Home / Kulture / Shëtitorja e re, kjo bizhu perlash në qafën e bukur të Sarandës!

Shëtitorja e re, kjo bizhu perlash në qafën e bukur të Sarandës!

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA –

 

Ka kaluar më shumë se një vit kur në buzë detin e Sarandës mbërritën makineritë e para dhe në tërë gjatësinë e bulevardit u ekspozuan pamjet tre dimensionale se cila do ishte e ardhmja e shëtitores së re që ka hyrë në fjalorin e përditshëm si Lungomarja. Në një cep u vendosën barakat e punëtorëve. Në vende të dukshme u shpallën tabelat si për gjithë veprat e raja të mëdha. Afati i përfundimit 15 muaj. Fondi i investimit 3.9 milionë euro. Nisja e punimeve u shoqërua me zhurmë si për çdo vepër të re në Shqipëri. Kundër shëtitores u bënë protesta në emër të mbrojtjes së plazheve ende pa pasur dijeni si do ndodhte dhe duke hedhur baltë se ato do gllabëroheshin nga betoni. Debatet më të zakonshme ishin se Saranda nuk ka prioritet këtë vepër, ende nuk i ka ardhur koha për t’u bërë. Ka të tjera përparësi. Është buzëkuq. Stoli pa vlerë.

Kostum bosh. Dhe nisnin e numëronin ujin, energjinë, rrugët hyrëse e dalëse, sistemimet mes lagjeve dhe blloqeve. Ajo që e rriti më shumë debatin ishte fati i plazhit tradicional “Centralit”, ku për t`i vënë bazë kundërvënies, u interpretua se do merrte fund dhe mbi të do ndërtohej shëtitorja, duke i hequr qytetit plazhin tradicional i kahershëm, ku të gjithë kanë mësuar të notojnë në të dhe është i vetmi që ka rërë dhe jo guriçka, siç është bregdeti ynë në tërë detin Jon. Ishin një grup ekologjistësh dhe intelektualë, pronar lokalesh të cilët me të drejtë ndoshta edhe për mungesën e sqarimit dhe debatit në parim, si do ishte projekti me grupet e qytetarëve, solli mjaft paqartësi të cilat u shoqëruan me protesta dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe nën shembullin e kundërshtimit të çdo vepre të madhe në Shqipëri.

Meraku i qytetarëve dhe atyre që u grindën me shëtitoren nuk zgjati shumë pasi gjithçka u sqarua në rrugë e sipër dhe iluzionet ranë si gjethet në vjeshtë. Dalëngadalë, sarandjotët nisën të bashkëjtojnë me shëtitoren, e cila për vetë kompleksitetin që ka dhe shtrirjen në gjatësinë prej 1.2 km dhe sipërfaqe prej 22000 metër katror, nxiste tek kalimtarët e përminutshëm, shumë pakënaqësi. Secili prej qytetarëve që nuk i ndërpret shëtitjet dhe shkelnin mbi beton, kapërcenin kanalet dhe u afroheshin sondave gjigante që shponin në thellësinë e detit për të instaluar pilotat për pjesët e shëtitores që shtrihet në det. Edhe pse mes hekurave dhe pllakave të shpërndara kudo nuk e ndërprenë për asnjë minutë xhiron mbi pllakat e sapovendosura, duke u ngatërruar mes punëtorëve që nuk kishin asnjë mundësi t`i shmangnin këto ecejake pasi duhet të mësoheshin se do bashkëjetonin me kalimtarët bile dhe duhet t`i ruanin ata nga çdo e papritur që mund t’u ndodhte.

