Home / Bota / SHBA “padit” në OKB Turqinë

SHBA “padit” në OKB Turqinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ngrenë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara shqetësimin e Greqisë në lidhje me deklaratat e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan për hapjen e pjesshme të qytetit të Varoshas në Qipron Veriore.

“I sigurova ministrit të Jashtëm të Qipros, Christodulides se SHBA kundërshton deklaratën e qipriotëve turq, me mbështetjen e Turqisë për Varoshan. Kjo është një shkelje e papranueshme e rezolutave të OKB-së. Po punojmë që ta ngremë këtë shqetësim me forcë në Këshillin e Sigurimit”, deklaroi përmes Twitter-it, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Planet për të hapur pjesërisht qytetin Varosha, lagje e qytetit të Famagustat e boshatisur nga grekët gjatë pushtimit të veriut të Qipros nga ushtria turke në vitin 1974 dhe që nga turqit njihet me emrin Marash, u njoftuan nga Erdogan gjatë qëndrimit dyditor të tij në atë që Turqia e njeh si Republika Turke e Qipros. Erdogan tha se Ankaraja është në rrugën e drejtë dhe duke qenë në këtë rrugë do të mbrojë të drejtën e saj deri në fund, duke nënkuptuar këtu edhe përdorimin e forcës.

Por, këto deklarata të Erdogan nuk janë pritur mirë në Athinë dhe në Perëndim. Ministria e Jashtme greke doli me një deklaratë ku tha se dënonte me forcë deklaratat e Presidentit turk për rihapjen e pjesshme të Varoshës dhe i cilëson këto akte si në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.

Greqia thotë se së bashku me qeverinë qipriote dhe me partnerët ndërkombëtarë mbetet e bindur te zgjidhja e propozuar federative dyzonale, si e vetmja rrugë për të bashkuar ishullin. Deklaratat e Erdogan u kritikuan edhe nga Uashingtoni, Londra dhe Brukseli, që thanë se ato binin ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe thellojnë tensionet në ishull.

Pas grushtit të shtetit në Greqi, regjimi i kolonelëve nxiti një grusht të ngjashëm shteti më 1974 në Qipro. Qeveria ra dhe qeveria e re deklaroi bashkimin me Greqinë. Gjatë kësaj periudhe nisi një spastrim ndaj popullsisë turke të ishullit. Kjo nxiti reagimin e Ankarasë që ndërhyri me ushtrinë dhe mori nën kontroll 35 për qind të territorit verior të ishullit, ku banojnë turqi. Më pas, u shpall edhe Republika Turke e Qipros, që aktualisht njihet vetëm nga Turqia.

Check Also

Përmbytja në Gjermani, fatkeqësia më e kushtueshme natyrore në Evropë

Sipas një analize nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), përmbytjet në Gjermani në vitin 2002, veçanërisht …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen + 1 =