Home / Analize / SAGA ” SIZIFIANE” E SHQIPTARËVE

SAGA ” SIZIFIANE” E SHQIPTARËVE

(PROLOG)

Jorgo MANDILI-

Në këtë parashtresë , unë thjesht do të shpalos një këndvështrimin tim personal , të cilën dua ta ndaj me ju për të parë pozicionin tim në raport me realitetin ….nëse , nuk do mundem të japë përgjigje shteruese për shumë pyetje që kërkojnë përgjigje … mos më gjykoni…

…kur shkruaj nuk nisem nga fakti që t’u plotësohen pritshmëritë e bindjeve apo shijeve të tyre të gjithëve …nëse diçka pëlqehet apo jo ,realizohet apo jo,dëgjohet apo jo ,vlerësohet apo jo,kritikohet apo jo është zgjedhje individuale …unë nisem thjesht nga fakti se sa i afrohem së vërtetës , duke u përpjekur në mënyrën më të mirë të mundshme të mëtojë për të vërtetën në bazë të fakteve ,ngjarjeve e aftësisë time për të interpretuar…që padyshim interpretimet dhe arsyetimet e bëra ndikojnë sado pak tek objektiviteti … sepse “arsyeja (e subjektit sh.im)është skllave e pasionit”(.D.Hume ).

Kjo nuk do të thotë se më drejtojnë pasionet, por… a mund të bësh ndonjë punë të paqme pa pasion? Atëherë…ku është objektiviteti ,e vërteta? -do të pyesë ndokush me të drejtë .

“Kanti, u përpoq ta zgjidhte këtë problem, por nuk mundi” (K.Popper)…dhe me sa duket pa zgjidhje do ngelet …në instancë të fundit e vërteta absolute nuk ekziston!

Ndërkaq ,nga përvoja ime mund të them vetëm kaq: nëse një njeri ka një përfytyrim racional, të qartë për një problem të caktuar, pavarësisht se ai është i determinuar prej “skllavërisë së pasionit” , ai është i motivuar të shprehet …

Kësisoj edhe unë thjeshtësisht do të shprehem në këtë parashtresë përmes disa ” kumteve ” , që përmbajnë vijat e përgjithëshme të mendimeve të mia – mendime të derdhura brënda një realiteti historik të evokuar nga mendimtarët tanë më të shquar dhe të këtij realiteti të përjetuar …

…do të mundohem të ekspozoj – se pse shqiptarët kanë të njëjtin fat me Sizifin ,por …edhe ndryshe nga Sizifi …pse nuk kanë mundur të shpëtojnë nga ky stërmundim shekullor absurd e banal sizifian deri më sot …a kanë mundësi të shpëtojnë prej tij ,kur dhe si do të çlirohen nga ky “makth” shekullor stërmundimi banal e absurd sizifian? …a do të arrijnë ndonjëherë në majë të atij shkëmbi ? …

Sizifi është heroi absurd…ai është i tillë si për pasionet, ashtu edhe për vuajtjet e tij.Sizifi ishte i dënuar nga Perënditë,që të ngjiste pa pushim në një shkëmb në majë të një mali një gur të rëndë ,por sa guri arrinte në majë ,ai rrokullisej tatëpjetë e përfundonte përsëri në rrëzë, në fund. Ai nuk do të mundte kurrë të plotësonte detyrën, do ta ngjiste deri në majë gurin , do të mundohej, do të lodhej , por guri përsëri do t’i kthehej poshtë. Qëllimit do t’i afrohej deri në buzë dhe për një fije, ai kurrë nuk do të mundte ta plotësonte atë..

Nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë.Miti i Sizifit është metafora e një pune boshe e një kotësie ,e një pune pa qëllim, e kërkimit të një gjëje të padobishme dhe absurde që në fund të saj nuk arrin dot asnjë rezultat …është metafora e stërmundimit të kotë,lodhjes pa fryt e kërkimit të diçkaje ,që nuk e arrin dot , edhe pse mundimi ka qenë i përditshëm, i tejlodhshëm, rraskapitës dhe i paarritshëm. Sepse je i ” dënuar ” të sillesh në këtë mënyrë ,të zvarritesh me një barrë të rëndë mbi kurrizin e përgjakur ” …

TË NJËJTË ME FATIN E SIZIFIT,POR…. EDHE NDRYSHE …

O shqiptarë ,patriotë e fatkeqë! — të vetmuar ,të tradhëtuar ,të braktisur, të zhgënjyer,të mashtruar, shpresëhumbur e shpirtsfilitur ….

