Home / Aktualitet / Sfidat me pandeminë në zonat kufitare shqiptare me Greqinë

Sfidat me pandeminë në zonat kufitare shqiptare me Greqinë

RAIMOND KOLA

Kur kanë kaluar thuajse 8 muaj nga shfaqja e pandemisë së Covid-19, rajone të ndryshme të vendit bëjnë bilancin e pasojave. Zonat kufitare me Greqinë, ku është bllokuar lëvizja, Tri Urat, Qafë Botë dhe Porti i Sarandës, u përballën me sfida mbijetese, sidomos në ato bashki ku mbi 70% e popullsisë së mbetur, për shkak të emigrimit në masë, janë të moshuar. Edhe në Kapshticë e Kakavijë, të vetmet pikëkalime kufitare të hapura, lëvizja është bërë e mundimshme dhe me kosto shtesë, ndaj shumë persona të moshës së tretë e të vetmuar, mbetën në mëshirën e fatit dhe të pushtetit vendor.


Pandemia e koronavirusit vazhdon të shkaktojë vështirësi në komunikimin mes Shqipërisë dhe Greqisë, veçanërisht për jetën e banorëve të zonës tonë kufitare.

Tre nga pesë pikëkalimet shqiptaro-greke, Tri Urat – Përmet, Qafë Botë – Sarandë dhe Porti i Sarandës kanë paralizuar plotësisht aktivitetin prej disa muajsh. Qarkullimi i kufizuar i njerëzve, lejohet vetëm përmes Kapshticës, në Korçë, me 300 persona në ditë dhe Kakavijës, në Gjirokastër, me 750 persona në ditë. Po nga këto pika lejohet edhe dërgimi i pakove të vogla me mallra.

Megjithëse Greqia po zbaton një mbyllje kombëtare trejavore, deri më 30 nëntor, kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë vazhdon të jetë i hapur me të njëjtat kufizime. Autobusët e disa prej shoqërive të transportit nisen çdo ditë sipas itinerarit, nga Athina për Tiranë në orën 8.00 dhe nga Tirana për Greqi, në orën 05.00.

Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Shqipëria në Greqi duhet të jenë të pajisur me rezultatin e testit negativ me metodën PCR, i cili kryhet, të paktën 72 orë përpara udhëtimit. Çdo udhëtar me destinacion Greqinë, pavarësisht nënshtetësisë, duhet të plotësojë detyrimisht edhe Protokollin e Mbërritjes në Greqi, duke e printuar dhe paraqitur në pikat kufitare.

Me të mbërritur në Greqi, udhëtari karantinohet në banesë për 7 ditë dhe nëse e shkel këtë detyrim, gjobitet deri në 5,000 euro. Greqia ka njoftuar se duke filluar nga 10 nëntori, udhëtarët që do largohen nga Greqia, pavarësisht nënshtetësisë, duhet të plotësojnë detyrimisht në portalin zyrtar grek, 24 orë përpara udhëtimit, Protokollin e Largimit. Në Greqi lejohet të hyjnë vetëm personat që kanë leje qëndrimi ose nënshtetësi greke, ndërsa personat që udhëtojnë vetëm me pasaportë shqiptare (90 ditoret ose turistët) u ndalohet kalimi. Greqia i ka shtyrë disa herë masat kufizuese për shqiptarët në pikat e kalimit mes të dy vendeve që prej fillimit të marsit, kur nisi pandemia.

Pika e Kakavijës, 11 Nëntor 2020

Kakavija, porta e “ngushtuar” e kufirit shqiptaro – grek

Transportuesit e vegjël të bagazheve lëvizin me karroca dore në një segment prej gati 3 km nga pika shqiptare në pikën greke në Kakavijë. Që prej vendosjes në kufi të masave shtrënguese nga pala greke, më 16 gusht, shoqëritë e transportit i kryejnë udhëtimet me dy linja autobusësh, njëra linjë nga qytetet shqiptare në Kakavijë, ndërsa linja tjetër nga ana greke e Kakavijës drejt qyteteve greke. Shoqëritë e autobusëve thonë se janë të detyruara të përdorin linjat e dyfishta të udhëtarëve, pasi nuk përballojnë kryerjen e testeve për drejtuesit e mjeteve.

Transportues bagazhesh në Kakavijë

Pas pritjes për kontrollet rutinë në kufi, pasagjerët duhet ta përshkojnë në këmbë dhe të ngarkuar me bagazhe, segmentin mes dy vendeve, për të shmangur pagesën për transportuesit e vegjël, që varion nga 3 deri në 10 euro. Me afrimin e dimrit, udhëtimi drejt Greqisë, me protokollet e vendosura për shkak të covidit, bëhet edhe më sfidues.

