Home / Shendet / Sëmundjet infektive, si të mbrohemi

Sëmundjet infektive, si të mbrohemi

Neritan Gjergo 

Pakujdesia e njerëzve në konsumimin e ushqimeve, ujit të pijshëm apo neglizhenca në higjienën personale, janë arsyet kryesore të marrjes dhe përhapjes së infeksioneve në popullatë. Në stinën e verës ka një shtim të numrit të të prekurve nga sëmundjet infektive, që merren nga mikrobe viralë, të cilët depërtojnë në aparatin tretës. Mjekja Infeksioniste, Sabahet Dedja, në intervistë për “Shekullin” tregon për kujdesin që duhet të kenë njerëzit, sidomos fëmijët e mitur dhe të moshuarit. Ndërlikimet më të rrezikshme të infeksioneve janë koliti dhe bruceloza.

Dr. Dedja, si ndikojnë temperaturat e larta në përhapjen e infeksioneve të marra nga ushqimet apo uji i ndotur?

Sëmundjet infektive janë prezente gjatë gjithë vitit. Në bazë të shkaktarëve, kushteve klimaterike dhe temperaturës, shohim që në stinën e verës të kemi një shtim të sëmundjeve infektive.

Cilët janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve infektive? 

Duhet të kemi parasysh së sëmundjet infektive kanë një lloj shkaktari, i cili mund të jetë viral, bakterial, parazitar ose alergjik. Ky i fundit nuk është mikrob, por mund të jetë produkt ushqimor, ose përbërje e tij dhe në varësi të vendit ku rritet një frutë apo perime, varet nga spërkatja. Alergjia që mund të shfaqë njeriu mund të jetë e formës së dhimbjes së barkut, dhimbjes së stomakut apo të vjellave. Po ashtu, janë edhe shkaktarët bakterialë, të cilët merren nga uji i kontaminuar, që në periudhën e verës është e lidhur ngushtë me mënyrën se si mbahet dhe ruhet uji. Uji që mbahet për një kohë të gjatë, i ekspozuar në diell, rrezikon që të kontaminohet. Mund të kontaminohet gjithashtu edhe uji që për- dorim në shtëpi, kryesisht ai që hyn nga depozita. Moslarja e depozitave bën që uji i rrjetit të sjellë papastërti në tubin e ujit. Kur uji i rrjedhshëm i çezmës ndalon, tubi i plasaritur ose i çarë thith brenda vetes shumë pisllëqe, ose nganjëherë edhe ujëra të zeza, të cilat mund të jenë më sipër tubit të ujit të pijshëm. Nuk duhet të harrojmë se me atë ujë, ne gatuajmë, lajmë frutat apo lajmë edhe dhëmbët.

Në stinën e verës cilët janë mikrobet më të favorizuara dhe si transmetohen ata te njerëzit? 

Stina e verës favorizon një pjesë të mikrobeve viralë. Në gjuhën mjekësore i quajmë enteroviruse dhe janë ato lloj virusesh që prekin aparatin tretës. Futen nga goja, në stomak dhe në zorrë, të cilat shfaqen me disa shenja; temperaturë 38- 39 gradë, e shoqëruar me dhembje barku, diarre, të përziera ose të vjella. Cila moshë është më e predispozuar? Më të prekurit nga shkaktarët viralë janë fëmijët deri në moshën 5 vjeç, të sëmurët me sëmundje kronike dhe moshat e treta.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur një shtim të numrit të vizitorëve të  prekur nga infeksionet? 

Për hir të së vërtetës, po, pavarësisht se temperaturat e verës këtë vit nuk kanë qenë shumë të larta. Sivjet kemi parë që një nga shkaktarët e diarreve me temperaturë dhe me bark, kanë qenë ose shkaktarë viralë, ose shkaktarë parazitarë, që do të thotë se përveç rasteve që përmendëm më sipër, kemi hasur shpesh edhe shkaktarët parazitarë. Ka pasur edhe raste të shtuara që vijnë nga helicobacter pylori (lloj bakteri). Në pjesën e tyre dërrmuese ata merren nëpërmjet ujit të kontaminuar, frutave të palara ose me anë të autoinfeksionit (marrja e mikrobeve, kryesisht në duar).

Çfarë masash parandaluese duhet të merren nga njerëzit në mënyrë që të shmangin infeksionet? 

Që në momentin e parë që kemi rënë në kontakt me këtë profesion, e para këshillë që thuhet për sëmundjet infektive është “Lani duart”. Larja e duarve është një nga hallkat më të domosdoshme për të parandaluar infeksonin dhe të mos sëmuremi me mikrobe, të cilët mund të shfaqin shenja në kohë të shkurtër apo të gjatë. Masa kryesore parandaluese është larja e duarve para ngrënies dhe pas kthimit nga tualeti. Edhe moshat e reja, që i mbajnë thonjtë e gjatë duhet të bëjnë kujdes sepse pa dashur mund të bëhen burim infeksioni. Blerja e ushqimeve në vende me pluhur, në rrugë apo në vende që kanë qëndruar në diell është burim infeksioni. Frigoriferi i cili mban akullore, dhe tregtarët e ekspozojnë në diell, është i predispozuar të bëjë lojën ngrirje-shkrirje. Ai lloj ushqimi që ka shkrirë një apo disa herë, mbart jo vetëm vlera të pakta ushqimore por është i predispozuar të kontaminohet.

Në një pjesë të mirë të rasteve, të sëmurët nuk shfaqin shenja të jashtme, edhe pse të prekur. Si evidentohen ato?

Ekziston ligji për të bërë analizat për sëmundjet infektive, por në shohim se kërkohet me domosdoshmëri (ndoshta edhe me të drejtë) që të bëhet vizitë te dermatologu, por nuk ka kërkesa për vizitë te infeksionisti. Kjo vizitë presupozon kryerjen e analizave në laborator. Bëhen analizat e feçes dhe në qoftë se analiza del pozitive do të thotë se kemi të bëjmë me infeksione. Shohim se ka humbje të rasteve në Tiranë. Këta të sëmurë shpesh nuk arrijnë te specialisti. I sëmuri bëhet burim infeksioni në rrethin ku jeton. Ai e mbart infeksionin dhe mund të mos shfaqë asnjë ankesë.

Si ti parandaloni sëmundjet 

Një luhatje e temperaturës së trupit apo një diarre, mund të duket shumë e thjeshtë dhe të shpërfillet nga individi, por jo gjithmonë kjo gjendje është kalimtare. Sabahet Dedja shprehet se njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shëndetit të tyre dhe të vizitohen, në mënyrë që të parandalojnë sëmundje të tilla, si koliti apo bruceloza. “Ka raste kur mikrobi ngelet në zorrë dhe i sëmuri shfaq sëmundje kronike të zorrës, si koliti. Në varësi të shkaktarit shihet edhe precipitimi i sëmundjes. Kohët e fundit numri i rasteve me sëmundje infektive është shtuar dhe duhet të kihet shumë kujdes me militencën (sëmundja e qumështit). Kjo sëmundje merret nga qumështi apo mishi i pazier. Më të predispozuar prej saj janë personat që merren direkt me therjen e kafshëve të sëmura apo barinjtë. Rreziku më i madh qëndron te pjesa e organeve të brendshme të kafshës”- citon mjekja.

Check Also

Pasi të mësoni 3 përdorimet fantastike të lëkurës së bananes, s’do i hidhni më në kosh

Bananet përmbajnë sasi të larta kaliumi, mangan, selen, zink, fibra, acid folik, kompleksin e plotë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 5 =