut për Italinë, është ngushtuar me 14 pikë, në vetëm 1.49%. Giovanni Zanni, kryeekonomist në Eurozonë për NatWest Markets, thotë se investitorët përqendrohen në dy gjëra. Njëra është aftësia e një qeverie për të shlyer borxhet: me uljen e normave të interesit, ai parashikon që kostot vjetore të huazimit të Italisë së shpejti mund të zbresin në 2% të PBB-së.
Faktori tjetër është gatishmëria e një qeverie për të shlyer: tashmë që Lidhja Euroskeptike është jashtë qeverisë, nuk ka asnjë kërcënim që Italia të largohet nga Eurozona dhe të ndryshojë monedhë, ose të heqë dorë nga borxhet e saj. Z. Conte nuk ka kontroll absolut në detyrë, me një shumicë të vogël në Senat, dhe menjëherë pasi u kthye nga Brukseli, i kërkoi ndihmë partisë Forza Italia të Silvio Berluskonit për mbështetje shtesë. Deri në njëfarë mase, përparësitë e shpenzimeve të Italisë do të diktohen nga Brukseli. Shtete dorështrënguar mund të imponojnë vendosjen e një frene urgjente për disbursimet nëse gjërat shkojnë keq. Kjo mund të shkaktojë probleme. Vendi ka luftuar për vite me radhë kundër kërkesave për reforma strukturore jopopullore në këmbim të koncesioneve të BE-së. Por objektivat e fondit të rimëkëmbjes përfshijnë bërjen e Europës më të gjelbër dhe më dixhitale. Kjo përputhet me përparësitë e qeverisë së z. Conte, veçanërisht të Lëvizjes Pesë Yje.
Një problem i madh për rritjen ekonomike është koha që humbin italianët në ndërveprimin me shtetin. Dhe kjo kohë është rritur. Përqindja e njerëzve që raportojnë se kalojnë më shumë se 20 minuta duke mbajtur radhë në zyrat e regjistrave është rritur me më shumë se dy të tretat në 10 vitet e fundit.
Parlamenti po debaton për legjislacionin e sponsorizuar nga ministrja e Inovacionit dhe Dixhitalizimit, Paola Pisano, për të bërë të gjithë gamën e shërbimeve qeveritare të aksesueshme nëpërmjet një aplikacioni. Ajo thotë se do të kërkojë që paratë e ofruara nga NGEU të shpenzohen në përmirësimin e lidhjes dixhitale dhe arsimit dixhital, veçanërisht në jug të vendit, ku mungojnë më tepër.
Kjo ngre ndoshta pyetjen më të rëndësishme për të gjithë. Italia ilustron ndarjen që ekziston brenda BE-së, me një veri pothuajse aq të pasur sa Gjermania dhe një jug, gati aq të varfër sa Greqia. Nëse NGEU mund të përdoret për të tërhequr jugun drejt niveleve të prosperitetit të veriut, kjo do të zgjidhte shumë probleme, jo vetëm për Italinë.
Por është provuar shumë herë më parë dhe gjithmonë ka hasur të njëjtat pengesa: një mentalitet varësie nga shteti, infrastrukturë të dobët dhe krim i organizuar. Mangësitë e jugut janë gjithashtu arsyeja kryesore për rekordin e Italisë në përdorimin e fondeve të BE-së në të kaluarën. Italia nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë në të njëjtën mënyrë mundësinë e saj më të madhe në 70 vjet. Siç thotë edhe zonja Pisano: “Ky është një tren që do të kalojë vetëm një herë.

Check Also

Koreja e Veriut qëllon dhe djeg një zyrtar civil të Koresë së Jugut

SEUL, KOREJA E JUGUT – Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 5 =