Home / Opinion / Samiti i Sofjes a e përmbysi mini-Shëngenin?

Samiti i Sofjes a e përmbysi mini-Shëngenin?

Ilir KRASNIQI

Samiti i procesit të Berlinit e ka rrëzuar idenë e Mini Shengenit të cilën presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e proklamonte fuqishëm. Edhe pse kishte gjetur mbështetje nga disa liderë të vendeve të rajonit, që nga fillimi shihej që ai do të ishte i dështuar për shkak se kishte edhe kushte politike në rastin e pjesëmarrjes eventuale të Kosovës. Ndërsa presidenti serb e kishte vënë në marshin e tretë realizimin e idesë së tij, pa ndonjë mbështetje dhe pa ndonjë garanci se do të mund të ishte një instrument para anëtarësimit, Samiti në Sofje në kuadër të procesit të Berlinit, riktheu në tavolinë rregullat e CEFTA-së. Ky plan bazohet në katër liritë dhe fushat e tjera të digjitalizimit, inovacionit, investimeve dhe zhvillimit të industrisë. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe atë të Kosovës, në këtë samit nënshkruan dy dokumente të rëndësishme për rajonin; deklaratën mbi tregun e përbashkët rajonal dhe Deklaratën e Axhendës së Gjelbër. Këto dokumente janë të rëndësishme për faktin se janë nën monitorimin e BE, ndryshe nga ideja e Mini Shëngenit. Pra funksionimi i këtij tregu duhet parë në kontekst të integrimit në BE. Një ditë para këtij samiti, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kishte nënshkruar të hënën ligjin me të cilin konfirmohet marrëveshja për zonën e tregtisë së lirë midis Unionit ekonomik Euroaziatik nën udhëheqjen e Federatës Ruse dhe Serbisë. Ashtu sikurse Serbia dëshiron ta shfrytëzojë zonën e tregtisë së lirë për përmirësimin e lidhje tregtare me Rusinë, edhe kjo e fundit, (e cila është nën sanksione evropiane) do të mund ta shfrytëzojë mini Shengenin për tregëti. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në Moskë qysh në vitin e kaluar më 25 tetor. Në ‘të përcaktohen rregullat e tregtisë midis anëtarëve të unionit euroaziatik dhe Serbisë. Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri Joseph Borel, duke përshëndetur formimin e tregut të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe ta bëjë të aftë për t’u kyçur në BE, në samitin në Sofje theksoi se angazhimi i BE me rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet i fuqishëm sepse “Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës dhe ardhmëria e tij është në BE”. Me një fjalë vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE duhet të harmonizojnë politikën e saj me Bashkimin Europian. Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq në këtë samit theksoi se Serbia dëshiron të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve në BE, por që fuqimisht mbështet anëtarësimin në BE të fqinjëve veçanërisht Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sepse kjo siç theksoi ajo, është shumë me rëndësi për progresin dhe stabilitetin e tërë rajonit. Në një deklaratë të vetën, sekretariati i CEFTA thotë se ky bashkëpunim ndihmon në atraktivitet më të madh dhe konkurrencën në rajon, si dhe për afrimin me tregun e BE-së. Pra kjo marrëveshje është e kufizuar vetëm me vendet nënshkruese të Ballkanit Perëndimor dhe jo sikundër ka qenë ideja e mini Shengenit të shpallur nga Serbia e nënshkruar në marrëveshjen me Uashingtonin. Nga ana e Kosovës duket se nuk ka pasur një insistim që paraprakisht të arrihet marrëveshja finale me Serbinë para se të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi rajonal. Serbia e vlerëson si një fitore marrëveshjen e Uashingtonit kur është fjala për Kosovën, pasi ka evituar kushtet e mëhershme të vendosura të Kosovës rreth pjesëmarrjes në Mini Shengen. Kjo i mundëson Serbisë që të promovojë arritjen e marrëveshjes finale, pasi edhe pa të, i ka të hapura të gjitha dyert për realizimin e interesave ekonomike. Megjithatë Mini Shengeni i Ballkanit nuk mund të ketë premisat e Grupit të Vishegradit që i ka të tejkaluara të gjitha mosmarrëveshjet dhe nuk kanë asnjë çështje të hapur. Duhet pasur parasysh gjendja reale, ku midis secilit vend, realisht ekzistojnë probleme të pazgjidhura. Çfarë do nisme tjetër, sikurse Mini Shengeni, jashtë dokumenteve të nënshkruara në samitin e Sofjes do të ishte i dëmshëm dhe me pasoja afatgjata për Kosovën.

Check Also

Eutanazia dhe Vetëvrasja e Asistuar

Shkëputur nga një intervistë ende e pabotuar që kam zhvilluar me profesorin e Etikës në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × five =