Home / Opinion / Shqipëria të tejkalojë presionin grek për çështjen e kufijve detarë

Shqipëria të tejkalojë presionin grek për çështjen e kufijve detarë

Akri Çipa/

Marrëveshja e dështuar e vitit 2009 duhet të shërbejë si paralajmërim për qeverinë shqiptare dhe atë greke teksa pritet rinisja e diskutimeve për çështjen e kufijve detarë në Detin Jon.
Njoftimi i muajit të shkuar i zyrtarëve grekë se shteti i tyre do të zgjeronte ujërat territoriale në Detin Jon në 12 milje krijoi shqetësim në Shqipëri.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis argumentoi se Artikulli 3 i Konventës së OKB-së për Të Drejtën e Detit e përkufizon në mënyrë eksplicite të drejtën e vendeve sovrane për të zgjeruar ujërat në 12 milje. Megjithatë, ligji ndërkombëtar thotë se në rastet kur ky rregull nuk mund të zbatohet pa ndërhyrë në të drejtat e një vendi tjetër, palët duhet të negociojnë. Teksa Shqipëria dhe Greqia ende duhet të delimitojnë shelfet kontinentale dhe zonat ekonomike eksklusive respektive në vendet afër kufirit, të shumtë ishin ata që ngritën dyshime në lidhje me kuptimin dhe efektin e njoftimit të Greqisë.

Në muajt e shkuar, Greqia arriti marrëveshje të ndara detare me Egjiptin dhe Italinë. Në mes të tensioneve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor, dy marrëveshjet i japin mundësi Greqisë për të kërkuar dhe marrë mbështetje ndërkombëtare.

Zgjerimi i planifikuar i ujërave territoriale në Detin Jon mund të shikohet si një përpjekje strategjike nga Greqia për të nënvijëzuar nevojën për arritjen e një marrëveshjeje edhe me Shqipërinë. Megjithatë, çështja është shumë më e ndjeshme dhe komplekse në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë – për shkak të vendndodhjes gjeografike të dy vendeve; të vijave respektive bregdetare; si dhe për shkak të dështimit të përpjekjeve të mëparshme. Prandaj, të dyja palët duhet të tregojnë maturi dhe mirëbesim.

Qeveritë e dy vendeve arritën një marrëveshje në vitin 2009 që shkaktoi mjaft kundërshti dhe helmoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve për shumë vite. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë deklaroi se marrëveshja ishte në kundërshtim si me praktikat ndërkombëtare, edhe me vetë Kushtetutën e Shqipërisë dhe e anulloi atë.
Marrëveshja e vitit 2009 nuk respektonte precedentët ekzistues dhe anashkalonte parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare detare. Jo vetëm që marrëveshja ishte e njëanshme dhe rezultonte në një zgjidhje të padrejtë, por ajo shkonte edhe përtej qëllimit të deklaruar për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, zyrtarët grekë refuzuan të njihnin vendimin dhe insistuan në implementimin e marrëveshjes. Ky insistim, duke përfshirë edhe hallkat më të larta të pushtetit në Athinë, krijoi tensione të panevojshme dhe kërcënoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Dështimi për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë duhet të shërbejë si paralajmërim teksa të dy vendet po synojnë rinisjen e negociatave. Jo vetëm rezultati final, por edhe konteksti dhe presioni i ushtruar gjatë procesit negociues cënuan marrëdhëniet bilaterale dhe ushqyen nacionalizmin nga të dyja anët e kufirit.
Greqia ka një traditë të gjatë në negociatat detare, ndërkohë që Shqipëria kishte mungesë kapacitetesh. Duke shfrytëzuar këtë dobësi, Greqia ushtroi presion të madh ndaj qeverisë së atëhershme shqiptare për një marrëveshje të shpejtë, duke synuar krijimin e një precedenti që mund ta përdorte në të ardhmen për delimitimin e kufijve të tjerë detarë të saj. Në atë kohë, Shqipëria po priste ratifikimin e anëtarësimit në NATO dhe po synonte aplikimin për anëtarësi në Bashkimin Europian. Për shkak të këtyre proceseve, ekzistonte perceptimi se qeveria shqiptare u ndje e detyruar të pranonte kërkesat greke për të shmangur ndonjë vonesë.

