Home / Editorial / Shqipëria nuk duhet bërë, Shqipëria duhet zhbërë

Shqipëria nuk duhet bërë, Shqipëria duhet zhbërë

Erjus Mezini/

Kam kaq vite që bashkëbisedoj me bashkadhetarët për problemet e Shqipërisë. Një dëshirë e flaktë që i bashkon të gjithë është ajo e qeverisjes së vendit nga patriotët. Me pak fjalë, shumica e shqiptarëve duket sikur bëjnë supozimin që problemet e Shqipërisë janë menaxheriale dhe jo strukturore.

Një tjetër besim që është ngulitur fort në mendjet e shqiptarëve është që shteti shqiptar është bashkuar në trup e mendje me oligarkët e Shqipërisë dhe me ca grupe spekuluesish ndërkombëtarë që kanë gjetur fushë të lirë veprimi në Tiranë. Këtë trekëndësh të ngulitur thellë në mendjen e shumë shqiptarëve sot do të mundeshim ta pagëzonim si Trinia e Mallkuar e Rrethit të Ferrit.

Është bërë e vështirë, për shumicën e shqiptarëve me të cilët bashkëbisedoj, që të ndahet mafiozi nga deputeti, deputeti nga ambasadori, ambasadori nga spekuluesi ndërkombëtar, etj. Kemi arritur pra në një mentalitet të tillë ku në çdo bashkëbisedim e sipër të bëjmë supozime se drejtësia shqiptare është shtypje, shteti shqiptar është bandë horrash, ndërkombëtarët janë miqtë e horrave, etj.

Nuk jam në gjendje t’i vërtetoj të gjitha këto supozime, por mendjen ma vrasin disa pyetje, si për shembull: nëse shteti shqiptar është pushtuar vërtet nga oligarkët vendas dhe spekuluesit ndërkombëtarë, ç’dobi mund t’i sjellë këtij shteti një qeveri e përbërë nga patriotët? A nuk do të shkarkohej kjo qeveri brenda gjashtë muajsh? Nëse nuk shkarkohej, përveç propagandës ç’dobi tjetër do të sillnin patriotët në një vend ku burimet e pasuritë kontrollohen nga një pakicë, kurse mbështetja ndërkombëtare është në dorën e disa forcave të errëta spekuluese? Edhe në rastin kur kjo qeveri patriotësh vinte në zbatim ligje e programe rigoroze, përveç luftës ç’efekt tjetër do të kishin këto masa në një vend që kontrollohet nga horrat e brendshëm e të jashtëm?

E përsëris akoma edhe një herë që nuk jam në gjendje t’i vërtetoj spekulimet. Megjithatë, nëse spekulimet janë të sakta, ajo që mendoj është se (në një situatë kaq serioze dhe kaq të komplikuar që ato na shfaqin) është e kotë të vazhdosh të vrasësh mendjen se cili njeri dhe cila parti do ta bëjë Shqipërinë. Spekulimet Shqipërinë dhe qytetarinë i tregojnë si të zhytura në një komë të induktuar dhe në këtë rast pyetja me vend është: si ta zhbësh Shqipërinë apo si ta ndryshosh nga themelet e gjer në çati?

Një gjë që është vënë re këto tridhjetë vite “pluralizëm” të shtetit shqiptar është se pushteti dhe pasuria në Shqipëri kanë gjeografi. Nëse pushtetit dhe mirëqenies shqiptare u ndërtohej një hartë do vëresh se kanë si qendër Bllokun e Tiranës. Këtë dhjetëvjeçarin e fundit janë dëgjuar edhe zona të tjera të mirëqenies, si për shembull Dajti, Dardha dhe Bregdeti, por sido që ta bësh këto zona nuk e eklipsojnë Bllokun –ato më shumë tingëllojnë si satelite të Bllokut. Të njëjtit njerëz që njihen si çunat dhe gocat e Bllokut, janë edhe ata që kanë rezidencat më të bukura në Dajt, Dardhë e Bregdet. Rreth Bllokut sillen qendra e Tiranës, ministritë, selitë e partive, institutet, teatrot, gjithë “madhështia” e kombit. Sigurisht që (për shkak të masakrës urbanistike) është çështje kohe gjersa edhe Blloku të kthehet në një llum kryeqytetas nga ku të pasurit do të ikin në mënyrë që të vendosen aty punëtorët, të ardhurit, emigrantët dhe gjithë jetëshkurtrit e tjerë. Por ajo që do theksuar është ndikimi i madh, njolla e zezë e ziftit, që Blloku ka lënë mbi gjithë qenësinë shqiptare.
Te Blloku deputetët, artistët, shkrimtarët, botuesit dhe prostitutat e nisin karrierën. Ka shumë prostituta që u krenohen të tjerave për lidhjet dhe reputacionin që kanë krijuar në Bllok, ashtu siç ka edhe artistë plot që tregojnë histori me Bllokun. Një gjë që të bën përshtypje, për shembull, është se çdo artist, profesor a shkrimtar i respektuar në Shqipëri e ka edhe një histori me Bllokun. Ata që nuk kanë kësi historish as që konsiderohen artistë e shkrimtarë në Shqipëri. Nëse ka të tillë (që nuk janë regjur me Bllokun), janë zakonisht artistë që kanë vdekur përpara 1945ës ose shqiptarë që kanë bërë famë jashtë shtetit (në një gjuhë dhe kulturë tjetër).