A nuk ngjajnë vuajtjet , sfilitjet e sakrificat tuaja njëzetshekullore, me stërmundimin absurd të Sizifit …absurd sepse kjo sakrificë, është harruar ,nuk është e shkruar e kjo harresë është …”pamja e sbërthimit të njëzet shekujve shqiptare”…(B Merxhani)

A nuk ngjajnë sakrificat dhe përpjekjet tuaja 500 vjeçare nën sundimin otoman me stërmundimin absurd të Sizifit ?…absurd sepse pikërisht kjo periudhë e hidhur dhe më e errëta e robërimit tuaj nga Turqia …” ishte koha më e pasur dhe më e lumtur e Historisë …dhe kjo me qënë se në atë epokë stërgjyshërit t’onë të gjorë përpiqeshin me zëmër trime në vijat e luftës së zaptonjësit, po një ditë ktheheshin, në vatërën atërore të shkretuar, të ngarkuar me flori boll, me plaçka të shumta dhe me “kuaj të bukur” të fushave të largme të Arabisë, Misirit dhe Hungarisë!……paraja,dyfeku, “kuajt e bukur” dhe të gjitha baulet e plaçkave me se u shpërblyen? …me sakrificën dhe përbuzjen e atdheut, të familjes dhe të Djalit.”(Branko Merxhani)…a nuk vazhdon ende kjo ” sagë”stërmundimi absurd sizifian shqiptar ?…

A nuk ngjajnë sakrificat e luftrat tuaja në kthesa të rëndësishme të historisë, me stërmundimin absurd të Sizifit? ..absurd, se në këto momente nuk keni mundur të orientoheni drejt për të arritur në kohë qëllimet e mëdha, se ju mungonte prijësi i duhur!

A nuk ngjajnë përpjekjet ,qëndresa dhe lufta e juaj dhe rilindasve tuaj për pavarësi e liri në momentin më krucial të historisë së vendit tuaj me stërmundimin absurd të Sizifit ?…absurd sepse vërtet pavarësia u shpall por…në gjysmën e Shqipërisë!

A nuk është ndarja e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha gjëja më e pashpirtë për ta dhe guri më i rëndë për ju , të cilin jeni duke e vuajtur për ditë e më shumë edhe pse ju shtireni si krenarë, kinse nuk u intereson fakti , që kombi juaj është i copëtuar gjeografikisht dhe po copëtohet çdo ditë e më shumë kombëtarisht ,moralisht ,psikikisht duke ekzistuar në një kaos social e individual ?…absurd se përsëri Europa ju mban larg vetes së saj duke ju venë përsëri mbi shpatullat tuaja një gur tjetër të rëndë për tu zvarritur drejt saj ..

A nuk ngjan qëndresa e juaj përballë pushtimit fashist, me një mbret tradhëtar , mashtrues e kusar ,që ju la në mes të rrugës pa ushtri,pa armatim e pa udhëheqje me stërmundimin banal e absurd të Sizifit? …absurd se kjo tradhëti dhe paturpësi e këtij ” mbreti” të falsifikuar , monumentalizohet si ” heroizëm” ,duke edukuar brezin e ri me idealin e tradhëtisë së Atdheut dhe …më absurd është fakti që kur këndohet ” Hymni i Flamurit” për ” nderimin” e tij si ” hero” artikulohen vargjet “kinse”për të :

“Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor”

…paradoks shqiptar ,banal e absurd …edhe “mbret” – edhe tradhëtar ,edhe kusar …a ka parë historia e kombeve më rrugaç se një mbret të tillë? …paradoksi shqiptar vazhdon me banalitetin dhe absurdin e vet edhe në ditët tona nga kjo klasë politike më rrugaçe e më kusare se vetë mbreti i saj …që i ngre monument simbolit të tradhëtisë …

A nuk ngjan lufta juaj antifashiste nac.- çl. përballë atij nazist dhe “patriotëve tradhëtarë” që u kolaboracionuan me nazistët (gjoja në emër të “Shqipërisë etnike”) për të ruajtur pasuritë e privilegjet e fituara nga osmanllinjtë, pra a nuk ngjan kjo qendresë dhe luftë me stërmundimin absurd të Sizifit?…absurd sepse edhe kjo luftë ,e para në historinë tuaj që u bashkoi ” midis vedi” dhe u rrjeshtoi në anën e duhur të historisë ,relativizohet dhe intimidohet po nga vetë ju !…por më absurd është fakti që kjo tradhëti justifikohet në emër të ” patriotizmit” e më banale kur kjo klasë politike e ndyrë e tradhëtare përpiqet për të ndryshuar rrjedhën e këtij lumi të ndyrë të tradhëtisë në emër të ” antikomunizmit” …