Teksa pritet së shpejti rinisja e dialogut ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, – Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka njoftuar një vizitë në Tiranë – është e rëndësishme që palët të mësojnë nga gabimet e së shkuarës dhe për të shtruar rrugën për një proces konstruktiv. Marrëveshja famëkeqe e viti 2009 tregon se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të drejtë që nuk bazohet në ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Refuzimi kategorik i parimeve mbi të cilat u negociua marrëveshja e mëparshme do të thotë që ajo nuk mund të shërbejë kurrsesi si bazë për negocimet e ardhshme.

Qeveria greke dhe ekipi i saj negociues e shtrënguan palën shqiptare për të bërë lëshime që nuk ishin konform konventës së OKB-së. Jo vetëm që marrëveshja ishte thellësisht problematike, por, gjykuar nga sot, edhe vlera strategjike e saj ishte e keqkuptuar. Teksa Greqia akuzon sot Turqinë për shkeljen e ligjit dhe precedentëve ndërkombëtarë në Mesdheun Lindor, Greqia duhet të jetë më e investuar se kushdo tjetër në respektimin e precedentëve të vendosur dhe refuzimin e praktikave që shkelin standardet ndërkombëtare.

Në Tiranë ka shqetësim në rritje se Greqia do të ushtrojë përsëri presion ndaj qeverisë shqiptare, sikurse ndodhi në vitin 2009. Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare në vitin 2021 dhe qeveria shqiptare është investuar për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE. Duke marrë parasysh që Greqia mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, ka shqetësime të shumta se Shqipëria mund të jetë përsëri në një pozicion vulnerabël.
Megjithatë, Shqipëria e sotme nuk është ajo e vitit 2009. Brenda vendit ka një vetëdije shumë më të madhe për këtë çështje, nisur edhe nga dështimi i përpjekjeve të mëparshme. Përsëritja e një procesi që bazohet në pozicionet asimetrike të të dyja palëve, dhe jo në parimet e besimit dhe të së drejtës ndërkombëtare, do të kishte pasoja negative afatgjata në marrëdhënien ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Prandaj është kritike që Kryeministri Mitsotakis dhe qeveria e tij të bëjnë të qartë se do presin që negociatat me Shqipërinë të respektojnë kohën e nevojshme. Teksa Greqia ka insistuar gjithmonë se ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në institucionet europiane dhe transatlantike, ajo duhet të shprehet pa ekuivoke se çështja detare është e ndarë nga rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE. Në fakt, çdo përpjekje për t’i ndërlidhur ato me njëra-tjetrën, ose me çfarëdo çështje tjetër, vetëm sa do t’i hedhë benzinë zjarrit dhe do të hapë derën për ndërhyrje të jashtme.
Përtej negociatave të drejtpërdrejta, janë hedhur dhe disa mundësi të tjera që përfshijnë dërgimin e çështjes në një gjykatë ndërkombëtare ose angazhimin e një pale të tretë për të ndërmjetësuar. Megjithatë, alternativat përtej negociatave të drejtpërdrejta janë mohim i aftësisë së dy vendeve për të zgjidhur çështjet me njëri-tjetrin dhe prandaj duhet të refuzohen.

Të dyja palët duhet të tregojnë maturinë e nevojshme dhe ta adresojnë situatën në mënyrë bilaterale dhe nëpërmjet negociatave të hapura dhe konstruktive. Pashmangshmërisht, kjo kalon përmes respektimit të precedentëve dhe ligjit ndërkombëtar.

Albania, Greece Must Reflect on Past Mistakes to Settle Maritime Borders Issue

Check Also

Djali i Remzi Hoxhës tregon 2 ngjarjet që implikojnë Sali Berishën në…

Djali i Remzi Hoxhës shprehet se babai i tij është ndodhur në vendin e gabuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

thirteen + 15 =