Kalimtarë e punëtorë në të njëjtin front. Punëtorët, duke punuar dhe qytetarët duke iu ngatërruar nëpër këmbë, po pa ndërprerë traditën e shëtitjeve pa fund natën e ditën. Kur nisi hapja e themeleve dhe u shkulën pllakat e vjetra të bulevardit, kritizerët nisën të anatemojnë shkatërrimin e plazhit tradicional, e konsideruan këtë si heqje dorë nga tradita dhe shkatërrim i pronës dhe vetë qytetit. Ditë përditë mbi 150 punëtorë, teknikë, inxhinierë të firmës “Fusha” me nënkontraktor, kompani vendase të betonit dhe ndërtuesve, specialistët nisën t`i japin pamje dhe ndryshojnë bulevardin. Dhe këtu nuk mbaronte kurioziteti dhe pyetjet për drejtuesit e projektuesit, të cilët ishin të detyruar t`u jepnin sqarime supervizorëve të shumtë që nuk ndaleshin pa marrë informacionin e nevojshëm për pllakat që do përdoreshin, mermerët për veshje, pemët që do mbilleshin, ndriçimin, shtyllat që do lartësoheshin, lartësia e tyre, distancat, prozhektorët që do ndriçojnë pemët e mbjella.

Projektuesit kishin llogaritur deri në detaje, stolat që do vendoseshin si dhe llojet e tyre të shtrira kudo në formë drejtkëndore apo kurabie, vendosur buzë detit. Shëtitorja është një mozaik pafund detajesh që nga koshat e derdhur në beton, vendosur në distanca gjatë tërë bregut, si dhe çezmat që i shërbejnë freskimit të kalimtarëve dhe atyre që vendosin të relaksohen mbrëmjeve apo gjatë mëngjeseve, si dhe fëmijëve që duan të provojnë patinazhin, biçikletat me bateri, të cilët lëvizin si lavjerrës cep më cep të shëtitores, duke i dhënë pamje dhe gjallëri që vetëm fëmijët mund t`ia japin një vepre të tillë që u shërben të gjitha moshave.

Duke ecur përgjatë bulevardit nga skaji në skaj me akademikun, profesorin e artit, Josif Papagjoni, e pyeta si e vlerësonte shëtitoren, larg emocionit dhe të qënit sarandiot, pa subjektivizëm, si një bir i këtij qyteti ku u lind dhe u shkollua deri në përfundim të shkollës së mesme. Përgjigjia e tij ishte vërtet befasuese. -E shikon qytetin përmbi ne, deri në mes të kodër, më pyeti. Po, i thashë e shikoj përditë. Dhe nuk është se jam shumë i kënaqur nga ndërtimet njëra mbi tjetrën, duke u fshehur atyre që jetojnë lart, detin, mbretin e Sarandës pa të cilin nuk mund të kuptohet jeta e sarandjotëve, të cilët gdhihen dhe erren me puhinë e erës që vjen nga thellësitë e Jonit, aromën dhe hidhësinë e jodit dhe kripës.

Atëherë, unë mendoj vazhdoi profesor Josif Papagjoni se kjo shëtitore zbut tërë këtë qytet dhe i jep frymëmarrje, duke na shpalosur një qytet tjetër. Nuk është, hiq pllaka, vër pllaka, është art, është kulturë, është kulmi i ndërtimtarisë së shëtitoreve, jo vetëm këtu në Shqipëri, po edhe në vende të tjera, ku unë kam qenë, si në Kroaci apo Itali. Kjo, thotë profesori do jetë kartolina me të cilën qyteti ynë do njihet nëpër botë. Do vijnë këtu me mijëra nga skajet e botës. Do e fotografojnë. Do e hedhin në Instagram. Do ta publikojnë.

Të tjerët do ta shumëfishojnë dhe të gjithë ata që do vijnë, të parin destinacion do njohin këtë shëtitore në të cilën do çlodhen, duke ecur e ndalur mbrëmjeve, duke shijuar qiellin e yjeve të mbytur në thellësitë e kaltra të gjirit të Sarandës. Është një bizhu perlash në qafën e bukur të qytetit tonë! Etiketimet për shëtitoren, vlerësimet për të nuk i kursen askush. Shtetasi amerikan, Xhimi nga Kalifornia, vizitor, ecte bashkë me një grup të rinjsh që jetojnë prej disa muajsh në Sarandë buzë detit dhe ndalet para pishave që lartësohen drejt qiellit të përkundura nga era që vjen nga tutje detit që përplaset buzë mureve të shëtitores. Është e mrekullueshme, thotë ai dhe ndalet në një nga kafet për të shijuar pamjen që zgjatet deri tutje, duke të humbur nga sytë.

