Home / Aktualitet / Shteti i korruptuar, pa politikanë të burgosur për korrupsion

Shteti i korruptuar, pa politikanë të burgosur për korrupsion

Nga Lis Bukuroca-

U ndërtua një gjoja-shtet nga njerëz gjoja-politikanë, por u ndërtua aq shumë shtet, sa i konvenonte vetëm Serbisë, por jo popullit. Në atë ‘me ner me thanë shtet‘, gjykatat dhe prokuroritë ekzistonin dhe ekzistojnë vetëm për të penguar ndjekjen e korruptuarve me pushtet, ose për t’i shëlbuar ata! Domethënë, ato institucione u garantonin dhe u garantojnë shkelësve të ligjit liri dhe siguri në veprimtari, që dëmtojnë shtetin.

Liderët e partive që kanë manipuluar dhe që kanë vjedhur deri tani, janë kriminaliteti i organizuar. Ata përpiqen të duken si kundërshtarë në mes vete, por kolektivisht i trishtohen shtetit ligjor dhe, para çdo rreziku, bashkohen për ta penguar konsolidimin e tij. Se çka flasin ata, se çfarë premtojnë nuk është aspak me rëndësi, por çfarë kanë lënë pas vete dhe si i pasuruan të vetët, po! Ata tani për tani përpiqen të mbijetojnë sa më gjatë, për të mbrojtur plaçkën. Shumica prej tyre do të largoheshin nga politika, sikur t’u garantohej mosndjekja penale.

Kosova është shteti më i korruptuar në Europë, por nuk ka asnjë politikan të burgosur për korrupsion. Kanë premtuar luftimin e korrupsioni : Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe, nuk e kanë bërë kurrë! Gjëja më qesharake dhe më tragjike njëkohësisht është, kur perëndimorët kërkojnë nga kjo elitë politike të luftohet  korrupsioni! Pikërisht nga ata që janë flamurtarë të tij!

Sot „qeveris“ Hoti pa fituar asnjë votë, i vendosur nga tutori dhe pronari  i LDK-së, i cili nuk ka fituar asnjë votë dhe që nuk ka fituar asnjë zgjedhje! Partia e vetëquajtur institucionale sundon dhe manipulon me ata që i quante kapës të shtetit, hajna e të korruptuar! Në fakt votat ia vodhi qytetarit duke i premtuar se do të shkapte shtetin, por nga frika se shteti ligjor mund t’i përlante edhe ata, pranuan të kapin shtetin së bashku me kapsit.

Tutori e mashtroi elektoratin e LDK-së, e mashtroi Vjosën dhe kjo është arseja pse LDK humbi 13% të votuesve të vet. Në fakt Mustafa nuk është angazhuar kurrë për shtet të së drejtës, por vetëm për ta kapur shtetin bashkë me Thaçin! Sa herë i ka ofruar pushtet Thaçi, ai është gjunjëzuar dhe e ka tradhtuar elektoratin e LDK-së.

Dhe, në vend se të jepte përgjegjësi për humbjen dramatike në Podujevë, që është edhe tregues se çfarë e pret në zgjedhjet e ardhshme, ai drejton mllefin te ata që i gëzohen dështimit. Pra, duhet të luftohen ata që gëzohen, por jo ai që dëmtoi partinë për mungesë parimesh elementare. Despoti nuk gabon kurrë. Ai është i paprekshëm si Enveri. Fajtorët duhet kërkuar dhe duhet gjetur gjithmonë diku tjetër! Dhe, klani i tij i gjen!

Ai thotë se po rrëshqasim drejtë zgjedhjeve, por ai u trishtohet zgjedhjeve, si miu maçokut! Ai e di shumë mirë se këto zgjedhje nuk i mbijeton si pronar dhe tutor i LDK-së! Nuk është asgjë korona-virusi, çfarë do të jetë fatura që do t’i prezantojë votuesi i mashtruar dhe i tradhtuar!

Pse dëmtohet Kosova? Disa e kanë obligim ta dëmtojnë, sepse paguhen nga Serbia, ose nga agjentura tjera të jashtme. Disa e bëjnë nga injoranca e madhe dhe disa nga epshi i pakontrolluar për karrierë.

Nuk mund të gjendet një vend në botë, ku ata që quajnë veten patriotë, të kenë dëmtuar çdo gjë që ekzistonte brenda kufijve të atij vendi:

duke filluar nga kopshtet,

shkollat fillore,

shkollat e mesme,

fakultetet,

deri në Akademi!

