Home / Bota / SHBA kërkon dialog me Iranin/Këshilltari i Trump: Ka ardhur koha për paqe

SHBA kërkon dialog me Iranin/Këshilltari i Trump: Ka ardhur koha për paqe

Jared Kushner, këshilltar i lartë i Presidentit Donald Trump, po i bën thirrje Iranit për paqe me Uashingtonin, ndërkohë që Presidenti Trump parashikon se do të ketë rikthim të shpejti në negociatat SHBA-Iran nëse ai rizgjidhet në nëntor.

Në një intervistë të martën me korrespondenten e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren, në emisionin Plugged In, zoti Kushner i bëri thirrje Presidentit të Iranit, Hasan Rouhani të bisedojë me Uashingtonin:

“Do t’i thoja Presidentit Rouhani se është koha që rajoni të ecë përpara.

Nuk duhet të ngelemi tek konfliktet e së kaluarës. Ka ardhur koha që njerëzit të bashkohen dhe të arrijnë paqen,” tha ai.

Qassem Soleimani
Qassem Soleimani

Tensionet SHBA-Iran, të cilat kanë vazhduar prej dekadash, janë intensifikuar që kur Presidenti Trump mori detyrën në 2017. SHBA ka forcuar sanksionet kundër Teheranit në përpjekje për të detyruar Iranin të heqë dorë nga aktivitete destabilizuese. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur edhe akte ushtarake, si në rastin e sulmit që eliminoi komandantin e lartë ushtarak të Iranit, Qassem Soleimani në Bagdat në janar të këtij viti.

‘Presion Maksimal’

Presidenti Trump ka thënë se një ndër synimet e tij kryesore në fushatën e ‘presionit maksimal’ është të bindë Iranin të heqë dorë nga akte keqdashëse dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje të re, dypalëshe. Kjo marrëveshje do të zëvendësonte paktin shumëpalësh të 2015 për të kufizuar aktivitetin bërthamor të Iranit. Presidenti Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje në 2018, duke e kritikuar se nuk mbante qëndrim të rreptë ndaj Iranit, të cilin Perëndimi e akuzon se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij ka synime paqësore.

Irani është betuar t’u rezistojë sanksioneve amerikane, të mbështesë grupe paraushtarake që veprojnë kundër Shteteve të Bashkuara në rajon dhe t’u përgjigjet sulmeve me akte ushtarake, ashtu siç bëri kur qëlloi me raketa forcat amerikane në Irak, disa ditë pas sulmit që la të vrarë komandantin Soleimani. Dhjetëra trupa amerikane pësuan lëndime në tru nga sulmet iraniane.

Teherani po ashtu ka zgjeruar gjatë vitit të fundit aktivitete që bien ndesh me marrëveshjen e 2015-tës, që po i shfrytëzon si presion ndaj fuqive të tjera botërore që ta kompensojnë për humbjet nga sanksionet amerikane. Ekonomia iraniane është në recesion që nga viti 2018 si rezultat i sanksioneve dhe keqmenaxhimit të brendshëm.

Këshilltari Kushner tha se paqja me Iranin do të sillte përmirësim ekonomik në Iran dhe do t’u ofronte shpresë brezave të rinj.

“Paqja është një synim fisnik, një objektiv i rëndësishëm nëse duam një botë ku të gjithë të kenë mundësi ekonomike për të jetuar një jetë më të mirë se prindërit,” tha zoti Kushner.

“Një Marrëveshje e Mirëfilltë”

“Presidenti Trump është i gatshëm për bisedime, për takime,” tha zoti Kushner për Zërin e Amerikës duke iu referuar takimeve të mundshme me sundimtarët iranianë. “Por presidenti do të tregohet i prerë,” tha ai.

“Nëse bëhet fjalë për një marrëveshje të mirëfilltë, e cila eliminon armët bërthamore dhe që çon në një Lindje të Mesme më të begatë, besoj se Presidenti Trump do të ulet për të diskutuar,” tha ai.

Vetë Presidenti Trump ka pohuar se nuk pret që Irani të pranojë oferta për negociata deri pas zgjedhjeve të 3 nëntorit mes zotit Trump dhe rivalit demokrat, Joe Biden.

