Home / Editorial / SA U SHËRBEN STUDENTËVE PROCESI ARSIMOR ONLINE I IMPONUAR NGA PANDEMIA

SA U SHËRBEN STUDENTËVE PROCESI ARSIMOR ONLINE I IMPONUAR NGA PANDEMIA

Nga Manjola LUMANI –

Pandemia Covid-19 solli ndryshime të mëdha në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies në institucionet e arsimit të lartë, duke ndikuar dukshëm në bashkëveprimin midis pedagogëve e studentëve. Si pasojë e pandemisë, universitetet u detyruan ta zhvillonin mësimdhënien vetëm në internet. Ky ishte një ndër hapat e ndërmarrë nga të gjitha shtetet në mbarë botën, me qëllim shmangien e përhapjes së virusit dhe sigurimin e vazhdimësisë së procesit mësimor.

Ndërsa në përgjithësi, mësimi online konsiderohet si një opsion, një alternativë përkundrejt mësimit tradicional, gjatë pandemisë Covid-19 ai u kthye në një element thelbësor për vijimin e veprimtarisë së shkollave dhe universiteteve. Në të vërtetë, studime të ndryshme pohojnë efikasitetin e të mësuarit online, i cili mund të përmirësojë procesin e të nxënit tek studentët. Megjithatë, ka edhe mjaft elementë të tjerë, të cilët mund të pengojnë të nxënit cilësor, siç janë: ulja e motivimit, dhënia e vonuar e ndihmës nga lektorët, të cilët nuk mund të jenë gjithnjë të disponueshëm sa herë që një student ka paqartësi, ose ndjesia e izolimit për shkak të mungesës së pranisë fizike të shokëve të klasës etj.

Në kushte të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë Covid -19, kur është e pamundur prezenca fizike në auditor, mësimi online duket të jetë zgjedhja më e mirë e mundshme. Por që ky format mësimdhënieje të realizohet cilësisht, duhet të garantohen për studentët të paktën këto kushte: aksesi në internet, teknologjia e duhur dhe aftësitë e duhura për ta përdorur atë.

RETROSPEKTIVË

Në mars të 2020-ës, kur u njoftua mbyllja e parë, askujt nuk i kishte shkuar në mendje, që shumë aktivitetete do të transferoheshin online. Aq më pak mësuesve e pedagogëve, të cilëve iu desh të vepronin me shpejtësi e të përshtateshin (edhe pse krejtësisht të papregatitur) me një realitet të ri, të imponuar nga kriza botërore.

Por, nëse në fillim mund të justifikohet një lloj hutimi prej gjithsa po ndodhte, kjo edhe për shkak të mungesës së përvojës si nga ana e pedagogëve ashtu edhe nga studentët, sot, kur kemi patur gati një vit për t’u përgatitur, gjërat, jo vetëm që duhet të ishin ndryshe, por duhet edhe të ishin përmirësuar dukshëm.

Në dhjetor, 2020, organizata “Qëndresa Qytetare” kreu një sondazh me të rinjtë mbi efikasitetin e mësimit online. Sipas studimit, studentët e pyetur raportuan një pjesëmarrje mesatarisht 60% në klasat virtuale, ndërsa thuajse 40% ankoheshin se gjatë mësimdhënies online nuk respektohen oraret. Pra, mësimdhënia online gjatë kësaj kohe nuk ka qenë gjithpërfshirëse.

Nga ana tjetër, edhe pse në mbyllje të semestrit të parë për këtë vit akademik, Ministria e Arsimit dhe Kuvendi nuk kanë marrë ndonjë iniciativë për të ndryshuar ligjin 80/2015, me qëllim ligjërimin dhe përcaktimin e standardeve që e bëjnë të akreditueshme këtë lloj mësimdhënieje.