Nuk përfundon këtu, por vazhdon dëmtimi nëpër administratë,

shëndetësi,

polici,

dhe ambasada.

As këtu nuk përfundon: ata që shtiren patriotë, që kanë fituar pozita me guximin e djeshëm dhe padijen e sotshme, nuk zgjedhin e nuk zgjidhnin këshilltarë të dijshëm, por njerëz të afërm, sa për punësim, sepse ata, ashtu-ashtu nuk ndiejnë nevojë për këshilla, ata ashtu-ashtu mendojnë se janë gjeni, si gjeniu Mustafa, i cili nënshkroi marrëveshjen për Republikën serbe, duke shkelur 23 herë kushtetutën. Dhe, pas atij akti të dëmshëm, në vend se të rrëzohej, atij i rritet pushteti!

Kosova u çlirua nga Serbia, por kjo elitë politike e shndërroi në vilajet të Erdoganit, sa ai të burgosë njerëz në Kosovës, thua se ishte në një komunë të Anadollit. Të gjithë politikanët u bënë shërbëtorë të tij dhe secili përpiqet t’i dërgojë mesazhe gaditshmërie për nënshtrim. Natyrisht se humbet simpatia, se humbet mbështetja, se dëmtohet imazhi, sepse Perëndimi nuk na çliroi nga Serbia për t’ia falur Kosovën Turqisë, por qytetarëve të saj, kombit shqiptar, i cili luftoi dhe e pagoi shtrenjtë këtë liri.

Në Kosovë funksionon diçka vetëm ku shteti i arrivistëve dhe shteti i udbashëve, nuk ka mundësi të ushtrojë ndikim. Atje janë kristalizuar tri rryma të pushtetit politik: njëri i arrivistëve shqiptarë, tjetri i agjentëve të Serbisë dhe i treti ai i neo-osmanëve të Erdoganit. Rryma  e dytë e ka pushtetin real dhe infrastrukturën më të madhe. Ajo ushqen të parën dhe të tretën! Sikur të mos ishte ashtu, nuk do t’ishte dëmtuar shteti në të gjitha fushat! Së paku jo arsimi dhe shëndetësia!

Nuk janë dëmtuar shkollat dhe fakultetet ashtu pa dashje! Ky është projekt i Beogradit, të cilin agjentët e saj me ndikim të madh në politikë, e zbatuan dhe po e zbatojnë edhe sot! Të papenguar, sepse shërbimi sekret i Kosovës nuk ka asnjë dallim nga pjesa tjetër e administratës: një formalitete vulgar, si edhe gjykatat dhe prokuroritë. Prandaj shërbimet sekrete të jashtme, me ndihmën e zvarranikëve shqiptarë, shkatërruan çdo gjë shqiptare dekadën e fundit, sa sot, shumë shqiptarë mendojnë se më mirë ishte si Krahinë Autonome në Jugosllavi dhe Serbi, sesa si shtet më vete!

Kush janë ata që e dëmtuan shtetin e Kosovës? Të gjithë politikanët nga pak, por kryesisht më Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Zbrazja e Kosovës është zbatim i projekteve serbe, kryesisht i atij të Çubrilloviqit (mbi 200.000 veta dhjetë vitet e fundit). Edhe mosfunksionimi i institucioneve shtetërore  është nevojë serbe për t’i treguar botës se shqiptarët kanë nevojë vetëm xhami, por jo për institucione publike!

Këtë gjendje katastrofale të shtetit, e vizatojnë më së miri monumentet teneqe të ditëve të fundit. Fjalën kryesore e kanë mediokritet dhe amatorët. Këtu nuk duhet përfshirë berberin shumë të aftë, që ka krijuar një bust mjaft të mirë, edhe pse i paarsimuar për skulpturë. Veprën e tij, pak njerëz do të mund ta bënin. Atij i duhet edhe pak më shumë përvojë dhe mos të zhgënjehet. Mos lejo shkurajimin nga të ashtuquajturit e të vetëquajturit intelektualë, sepse shumë fakultete tona, janë më karikatura se përmendorja e Skënderbeut si gjynah-insan, që më shumë i ngjan një predikuesi të frikësuar, që sjell një kumt  gjersa tutet edhe nga shpata e vet!

Një popull nuk çlirohet nga robëria me dëbimin e armiqve, por kur nuk ndien më nevojë për tutorë!

Check Also

Gjuha e rrjeteve sociale, moderatorja e njohur: Shqiptarët janë shumë “maniakë”

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u diskutua gjuha që përdorin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + 3 =