A nuk ngjan puna,përpjekjet e heroizmi tuaj 50 vjeçar për rindërtimin e transformimin e Shqipërisë nga një vend i prapambetur feudal në një vend të zhvilluar e të qytetëruar duke besuar në një shtet të mirëqënies sociale gjithmonë në rritje deri në komunizëm, me stërmundimin absurd të Sizifit? …absurd sepse në instancë të fundit u realizuan transformime të mëdha sociale por përfundoi me një realitet të trishtuar ekonomik !?

A mbaroi stërmundimi i juaj absurd si i Sizifit pas rrëzimit të monizmit? ..,një gur më i rëndë në shpinën tuaj të përgjakur – “terapia e shokut”, ” çeku i bardhë”, anarshia , shkatërrimet, vrasjet,vjedhjet , dhuna — zerimi i të gjitha vlerave materiale e morale…absurd se këtë gur të rëndë e mbartët në supet tuaja të gjakosura dhe këllqet e deformuara jo vetëm në rrugët e atdheut ,por edhe nëpër rrugët e emigracionit në të katër anët e botës ..si e vetmja alternativë mbijetese ,nga zhgënjimi i klasës suaj politike lakmitare,kusare dhe hedoniste?

A mbaroi stërmundimi i juaj absurd duke e mbajtur mbi kurrizin tuaj të gjakosur këtë ” kope kafshësh politike” për 30 vjet me rradhë ,që në kuptimin ” edvinian”të instiktit të mbajtjes së pushtetit është më e tërbuara në historinë e Shqipërisë ,e zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore dhe aftësie të menduari …absurde se pavarësisht kësaj , ju ende i besoni asaj dhe ndjeni kënaqësi kur kjo kope ja ” shalon” mjerimit dhe mbijetesës suaj sa herë të ketë dëshirë …

A nuk është absurde që me gjithë egoismën tuaj karakteristike dhe me gjithë heroismën tuaj të falsifikuar , jo vetëm keni ulur kokën përpara forcës së zaptonjësvet të jashtëm e të brendshëm, por… edhe kurrizin dhe u keni shërbyer interesavet të tyre me gjakun e eshtrat tuaja . ?

Pavarësisht absurditeteve ,ju nuk keni rënë pre e dëshpërimit, pasi vazhdoni ta rrokullisni gurin e pavarësisht gjithçkaje ju keni zgjedhur të jetoni jetën e vështirë! …është ndëshkimi më i tmerrshëm,i privuar absolutisht nga kuptimi i ekzistencës tuaj…

Megjithatë, ajo që i jep kuptim ekzistencës tuaj është mënyra se si i rezistoni mjerimit mendor dhe material …ndoshta se kuptimi i ekzistencës suaj është mbijetesa? Vallë ky është kufiri i lumturisë suaj apo i absurdit tuaj ? A nuk është dramatike të jeni të lumtur nga absurditeti? A nuk është tragji- komike të jeni të lumtur nga ” banaliteti i së keqes” ? Të lumtur nga absurditeti dhe e keqja banale?!..

Por, pavarësisht Fatit tuaj të njëjtë me Fatin e Sizifit, prapëseprapë ka një ndryshim të madh …

Sizifi ishte dënuar nga perënditë- juve përkundrazi, jeni të bekuar nga perënditë, por… jeni të dënuar nga ” fosilet tuaja politike” , nga krenaria juaj e shtirur”dhe nga …Europa ….

Nga ” fosilet tuaja politike” duke ushtruar shantazhe e kërcënime për nënshtrim ” me bukën e gojës” ( Holodomori shqiptar)

Nga ” krenaria juaj e shtirur” me një “ç’i bën t’emën” harroni të kaluarën dhe përjetoni ” Sindromën e Stokholmit ”

Nga europianët me diskriminim ( coptim të trojeve e hezitim të pranimit të origjinës suaj europiane) duke ju konsideruar si “delja e zezë e Ballkanit” ,si komb me shumicë myslimane

(Vazhdon …në vijim – ” HOLODOMORI SHQIPTAR” )

7 janar,2021

Check Also

BE urgjentisht t’i reagojë Beogradit për pezullimin e adresave të shqiptarëve në Luginë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon-Taubadel, ka reaguar për çështjen …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen + eleven =