Home / Analize / Shqipëria nuk e ka luksin të vetizolohet e të refuzojë bashkëpunimin me Kinën!

Shqipëria nuk e ka luksin të vetizolohet e të refuzojë bashkëpunimin me Kinën!

Enver BYTYCI-

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të premten se ka marrë një letër të nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me të cilën ai i kërkon që të ndalojë përdorimin e pajisve kineze të 5G-së, të dalë nga iniciativa e bashkëpunimit të 17+1 dhe të zhvendosë ambasadën e Republikës së Shqipërisë nga Tel Aviv-i në Jeruzalem.

Kërkesa të kësaj natyre Uashingtoni ka patur ndaj Shqipërisë edhe herë të tjera. P.sh pranimi i muxhahidinëve iranianë, të cilët përfaqësojnë opozitën e Ajetollah Khomeinit. Shqipëria pranoi që të bëhet strehë e tyre, duke ngritur qendrën e banimit të refugjatëve iranianë, nga më të mëdhatë e më modernet në rajon e më gjerë. Pranimi i kërkesës për muxhahidinët nuk cënonte interesat e vendit, prandaj dhe në një analizë të fundit, opinioni publik nuk kishte pse të shqetësohej.

Por në rastin e Kinës Shqipëria duhet të bëjë kujdes. Partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA-të është themeluar në fillim të viteve 1990, nga presidentët Georg S. Bush dhe Sali Berisha. Ky partneritet strategjik arriti dy kulme në periudhën e qeverisjes së demokratit Bill Clinton dhe të republikanit Georg W. Bush. Dhe asnjëri nga këta nuk i ka kërkuar Shqipërisë specifikisht të zbatojë politikën e jashtme amerikane në diplomacinë shqiptare, përveçse në rastet kur Këshilli i Sigurimit kishte vendosur sanksione ndaj shteteve problematike për sigurinë dhe paqen në botë. Nëse Shqipëria mbështeti p.sh ndërhyrjen amerikane në Irak, edhe kjo nuk cënoi aspak interesin kombëtar të shqiptarëve.

Zoti Trump e trashëgoi këtë partneritet strategjik të Shqipërisë me SHBA-të nga paraardhësit e tij, madje filluar që nga Woodrow Wilson. Por ajo që unë ve re në këtë letër, më duket si spekullim i zotit Trump me këtë trashëgimi pozitive të marrëdhënieve miqësore e të ngushta midis të dy vendeve. Ai mund t’i kërkonte Shqipërisë ndoshta zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, sepse në këtë rast përputhen interesat e të dy palëve, pasi Shqipëria e ka parë dhe e sheh Rusinë si kërcënim për shkak të politikave anti-shqiptare të Moskës.

Por të kërkosh izolimin e Shqipërisë nga investimet kineze dhe marrëdhëniet me Kinën, kjo nuk mund të bazohet në asnjë argument në raport me interesat e Shqipërisë. Kina është nga vendet e pakta në botë krahas SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe ose Austrisë, e cila u ka dëshmuar shqiptarëve në momente të caktuara të historisë së tyre se është dhe mbetet besnike në respektimin e interesave të tyre, natyrisht kur Shqipëria ka ofruar partneritet të sinqertë në marrëdhëniet dypalëshe. Shqipëria e viteve 1960-1970 ia dedikoi Kinës dhe ndihmave të saj të jashtëzakonshme zhvillimin e saj ekonomik. Mbi 400 vepra industriale të mëdha e të mesme u ndërtuan në atë periudhë nga kapitali financiar dhe madje njerëzor kinez. Një gjë e tillë është e krahasueshme me asistencën financiare të sotme të Bashkimit Europian, donatorit më të madh për Shqipërinë post-komuniste.

kryeministri kinez Zhou Enlai vizitoi Shqipërinë në vitin 1964

kryeministri kinez Zhou Enlai vizitoi Shqipërinë në vitin 1964

Republika Popullore e Kinës nuk është trajtuar asnjëherë, madje as në periudhën e konfliktit ideologjik shqiptaro-kinez në fund të viteve 1970, si agresor potencial ose si armik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Ndërkaq Pekini investon në vendet e Bashkimit Europian çdo vit miliarda dollarë amerikanë dhe është pranuar si partner strategjik nga ana e Bashkimit Europian. Shqipëria ka interesa të njëjta si në raport me SHBA-të edhe me Bashkimin Europian. Prandaj është e nevojshme që vendi ynë të bashkëpunojë me Republikën Popullore të Kinës së paku në të njëjtën masë sa edhe vetë Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të saj.

