Home / Aktualitet / Shkarkimi i Presidentit/ Ilir Meta bën lëvizjen urgjente, i kundërpërgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Komisionit të Ligjeve

Shkarkimi i Presidentit/ Ilir Meta bën lëvizjen urgjente, i kundërpërgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Komisionit të Ligjeve

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij.

Përmes një letre të gjatë,  Meta shkruan se në asnjë prej njoftimeve përcjellë presidencës nuk jepet asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgohet, apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës, qoftë dhe referuar kërkesave proceduriale të detyrueshme për respektim nga ana e Komisionit të Ligjeve sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve pritet të shqyrtojë sot kërkesën e 50 deputetëve të PS për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Pjesë nga letra

Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak, është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e rradhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës, dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill.

Eshtë momenti, që para së gjithash, t`i risillet në kujtesë Kuvendit edhe një herë, përmes Komisionit të Ligjeve se:

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që prishi marrëveshjen e 5 qershorit 2020, dhe realizoi ndryshime të njëanshme në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, pa konsensus dhe me një procedurë të përshpejtuar, me qëllim krijimin e epërsive elektorale në një garë politike siç ishin zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe dëmtimin e opozitës së bashkuar në garën elektorale;

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që përgjatë këtyre 2 viteve ka miratuar 62 ligje antikushtetuese, duke minuar parimin e shtetit të së drejtës, kontrollit dhe balancës mes institucioneve, barazisë përpara ligjit, në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që përmes ligjeve klienteliste, ka dhënë me koncesion pasurinë publike të shtetasve shqiptarë, në përdhunim të interesave të tyre;

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që nuk ka kryer asnjë proces hetimor parlamentar, për të gjithë veprimtarinë e korrupsionit legjislativ që ka shoqëruar procesin e miratimit të ligjeve klienteliste, të posaçme, të bëra me porosi;

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që së bashku me anëtarët e tij në KQZ, realizoi votimet një partiake në 30 qershor 2019 për pushtetin vendor, pa garë, për të emëruar përfaqësuesit e tyre;

–         Është pikërisht ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që në bashkëpunim me përfaqësuesit e tij të emëruar në pushtetin vendor, prishi Teatrin Kombëtar në 17 maj 2020, përgjatë periudhës së pandemisë;

–         Eshtë ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që në këto kushte, kohë e rrethana, nuk gëzon legjitimitet për të kryer veprimtari hetimore, pasi veç të tjerave, si në asnjë vend tjetër demokratik, ky Kuvend nuk ka opozitë brenda tij!

Por gjithsesi, nëse ju mendoni se jeni të aftë, jeni në kohë dhe keni ndonjë grimcë legjitimiteti, dhe dëshironi të zbardhni vërtet krimet zgjedhore, që disa prej jush aty brenda në Kuvend kanë konsumuar, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë i bëjmë me dije Kuvendit se, mund ta filloni këtë proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse.

Lista e çështjeve që kërkojnë zbardhje është e gjatë.

Për këtë, Presidenti i kërkon Kuvendit të marrë kohën e nevojshme para se të ulen të diskutojnë bashkarisht dhe publikisht. Kjo kohë duhet të jetë e mjaftueshme për të reflektuar gjithsecili prej deputetëve paraprakisht me veten dhe t`u japë përgjigje pyetjeve:

–          Jeni të gatshëm dhe a mundeni të hetoni veten tuaj?!

–          Jeni të gatshëm të hetoni kolegët e partisë suaj?!

–          Jeni të gatshëm të hetoni mosveprimin e anëtarëve të organeve të drejtësisë që ju keni zgjedhur?!

–          Jeni të gatshëm të hetoni “shefin” tuaj?!

Kushtetuta parashikon se e drejta themelore për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, si dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë demokratik dhe secili prej nesh ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime.

Presidenti i Republikës përgjatë gjithë veprimtarisë së Tij, me qëllim mbrojtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese, ruajtjen e integritetit të këtij procesi zgjedhor, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, fakti, apo rrethane që lidhet me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, apo që përbën krim zgjedhor.

Presidenti i Republikës, në mbrojtje të këtij procesi zgjedhor me qëllim vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit zgjedhor, ka denoncuar në organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, mbi 28 denoncime, ndërkohë që ka bashkëpunuar dhe ka informuar në mënyrë të vazhduar misionin e OSBE/ODHIR, trupin diplomatik në Tiranë, për të gjithë këto kallëzime, si dhe për problematikat e tjera, apo shkeljet e ligjit, të shfaqura apo të konstatuara përgjatë procesit zgjedhor dhe fushatës elektorale.

Gjithashtu Presidenti i Republikës, ka bashkëpunuar me shoqërinë civile organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të sensibilizuar dhe për të garantuar se çdo fenomen negativ që përbën vepër penale, apo shkelje të ligjit, të evidentohet, rregjistrohet, dhe hetohet brenda një afati të arsyeshëm.

Presidenti i Republikës, për çdo rast, fenonem apo ngjarje që tregonte për rritje të konfliktit ka mbajtur qëndrime të prera, të menjëhershme, me qëllim normalizimin e situatës, dhe realizimin e një procesi zgjedhor sa më të qetë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Sa më sipër, dhe duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-ëEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.

Nëse ky ka qenë qëllimi i njoftimit tuaj, lutemi të na konfirmohet paraprakisht, orari i takimit, në rrugë shkresore dhe elektronike.

Duke ju uruar punë të mbarë!

Check Also

Si Kina dhe Rusia po përdorin fuqinë e tyre për të kërcënuar demokracitë

Nga Christopher WALKER & Jessica LUDWIG *- Demokracitë kanë hasur jo pak vështirësi, ndërsa autokracitë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 1 =