Home / Editorial / Shoqëria është kanceroze…

Shoqëria është kanceroze…

Nga Balil GJINI-

Mbrëmë pashë debatin midis Zylës dhe Çurrit. Mjerim i madh! Puna arriti gjer në atë farë derexheje sa njeri i tha tjetrit t’i sillte gruan në TV dhe ai do të kryente një akt seksual publik, shëmbullor.

Në të vërtetë, si njeri, si tjetri, janë burma e vida të sistemit tonë të korruptuar e abuziv. Ata janë farë e mpiksur brenda barkut të TV-ve tona, të cilat mund t’i magjinojeni edhe si ca vagina vigane, nga të cilat lindin salmonë pendëkuq, të cilët, pastaj, pa i mbushur velëzat me frymë, nisen në kërkim ujëvarave shkumëzuese të famës, lavdisë. Por lavdia, thotë Roshëfuko, u largohet atyre që e ndjekin, dhe ndjek ata që i ikin asaj.

Ne vetë e dimë se lavdia s’është Lavdia – velina që tund vithet nëpër ekrane. Pastaj si mund të kërkosh lavdinë nga një jetë që është plotësisht e dështuar? Shumë dijetarë – nga Shopenhauri e këtej – na kanë mësuar se njeriu s’ka ardhur për të qenë i lumtur, i suksesshëm, por për ta duruar me më pak dhimbje vuajtjen. “Dështo, dështo me sukses”, thotë Becketi.

Si Çurri, si Zyla, me ç’dimë, s’kanë botuar asnjë libër, madje asnjë shkrim gazete. Me të vetmen gjë që krenohen është shkolla. A thua vallë s’e dinë se shkollat prodhojnë qenie steriotipe, brenda klisheve e standarteve, me një fjalë sardele petashuqe brenda kutive? Prandaj të pretendosh odën e filozofisë dhe të flasësh nga banga e nxënësit, kjo do të thotë se je aguridh dhe i ke buzët ende me qumësht.

Deleuse tek “Vepra minore e Kafkës”, ftillon se topografi i Kështjellës, K, shkon nga një ngjarje tek tjetra, pa ndaluar, pa bërë analiza. Ky është edhe mëkati më i madh i njeriut, mëkati i padurimit, i zanafillës. Adami dhe Eva nuk duruan gjersa Zoti t’ua zbulonte vetë frutin e ndaluar. Kësisoj virtyti i njeriut duhet të jetë jo shpejtësia, por ngadalësia. Por ka edhe një shpjegim tjetër: vetinë e përshpejtimit pa kontroll e ka kanceri. Qelizat e tij shumohem me shpejtësi të frikshme.

Mbase kështu duhet ftilluar edhe nguti i Çurrit dhe Zylës për të vrapuar me stafetën prej druri në dorë drejt majës së suksesit. shoqëria është kanceroze. Është ajo që e cyt dhe e organizon këtë garë. Atëherë s’kemi pse çuditeti që në finish të garës ajo copë druje që ata mbajnë në dorë s’është stafetë, por dajak. Madje mund të jetë edhe më keq: objekt seksual me të cilin duan të dhunojnë gratë, apo motrat e nëri-tjetrit.

Check Also

HIPOKRIZIA E RAMËS ME “DREJTËSINË QË DUAM”

Nga Xhovan SHYTI – Pak më parë kryeministri ende në detyrë, Edi Rama, ka prezantuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × five =