Bashkëpunimi i Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës është domosdoshmëri në kushtet kur vendi ynë ka shumë nevojë për investimet e huaja, me qëllim rritjen e punësimit dhe të progresit ekonomik. Konkurenca e sotme në botë zhvillohet nëpërmjet diplomacisë ekonomike. Sa më i zhvilluar ekonomikisht është një vend, aq më shumë potenciale politike çliron dhe aq më shumë partneritete fiton. Mungesa e investimeve të huaja e bën domosdoshmëri bashkëpunimin në të gjitha fushat me Republikën Popullore të Kinës, e cila nuk paraqet asnjë rrezik, qoftë dhe potencial, për Shqipërinë.

Kryeministri kinez Li Keqiang u takua me homologun e tij Edi Rama në vitin 2018

Kryeministri kinez Li Keqiang u takua me homologun e tij Edi Rama në vitin 2018

Por letra e presidentit Trump kërkon ndërprerjen e këtij bashkëpunimi. Më e pakta që mund të bëjë Shqipëria në përgjigje të kësaj letre është rekordimi i politikës së saj të jashtme me politikat e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Europian, bashkësi në të cilën ajo kërkon të integrohet. Dhe nëse presioni shtohet, atëherë qeverisë shqiptare, cila do të jetë në pushtet, i nevojitet të garantojë interesat amerikane në Shqipëri, pa marrë përsipër të garantojë interesat amerikane në botë. Kjo është formula e vetme në marrëdhëniet strategjike midis vendeve. Imponimi vetëm se shton tensionet dhe konfliktet. Një konflikt me SHBA-të i Shqipërisë dhe shqiptarëve është i frikshëm, por edhe imponimi i politikave të njërës palë shkakton trauma politike dhe diplomatike, të cilat nëse nuk shfaqen në momentin e caktuar, do të dalin më vonë në sipërfaqe.

Sot presidenti Trump dërgoi një letër për të kërkuar ndalimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës. Nesër, nëse ai thellon mosmarrëveshjet ta zëmë me Gjermaninë, do të bëjë të njëjtën gjë. A e ka Shqipëria komoditetin që të ndjekë interesat e administratës Trump në çdo gjë e për gjithçka?! Kjo është e pamundur dhe është absurde të luhet me alternativën “Nëse dëshiron miqësinë time, duhet të heqësh dorë nga bashkëpunimi i sinqertë e transparent me “armikun tim””!

Nga ana tjetër nuk jam i sigurt nëse Republika Popullore e Kinës është vërtet “armik” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e për pasojë e shoh letrën e Presidentit Trump si një kërkesë për ndihmë ndaj tij në fushatën elektorale. Pikërisht për këtë arsye nuk pres që qeveria shqiptare të përgjigjet pozitivisht, së paku para zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA. Nëse presidenti Trump e trajton atë sot si kërkesë të motivuar, nesër mundet që konjuktura të vijë në favor të një partneriteti kino-amerikan! Në këtë rast duhet menduar se në çfarë pozicioni të vështirë do të ndodhej Shqipëria ose çdo vend tjetër, i cili e ndërton politikën dhe marrëdhënien e saj me shtetet e tjera bazuar në konjukturë dhe jo në strategjinë kombëtare të saj. Nëse presidenti Trump ka rikthyer doktrinën e izolacionit të vendit të tij, Shqipëria nuk e ka luksin të vetizolohet!

Check Also

Zgjedhjet në SHBA, Tarifa: Fitorja e Biden do të ishte në të mirë të interesave të shqiptarëve

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët po marrin vendimin që do t’i japë formë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 + nine =