Home / Analize / Sektori i shërbimeve – roli dhe impakti i tyre në ekonominë e Republikës Popullore të Kinës

Sektori i shërbimeve – roli dhe impakti i tyre në ekonominë e Republikës Popullore të Kinës

Ekonomia e Republikes Popullore të Kinës (RPK) ka parë një tranzicion dhe rritje të jashtëzakonshme që prej vitit 1978 kur Deng Xiaoping prezantoi në Kinë rrugën e reformave dhe tregut të hapur. Rritja marramendëse e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sidomos pas anëtarësimit të RPK në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, është quajtur shpesh, dhe me të drejtë, një “Mrekulli ekonomike”. Transformimi i Kinës nga një gjigand rural (bujqësor) në një lokomotivë të pandalshme në sektorin e prodhimit dhe shërbimit ka sjellë zhvillim të shpejtë të infrastrukturës, urbanizimit, rritje të të ardhurave për frymë dhe një ndryshim të madh në përbërjen e PBB-së së saj dhe mbi të gjitha heqja nga varfëria eksterme e më shumë se 800 milion njerëzve e bën edhe më të rëndësishëm njohjen dhe analizimin e konceptit kinez të zhvillimit ekonomik.

Në teoritë ekonomike të prodhimit të brendshëm të një vendi, ndarja madhore e kategorive dhe baza e çdo analize, nis nga modeli i Fisher, Clark dhe Fourastié – ata e ndjajnë ekonominë e një vendi të caktuar duke u bazuar në tre sektorë të veprimtarive të rëndësishme: nxjerrja e lëndëve të para (primare), prodhuese (dytësore) dhe shërbimeve (terciare). Sipas kësaj teorie, sa më i lartë të jetë zhvillimi i një vendi, aq më shumë ekonomia e tij largohet nga sektori primar dhe intesifikohet në sektorin dytësor dhe terciar. Ata koncpetuan se në vendet me të ardhura të ulta për frymë të cilat rrjedhimsht janë në një gjendje fillestare zhvillimi, pjesa kryesore e të ardhurave të tyre kombëtare arrihet përmes prodhimit në sektorin primar, ku përfshihet edhe agrikultura. Në vendet me nivel më të konsiderueshëm zhvillimi, me të ardhura mesatare kombëtare, shumica e të ardhurave gjenerohen nga sektori prodhues; Dhe ne vendet shumë të zhvilluara, me të ardhura të larta për fryme, sektori i shërbimeve dominon prodhimin e përgjithshëm të ekonomisë. Sektori i shërbimeve në Kinë ka pasur dhe mendohet se do të ketë rol vendimtar në zhvillimin e mëtejshëm të vendit, dhe për shumë ekonomistë, do të jetë edhe zgjidhja që do t’a nxjerrë RPK nga një ekonomi me varësi të larte në eksporte drejt një ekomimie të shtyrë e të drejtuar nga konsumi i brendshëm.

Sektori i shërbimeve në RPK është dyfishuar në madhësi gjatë dy dekadave të fundit për të arritur në 54% të PBB-së. Në 2013, ajo tejkaloi industritë dytësore të Kinës për herë të parë në historinë moderne. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës (NBS), brenda sektorit të shërbimeve janë transporti, magazinimi dhe posta (8% e PBB-së), tregtia me shumicë dhe pakicë (10%), hoteleri dhe shërbimet e hotelerisë (6%), shërbimet financiare (6%), pasuritë e paluajtshme (6%) dhe mix të shërbimeve të kategorizuara si “të tjera” (18%).

Zhvillimi ekonomik i Kinës në dekadat e fundit i është përshatur në fakt teorisë së tre sektorëve, grafiku më poshtë tregon evoluimin e këtyre tre kategorive ndër vite, duke arritur në 54% të totalit vitin e kaluar.

Burimi:Banka Botërore dhe NBS (përpunim grafik nga autori)

Për të provuar dhe përshpejtuar zhvillimin e pandalshëm të këtij sektori, poltikat promovuese të qeverisë qëndrore (por edhe atyre lokale) nuk kanë munguar. Një nga këto është mbajtja e shpeshtë e panaireve ndërkombëtarë në tematikën e shërbimeve.

Panairi Ndërkombëtar i Kinës për Tregtinë e Shërbimeve (CIFTIS) është një platformë gjithëpërfshirëse e specializuar në tregtinë e shërbimeve në mbarë botën. I iniciuar në 2012 në Pekin, ky panair ka për qëllim t’i japë një shtysë promovimeve ndërkombëtare të njohjes dhe kontakteve midis blerësve dhe shitësve të shërbimeve. Një platformë që përfshin shumë lloje shërbimesh në kulturë, financë, turizëm, robotikë, arsim, sport e padyshim 5G – ky panair është një vështrim në të ardhmen. Risitë teknologjike shpalosen para vizitorëve dhe shumë aktiviteteve që deri dje do të dukeshin fantashkencë, në stendat e CIFTIS janë të prekshme, dhe mbi të gjitha të tregtueshme.