Lëvizja e këmbësorëve në kufi në Kakavijë

Me fillimin e krizës së pandemisë, shoqëritë e transportit kanë njoftuar rritjen e çmimit të biletave që vjen si pasojë numrit të kufizuar të udhëtarëve në një autobus, por edhe nga rritja e kostove të tjera.

Autobusët e linjave ndërkombëtare të udhëtarëve në Kakavijë, në pritje të pasagjerëve

Përpjekje pa rezultat për hapjen e Qafë Botës

Autoritetet vendore të Finiqit dhe Konispolit në Sarandë, por edhe Igumenicës, kanë bërë përpjekje për hapjen e Pikës së Qafë Botës (Mavromatit në anë greke). Këtij qëllimi i shërbeu edhe një protestë e banorëve në anën shqiptare të kufirit, ku, mbi 70% e popullatës së mbetur pas emigrimit masiv, përbëhet nga të moshuarit. Ata janë komuniteti që po vuajnë pasojat e kufizimeve të pandemisë, pasi nuk mund të vizitojnë apo të vizitohen nga fëmijët, nipërit dhe mbesat. Përveç kësaj, ata po privohen edhe nga shërbimet shëndetësore të cilat, derisa u shfaq pandemia, i merrnin në Greqi. Megjithë premtimet se pika kufitare do të hapej përkohësisht,  përshkallëzimi i përhapjes së koronavirusit në Greqi ditët e fundit, nuk jep shpresë për një zgjidhje të afërt. Mbyllja e pikëkalimit kufitar në Qafë Botë ka paralizuar plotësisht edhe lëvizjen e punëtorëve sezonalë shqiptarë të zonave ndërkufitare, të cilët udhëtonin në mëngjes për të vjelë agrume në anën greke dhe ktheheshin në mbrëmje. Numri i punëtorëve sezonalë në të dy bashkitë kufitare, para se të shfaqej pandemia, përllogaritet në 500 persona në ditë.

Protesta e banorëve të zonave shqiptare kufitare me Greqinë në Qafë Botë

Pika e Qafë Botës e mbyllur

Banorët e zonave kufitare në Dropull në kufijtë e mbijetesës nga bllokimi i pandemisë

“Masat për kufizimin e lëvizjeve dhe karantinimin në banesë, për të shmangur përhapjen e Sars-Cov-2, nga të dyja qeveritë, kanë shtuar në masë të konsiderueshme vështirësitë për lëvizjen e njerëzve ne kufi” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Dropull për “Faktoje”.

“Kjo ka ndikuar shumë në cilesinë e jetës së banorëve, sidomos të të moshuarve, që përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës”- konfirmon bashkia.

Bashkia Dropull

Në mungesë të shërbimeve dhe ndihmës financiare, për shkak të mbylljes së kufirit, bashkia raporton se në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave u hartua një plan masash dhe u organizua një sistem monitorimi dhe mbështetjeje ndaj banorëve, në përballimin e situatës së jashtëzakoshme të krijuar.

Fshatrat e Bashkisë Dropull

“Qysh në fillim u bë një rivlerësim në kushtet e reja, të familjeve dhe individëve në nevojë dhe mbështetja e tyre me pako ushqimore sanitare, duke mundësuar shpërndarjen në 867 familje dhe individë. Prej tyre 121 raste u furnizuan dy herë. Përparësi patën zonat e thella të Njësisë Administrative Pogon dhe Dropull i Sipërm.”- konfirmoi Bashkia Dropull, e cila shton:

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, për të shmangur pasojat nga vështirësitë e lëvizjeve në kufi u organizua porosia nga të afërmit dhe dërgimi pranë çdo të sëmuri të barnave dhe medikamenteve në 541 familje dhe individë”.

Shpërndarja e barnave të dërguara nga familjarët e të moshuarve në Dropull

Këshilli i Bashkisë Dropull, me vendimin nr.16 datë 30.03.2020, miratoi një listë të individëve dhe familjeve në nevojë që asistohen me produkte ushqimore dhe jo ushqimore bazike.

Screenshot i vendimit nr. 16 datë 30.03.2020

Ndërkohë me një vendim në fund të muajit shtator u miratuan transferimet buxhetore të fondeve në masën 3,400,000 lekë nga fondi i emergjencës dhe fondi rezervë dhe 1,418,000 lek nga përdorimi i të ardhurave nga tatimet personale.

Këshilli i Bashkisë Dropull

Bashkia e Dropullit

Bashkia e Dropullit kufizohet në veri me Bashkinë Libohovë ndërsa në jug me Bashkinë Gjirokastër, ndërsa qendra e saj është Jorgucati. Sipas regjistrit civil, kjo bashki numëron 23,131 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 466.67 km2 me një densitet prej 49.56 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative: Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogoni dhe ka nën administrimin e saj 41 fshatra.