Që të mos zgjatemi më tepër me historitë pa fund e njerëzve në fjalë, të theksojmë këtu se të paktën që në vitin 1945 liria dhe mirëqenia në Shqipëri kanë pasur gjeografi dhe gjeografia e çdo gjëje shqiptare duket se ka qenë e njëjta si në kohën e komunizmit ashtu edhe sot e kësaj dite. Çdo gjë që ka ndodhur dhe çdo gjë që është arritur në Shqipëri mbas vitit 1945 ka njërën ose tjetrën lidhje me Bllokun e Tiranës. Nëse ka ndonjë dallim të vogël sot është se gjeografisë së mirëqënies dhe pushtetit shqiptar i është ndryshuar përbërja kimike. Gjer dje kjo gjeografi mbushej nga Partia e Punës, kurse sot (me sa thuhet e besohet nga shqiptarët) elementit partiak i janë shtuar hajdutët oligarkë dhe spekuluesit ndërkombëtarë –në një përzierje të tillë që duhet pagëzuar si Trinia e Mallkuar e Rrethit të Ferrit.

Nëse unë apo ata mijëra qytetarë që mbështesin spekulimet e përmendura nuk jemi duke ekzagjëruar asgjë, atëhere nuk e kuptoj përse duhet të vrasim kohën dhe energjitë me dyqind partitë dhe me njëzet qeveritë që ikën e do të vijnë në Shqipëri, kur problemi shqiptar mbi të gjitha është strukturor dhe gjeografik. Ashtu si në mjekësi ku tumori luftohet lokalisht, ashtu si në kriminalistikë ku krimi dhe terrorizmi luftohen lokalisht (herë-herë duke shembur përdhe lagje e fshatra të tëra në emër të luftës kundra krimit e terrorizmit), ashtu duhet vepruar edhe me krimin e tumoret e Shqipërisë: zhbërje e gjithë strukturës së kalbur, me goditje e trajtime lokale.

Në vend se, për shembull, të kemi pesëmbëdhjetë ministri (me godinat afër Bllokut) dhe njëqind e dyzet deputetë, të mbajmë vetëm katër ministri dhe jo më shumë se shtatëdhjetë deputetë. Gjithë funksioni, personeli, buxheti (përfshi një pjesë të mirë të taksave) t’u kalojnë autoriteteve lokale, duke e decentralizuar pushtetin, ekonominë, intelektin dhe vetë përgjegjësinë qytetare. Në këtë mënyrë do të hapen shumë punë në periferi, do të depolitizohen njerëzit që dalin në rrugë çdo muaj, problemet lokale do të marrin zgjidhje lokale, qytetarët do ta kuptojnë që shteti shqiptar nuk është zoti i tyre, Tirana do të patrullohet më pak se sot, njerëz si Sandër Lleshaj nuk do të ekzistojnë dhe as do të na nevojiten fare, do të ketë më shumë oksigjen për qytetarët e Tiranës, të tjerët në Tiranë do të shkojnë për turizëm e tregti (jo për të bërë seks me deputetët e ministrat që u premtojnë vende pune), vetë partitë si PS dhe PD do t’i përkufizojmë në role menaxheriale (jo në rolin e zotit të gjithëfuqishëm ku ato e kanë vendosur veten sot), pak veta do të dëgjojnë dokrat e Lulzim Bashës dhe akoma më pak do të tremben nga dallditë e Edi Ramës. Ashtu si në mjekësi dhe kriminalistikë, problemet do të lokalizohen. Pasi të zhbëhet qendra e çdo problemi dhe tumori (Blloku i Tiranës), krimi dhe korrupsioni do të luftohen lokalisht.

Nëse nga pavarësia e madhe që do të fitojnë, udhëheqësit lokalë do zënë të korruptohen njëlloj me këta të Bllokut, do të jetë shumë më e lehtë për shtetin shqiptar që t’i mbyllë në burgje. Në televizionet shqiptare dëgjon çdo javë sesi i forti i njërit apo tjetrit qytet u fut në burg, por për ministrat shqiptarë kemi tridhjetë vjet që presim por akoma nuk e kemi parë ndonjërin në burg. Për sa kohë që e gjithë jeta publike në Shqipëri kontrollohet fort nga një grup i vogël njerëzish, askush nuk duhet të presë drejtësi e progres. Kalimi nga pushteti njëpartiak në pushtetin dypartiak nuk mund të jetë ndonjë ndryshim i madh –akoma edhe kur të gjithë gëzojmë të drejtën për të kritikuar. Ndryshimi i madh në Shqipëri do të vijë vetëm kur përgjegjësitë e puna të rindahen në një mënyrë të atillë që të zhbëhet harta e sotme (me tumorin e madh të krijuar rreth Bllokut) dhe qytetarët në çdo cep të vendit të kenë lidhje më të ngushtë me pushtetin e lokalizuar e të fillojnë të medojnë jo si subjekte të Tiranës, por si zotë të vetes. Roli i Tiranës mirë do ishte të përkufizohet vetëm në forcat e armatosura, Bankën Kombëtare, Gjykatën e Lartë dhe ndonjë agjensi anti-korrupsion si SPAK. Për të tjerat ka ardhur koha që çdo shqiptar –në çdo qytet e fshat të Shqipërisë– të ketë mendimin dhe përgjegjësinë e vet. Kujtdo që i ka qëlluar të lexojë librat e Historisë së Shqipërisë do ta ketë vërejtur se mirëqenia ka qenë shumë herë më e lartë kur pushteti mbi shqiptarët ka qenë i dobët dhe i decentralizuar. Ata që akoma presin patriotët për të zgjidhur problemet e vendit, duket se nuk e kanë kuptuar që nuk paska problem më të madh se vetë pushteti mbi tjetrin.

Check Also

SHBA-të konfirmojnë vdekjen e eksponentit të lartë të al-Kaidas

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × 5 =