Këtë vit gjithësesi, CIFTIS pati një rëndësi të veçantë, pasi vetë Presidenti i RPK, Xi Jinping, mbajti fjalën përshëndetëse duke i dhënë një domethënie të lartë panairit dhe çfarë kjo mbledhje gjigande e bizneseve të shërbimeve përfaqëson për botën e 2020-ës. Duke uruar pjesëmarrësit për një zhvillim të frytshëm të panairit, numri një i politikëbërjes së RPK theksoi se një raund i ri i revolucionit teknologjik dhe industrial në vitet e fundit ka nxitur një bum në teknologjitë dixhitale, ka thelluar integrimin e industrive dhe ka lejuar që ekonomia e shërbimit të lulëzojë. Mesazhi më i rëndësishëm për çfarë përfaqson ky event në shkallë globale mund të gjendet fuqishëm në fund të fjalimit të tij. Presidenti Xi shprehu se sulmi i papritur i COVID-19 mund të na ketë penguar të takohemi ballë për ballë, por nuk mund të bllokojë rritjen e tregtisë së shërbimeve. “Le të bashkohemi dhe të forcojmë vendosmërinë tonë për të kaluar këtë periudhë të vështirë për njerëzimin. Le të lëvizim për të përqafuar një të nesërme më të mirë për botën.” – përfundoi ai.

Përhapja e COVID-19 tregoi se shërbime të caktuara janë përdorur gjerësisht në këto kohë të vështira: telemjekësia, mësimi elektronik, platformat e ndarjes, sistemet e bashkëpunimit dhe tregtia elektronike ndërkufitare etj. Ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit ekonomik në vendet individuale dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër COVID-19.

Vlen për tu nënvizuar fakti se ky panair është i pari i llojit të tij gjatë vitit 2020 i cili mbahet në territor kinez në ambient jo vetëm virtual por edhe real – kjo është shenjë e pamohueshme se Kina po i kthehet normalitetit. Më shumë se 100 mysafirë VIP, përfshirë krerë të organizatave ndërkombëtare, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ambasadorë në Kinë ishin të pranishëm. Mbi 70 drejtues nga 43 kompani “Fortune 500” ose 500 kompanive më fitimprurëse në botë përfshirë Ericsson, IBM, SAP, Philips, Siemens, Schneider, Tesla dhe Dell. Po ashtu, afro 60 kryetarë të shoqatave tregtare jashtë shtetit ishin pjesë e eventit si: Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, Shoqata e Biznesit Kanada-Kinë, Shoqata e Biznesit Kinë-Britani, Federata e Industrive Gjermane në Kinë, etj. E ardhmja është teknolgjia dhe hapi tjetër në këtë drejtim është 5G. Duke shkuar përpara, bashkëpunimi i hapur në sektorin e shërbimeve do të bëhet një nxitës gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillim. Shkenca dhe teknologjia me inovacionet e tyre përkatëse e bënë këtë ambient të Pekinit në fillim Shtatori një kënd futuristik ku shpaloset gjenialiteti i gjetjeve që do t’a bëjnë jetën e së ardhmes më të lehtë dhe më interesante.

Duke nxjerrë në pah frytet e mëdha të industrive të shërbimit në mbarë botën, në një sipërfaqe gjigande prej 200,000 metra katrorë, me një total prej afro 18,000 kompani dhe organizata, 148 shtete të ndryshme, me më shumë se 240 marrëveshje madhore biznesi të mbyllura e të firmosura në 6 ditë, mund të thuhet se CIFTIS 2020 ishte një sukses.

Së bashku me Panairin e Kantonit në Guangzhou dhe Panairin Ndërkombëtar të Imprortit Expo Shanghai, Panairi Ndërkombëtar i Kinës për Tregtinë e Shërbimeve është një hap i rëndësishëm në hapjen e mëtjeshme të Kinës. Ndërsa popujt në të gjithë botën po përpiqen shumë për të arritur një ekuilibër midis vënies nën kontroll të epidemisë dhe menaxhimit të ngjarjeve të ashpra ekonomike, evente të tilla janë të nevojshme më shumë se kurrë, për të nxitur rritjen dhe për të rivendosur besimin në tregtinë globale

Check Also

Vlora sërish në “lupën” e kontrolleve, FSHN dhe Policia zbarkojnë në qytetin bregdetar

Prej disa ditësh në qytetin e Vlorës, vijojnë kontrolle në rrugët kryesore. Policia e Vlorës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 + 13 =