Kanë mbërritur në Serbi mëngjesin e sotëm 150 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.
Aviobi me vaksina u ul në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesl” dhe është pritur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Ai ka deklaruar se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet trepalëshe mes Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë, prandaj në aeroport janë parë edhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Serbi, Sian McLeod dhe Vijay Kumar.
“Faleminderit për mbështetjen ndaj Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne,” ka thënë Vuçiç.
Pas dërgesës të së dielës, Serbia konsiderohet një nga vendet e pakta në botë, ku qytetarët e saj do të jenë në gjendje të zgjedhin midis katër vaksinave të ndryshme kundër koronavirusit.
Ky shtet deri më tani ka siguruar vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, atë ruse, Sputnik V, kineze Sinopharm dhe tani vaksinën e kompanisë AstraZeneca. Kjo e fundit është miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të janarit.