Nga nisja e shëtitores deri tani që po vjen finishi, në këtë vepër kanë punuar, ditë natë më shumë se 200 punëtorë të specialiteteve të ndryshme. Po është një individ që e njohin të gjithë, pasi ai është i kudondodhur në drejtimin e punimeve. Është inxhinieri, Roland Beqiraj, i cili nga dita e parë deri sot nuk ka njohur pushim. Sa në njërin cep në tjetrin. Sa në manovrimin e lëvizjes së makinerive të rënda, ekskavatorëve, traktorëve me goma, kamionëve të stërmëdhenj, të cilët vijnë e ikin pa pushim në këtë kantier të madh deri tek makineritë e rënda që shpojnë në thellësi për të vendosur pilotat mbi të cilat janë ndërtuar tri platforma secila më shumë se dy-tre mijë metër katror dhe ku të gjithëve u pëlqen të ndalen e të kundrojnë pamjen që të japin pllakat e bardha, të kuqërremta deri tek veshjet anësore me mermerët që i japin luksin tërë kësaj vepre, duke e shndërruar në një atraksion të rëndësishëm në të cilën qytetarët ecin e ecin papushim që nga dita e parë mes hekurave dhe betonit edhe sot kur ka përfunduar shtrimi e ndriçimi.

Lulishtet e veshjet si dhe janë vendosur këndi i lojërave për fëmijët që qëndrojnë atje gjatë tërë ditës. Rolandi,- thotë se ujitja e pemëve dhe luleve është e organizuar nga sisteme qëndrore me depo në cepin e bulevardit dhe me elektropompa që do ta dërgojnë ujin në të gjitha cepat, menjëherë dhe në çdo rrënjë, pemë dekorative apo lulishtet që kanë nisur të marrin formë dhe do jenë stolia e tërë shëtitores buzë detit. Inxhinier Rolandi, është specialist i ndërtimit të lungomareve. Ai ka qënë një nga ekspertët e Lungomares së Himarës dhe asaj të Vlorës.

Po tregon se me Sarandën është bërë njësh dhe është shkrirë me të pasi këtu i duket se pamja e saj është e veçantë dhe e bukura del më në pah. Atij i kërkohet gjithçka nga cilësia dhe rregullsia deri tek korrigjimi i defekteve që edhe qytetarët nuk përtojnë t`ia bëjnë me dije sa herë kalojnë nëpër shëtitore, duke u kthyer të gjithë në supervizorë, që janë më kritikët dhe më të pamëshirshmit. Dhe inxhinieri, thotë se më shumë ka merak opinionin e tyre se atë të specialistëve që vijnë dhe verifikojnë cilësinë. Mos rënça në gojën e sarandiotëve, qesh ai se ata nuk falin.

Pas mbjelljes së pishave më shumë se njëqind copë dhe vendosjes së ndriçuesve, spoteve dhe gjithçkaje, dusheve të plazhit, dhomave të zhveshjes, shëtitorja është pothuaj gati. Tani nuk ka sekondë që mos të vërshojnë qytetarët vendas e të huaj për ta shijuar dhe njohur gjithçka është vendosur në të për ta kthyer në funksionale dhe të përshtatshme për të gjithë. Si për çdo vepër tjetër edhe për shëtitoren në Sarandë nuk kanë munguar paragjykimet. Gjatë fushatës elektorale për ta zeruar këtë vepër, disa nga kandidatët për deputetë nuk i shpëtuan subjektivizmit dhe politizimit.