Edhe në Finiq, mosha e tretë u gjend në vështirësi

Kryetari i Bashkisë Finiq, me një shtrirje të gjerë dhe një nga njësitë administrative më të mëdha në Shqipëri, thotë se pandemia shkaktoi vështirësi të mëdha për banorët.

“Regjistruam rreth 2000 familje apo individë të moshës së tretë të izoluar nëpër banesat e tyre dhe në një territor kaq të gjerë sa është bashkia jonë, janë mbi 1,700 familje që përbëhen nga një person në moshë mbi 70 vjeç dhe rreth 350 familje me dy anëtarë të moshës mbi 80 vjeç. Të moshuarit janë më të prekurit psikologjikisht, pasi fëmijët e tyre janë larg dhe nuk kanë mundësi të takohen me ta dhe të ndihmohen prej tyre.”- tha për “Faktoje” kryebashkiaku Kristaq Kiço.

Kryetari Bashkisë Finiq, Kristaq Kiço

Bashkia Finiq konfirmon se nisur nga shtrirja gjeografike mbi 44 km2, numri prej 59 fshatrash, sidomos ato malore në njësitë administrative Livadhja, Dhivër e Mesopotam si dhe gjendja e mjerueshme e infrastrukturës, u shpall urdhëri i posaçëm për organizimin dhe ngritjen e grupeve vullnetare në çdo fshat dhe njësi administrative, për të përballuar emergjencën e Covid-19. Këto grupe përbëheshin nga përfaqesues të kryesive të çdo fshati, emergjencës civile, policia bashkiake, drejtoria e shërbimeve publike dhe shërbimi social.

Përveç mbështetjes së planifikuar nga pushteti vendor, Bashkia Finiq thotë për “Faktoje” se shpërndau mbi 2000 pako me ilaçe që fëmijët  dhe të afërmit e të moshuarve dërgonin nga Greqia për prindërit e tyre. Ky institucion konfirmon edhe se gjatë periudhës së izolimit kufitar janë dërguar për kurim të specializuar në spitalin e Filatit disa banorë.

Bashkia Finiq

Bashkia Finiq kufizohet në veri me Bashkinë Delvinë, në jug me Bashkinë Konispol, në lindje me Bashkinë Dropull dhe në perëndim me Bashkinë Sarandë. Kryeqendra e bashkisë është Finiqi. Popullsia sipas regjistrit civil është 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 44.1 km2. Njësitë administrative të bashkisë janë: Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja.

Mjetet e bashkisë që shërbejnë për shpërndarjen e ndihmave 

Raporti mbi nevojat e qeverive vendore ndaj emergjencës së COVID-19

Një raport i Institutit për Zhvillimin e Habitatit Co-PLAN dhe Shoqatës për Autonominë Vendore mbi reagimin e pushtetit lokal ndaj emergjencës së Covid -19 vlerëson si nevojën kryesore për Bashkinë Dropull gjatë emergjencës së Covid -19,  ndihmën ushqimore për familjet në nevojë, e dyta renditet nevoja për ndihma financiare apo kredi të butë për fermerët e zonës, e ndjekur nga gjetja e donatorëve për rikonstruksion e shtëpive të personave vulnerabël.

Për Bashkinë Finiq, në raportin që bazohet mbi anketat e zhvillura paraprakisht, si nevojë parësore është rritja e fondeve për ndihmën ekonomike dhe furnizim me ushqime të familjeve, e ndjekur nga kërkesa për shtesë fondi për ngritjen e infrastrukturës së komunikimit virtual për dhënien e shërbimeve online dhe shtesa e fondit për përmirësimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore dhe krijimi i Urgjencës Spitalore në qendër të bashkisë.

Raporti vlerëson se përfshirja e qeverive vendore ka qenë e ulët dhe e kufizuar gjatë përballimit të situatës Covid.

“Ndonëse ligjërisht bashkitë luajnë rol domethënës në përballimin e fatkeqësive në të gjitha fazat (gatishmëri/përgatitje, reagim/ përgjigje ndaj emergjencës, rimëkëmbje dhe planifikim për të ardhmen), ato janë të dobëta teknikisht dhe financiarisht për ta realizuar këtë rol. Situata është edhe më pak shpresëdhënëse në rastin e fatkeqësive biologjike, veçanërisht të pandemive, ku efekti dhe implikimet e fatkeqësisë nuk kufizohen në rang territori dhe përgjigjja duhet të jetë e mirëkoordinuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe midis të gjithë aktorëve.”-thuhet në raport.

Check Also

Banori zhvesh Ramën dhe ministrin me çorape të kuqe

Kryeministri Edi Rama, ka qenë ditën e sotme në fshatin Gjepalaj të Shijakut, ku ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 4 =