Duke iu referuar të njëjtit raport, vihet në pikëpyetje efektiviteti i mësimit në distancë. Këtë e pohojnë edhe 52.2% e studentëve të intervistuar, sipas të cilëve sfida kryesore është pasja e një metodologjie për këtë lloj mësimdhënieje. Për 22% sfidë primare është aksesi në internet, për rreth 16% sigurimi i platformave të duhura dhe për 10% mjetet që e mundësojnë.

Edhe pse prej dy semestrash online, është fakt që universitetet me departamentet përkatëse nuk kanë nxjerrë ndonjë metodologji për mësimin digjital, as kanë përshtatur kurrikulat për këtë qëllim. Po të shtojmë këtu edhe mungesën e teksteve të digjitalizuara dhe materialeve të tjera shtesë në gjuhën shqipe, vetëkuptohet që mësimi online në universitet është larg të qenit cilësor.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, 50% e territorit të Shqipërisë mbulohet me internet më të dobët se 10mgb/sec, standard minimal i vendosur nga vendet e OECD për të garantuar mësim cilësor në distancë. Gjatë periudhës mars – dhjetor 2020 ka pasur premtime dhe deklarata nga përfaqësuesait e qeverisë për t’i mbështetur studentët në nevojë me paketa internet dhe pajisje digjitale, por deri tani asnjë premtim nuk është kthyer në një akt konkret.

DEKLARATAT DHE REALITETI

Ndërkohë, në një dalje mediatike, zv/ministri i Arsimit, Olti Rrumbullaku u shpreh se situata e jashtëzakonshme e pandemisë hapi një dritare të re drejt mësimit online që mund të praktikohet pjesërisht edhe pasi bota të çlirohet nga koronavirusi.

Në foto: Olti Rrumbullaku.

“Në fakt ashtë një shqetësim të paktën dhe i imi, se mësimi online nëse do të jetë totalisht i liberalizuar, mund të sjellë problematika, mund të sjellë prirjen për ta shmangur  mësimin në auditore”, u shpreh, gjithashtu, Rrumbullaku.

E megjithatë, për të garantuar një mësimdhënie cilësore online, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, porse duhen siguruar edhe mjetet e duhura teknologjike, kurrikulat e përshtatura, burimet digjitale, sikurse dhe platformat mësimore.

Ndërkohë, sado cilësore të jetë një mësimdhënie e realizuar në Internet, asnjëherë s’mund të barazohet me mësimdhënien në auditor, veçanërisht për programe të tilla studimi, siç janë ato të shkencave të aplikuara, ku krahas teorisë studenti duhet të aftësohet edhe praktikisht.

Për studentët e këtyre shkencave vështirësitë janë të shumëfishta. Nga njëra anë pamundësitë financiare, pamundësia për të aksesuar klasat online kur ka mbingarkesë studentësh e nga ana tjetër mungesa e praktikimit të njohurive.

Për këtë arsye, rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, në një paketë të posaçme propozimesh dërguar Komitetit Teknik të Ekspertëve kërkoi praktikë në spitalet rajonale për studentët e mjekësisë, si të vetmen mundësi që ofrojnë drejtuesit e këtij universiteti ndaj të rinjve, të cilët prej një viti e zhvillojnë mësimin online. Ndërkohë, që para pak kohësh u mor vendimi që sezoni i provimeve për këta studentë të zgjatë 45 ditë e studentët të mos penalizohen nga mungesat. Studentët nga ana e tyre kanë kërkuar rikthimin në auditore, si e vemtja mundësi për të mos cenuar marrjen e njohurive.

Në këtë kakofoni deklaratash, ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një prononcim po online, deklaroi:

Në foto: Evis Kushi.

“E kuptoj shumë mirë situatën e studentit, pedagogut dhe të çdo universiteti, por mirëkuptoj edhe problematikat e shqetësimet, që janë imponuar nga situata e pandemisë. E rëndësishme është ruajtja e shëndetit”, duke theksuar se vendimi për të vijuar mësimin online vjen pas këshillës nga ana e ekspertëve shëndetësorë./ Arberianews.net-

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − 9 =