E konsideruan si një angari, hiq pllaka vër pllaka. Po vetëm kështu nuk është shëtitorja dhe subjektivizmi në këto raste është mungesa objektiviteti. Ky qëndrim është ulëritës. Në të vërtetë, kritikët më të mëdhenj e shijojnë më shumë siç ndodh kudo tek ne pas përfundimit të veprave të mëdha. Tani që plazhi tradicional është shtuar gati pesë herë, kritizerët kanë heshtur. Po kështu edhe kundërshtarët e pishave për të cilat patën vërejtje se do rrëzonin halat mbi pllaka, sikur të ishin gjemba dhe të pamundura për t`u pastruar.

Po meraku i qytetarëve tani kur shëtitorja është gati të presë vizitorët e shumtë, është si do veprohet nga lokalet dhe klubet e shumta që e qarkojnë në tërë gjatësinë e saj. A do tolerohet zënia e mjediseve të shëtitores dhe pronarët buzë saj ta konsiderojnë si oborr të tyre, pronë për të vendosur tavolina e karrige dhe për ta kthyer nga shëtitore në gjellëtore e klube pa fund? A do dëgjohen thirrjet, hajde akullore! Misra të pjekur dhe tezgat me xhingla mingla do e mbysin këtë bukuri.

Kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma që gjatë tërë kohës së ndërtimit të shëtitores nuk i është ndarë asnjë ditë kontrollit të punimeve, cilësisë, konsultimit, vërejtjeve dhe zbatimit të projektit është kategorik kundër shpërdorimit dhe zaptimit të çdo centimetri katror bulevardi. Ai deklaron se shëtitorja nuk do kthehet në shitore. Ajo është pronë e qytetarëve dhe u takon vetëm atyre ta shijojnë deri në fund. Dhe në këtë drejtim nuk do tolerohet asnjë person që lakmon të zgjerojë aktivitetin nëpër këmbët e qytetarëve. Po kështu do ishte e patolerueshme që në këtë sipërfaqe të shtrijnë krahët tendat dhe të vendosen tavolina e karrige, ku të pihet e të hahet, sikur ky investim t’u përkiste atyre që fati u solli këtë pasuri madhore buzë detit.

Çdo tolerim në këtë drejtim do ishte një krim i pafalshëm, i cili duhet të ndalet dhe askush të mos kujtojë se shëtitorja është pronë e pronarëve të lokaleve dhe individëve që duan të rrëmbejnë copa të saj për t`i ndryshuar destinacionin. Po kështu e patolerueshme mbetet edhe lëvizja e mjeteve dhe makinave, motorëve e gjithçkaje që pengon dhe ndot shëtitoren, mërzit ata që duan të relaksohen. Shëtitorja është e qytetarëve, vendas e të huaj. Nuk mund të shndërrohet në mjet fitimi për askënd. Ndryshe, ashtu siç thotë edhe kryetari i bashkisë, Adrian Gurma, ajo humbet rolin dhe funksionin e saj. Ndaj kërkohet vigjilencë dhe mostolerim për askënd.

Mbrëmjet bien mbi syprinën e detit dhe mbulojnë bardhësinë e pllakave që shndërrisin nën dritën e yjeve që piklojnë nga kaltërsia e qiellit. Nënat e reja, shtyjnë karrocat ku gugatin fëmijët që për herë të parë shkelin shëtitoren. Dallgët llokoçiten mbi muret mbajtëse të bulevardit. Hapat e kalimtarëve dëgjohen dhe u bashkohen fëshfëritjes së gjetheve të pishave, palmave dhe bimëve të bananeve. Bizhuja e perlave i jep qytetit dritë dhe bukuri. Është vepra më e bukur e Sarandës, mbretëreshës shqiptare të turizmit masiv dhe elitar! Është gjerdani që e hijeshon Sarandën tonë!

Check Also

Kurban Bajrami, festa e sakrificës

Sot bota islame kremton festën e Bajramit të Kurbanit, e cila ka hyrë në historinë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 2 =