“Irani pret të shohë rezultatin e zgjedhjeve,” tha presidenti në një konferencë për shtyp më 11 gusht. “Për ta ëndrra më e madhe në botë është që Joe Biden të fitojë, pasi pastaj ata do ta kenë në dorë këtë vend,” tha zoti Trump.

Joe Biden
Joe Biden

Zoti Biden ka thënë se SHBA do të kthehet në marrëveshjen e 2015 nëse Irani rifillon “respektimin e plotë” të paktit, por pa dhënë hollësi.

Irani nuk ka shprehur publikisht preferenca mes kandidatëve. Por në një deklaratë më 7 gusht, drejtori i Kundërzbulimit amerikan, William Evanina tha se agjencitë amerikane të zbulimit besojnë se Teherani po përpiqet të minojë shanset e zotit Trump për t’u rizgjedhur sepse “ekziston përshtypja që rizgjedhja e tij mund të sjellë vazhdimin e presionit amerikan ndaj Iranit, në përpjekje për të rezultuar në ndryshim regjimi”.

Administrata Trump ka këmbëngulur se nuk synon të rrëzojë regjimin aktual iranian, por po ushtron presion që udhëheqja e Iranit të sillet si “një vend normal”.

Presidenti tha më 11 gusht se nëse rizgjidhet, Irani do të bjerë dakord për të një marrëveshje “brenda një muaji”.

“Shumë e Vështirë”

Barbara Slavin, analiste në Këshillin e Atlantikut thotë për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën perse se e ka të vështirë të besojë se zoti Kushner është i sinqertë në thirrjet e tij për paqe me Iranin. Ajo solli si shembull planin e administratës Trump për t’i kërkuar Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara të rivendosë të gjitha sanksionet e mëparshme që u hoqën në kuadër të marrëveshjes së 2015.

Nga Arkiva; Këshilli i Sigurimit
Nga Arkiva; Këshilli i Sigurimit

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se rivendosja e sanksioneve pasi të skadojë embargoja e armëvemë 18 tetor, është e domosdoshme. Një rezolutë e paraqitur nga SHBA në Këshillin e Sigurimit për zgjatjen e afatit të embargos së armëve nuk siguroi votat e nevojshme. Irani ka thënë se do ta braktisë marrëveshjen e 2015 nëse zgjatet embargoja e armëve dhe nëse rivendosen sanksionet.

“Nëse administrata Trump ishte vërtetë e interesuar për negociata, do të fillonte me pohimin se nuk ka autoritet ligjor për të kërkuar rivendosjen e sanksioneve,” thotë analistja Slavin. “SHBA do të ofronte fillimisht kthimin në marrëveshjen e vitit 2015, nëse Irani rifillon respektimin e plotë të marrëveshjes”.

Administrata Trump ka thënë se gëzon autoritet ligjor për të kërkuar rivendosjen e sanksioneve në bazë të rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit.

Analisti Behnam Ben Taleblu i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive thotë se mendon që zyrtarët amerikanë janë të sinqertë në dëshirën për një marrëveshje të re me Iranin.

“Kërkesa e administratës Trump për 12 ndryshime në sjelljen e Iranit (në kuadër të një marrëveshjeje) është ndoshta përmbledhja më e mirë e dallimeve mes Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare kur është fjala tek politika e jashtme dhe e sigurisë,” thotë analisti për Zërin e Amerikës.

Naysan Rafati, studiues mbi Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave tha për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën perse se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane, shanset për ripajtim SHBA-Iran mbeten të paqarta.

“Në pikëpyetje është nëse Uashingtoni dhe Teherani janë të gatshëm të zhvendosin qëndrimet e tyre nga ngërçi aktual, në një pikë ku oferta maksimale e njërës palë të përmbushë minimumin e pranueshëm për palën tjetër,” thotë analisti./VOA

Check Also

Personat e prekur nga kjo sëmundje mund t’i shpëtojnë koronavirusit

Një studim i fundit i kryer nga Universiteti i Dukës të Karolinës së Veriut ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − seventeen =