Home / Aktualitet / Sa e rrezikuar është Shqipëria nga përmbytjet si pasojë e ngrohjes globale?

Sa e rrezikuar është Shqipëria nga përmbytjet si pasojë e ngrohjes globale?

Ditët e fundit, Gjermania, por edhe një pjesë e shteteve të tjera, si Belgjika, apo edhe Holanda e Luksemburgu janë përfshirë nga reshje të shumta dhe përmbytja katastrofale që kanë shkaktuar edhe viktima në jetë njerëzish. Dhe mesa duket, gjithçka që po ndodh lidhet me efektin e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimaterike që vijnë si pasojë e saj.

E për të folur në lidhje me këtë çështje, në një intervistë ekskluzive për ‘Fax Neës’ ka folur Profesor Mihallaq Qirjo nga Qendra Burimore e Mjedisit, sipas të cilit, në të tilla raste mbetet prioritet kryesor informimi i njerëzve në lidhje me këtë problem global.

Sipas Qirjos, masat duhet të jenë ndër-sektorale dhe duhet të përfshijnë jo vetëm komunitetet njerëzore, por duhet parë edhe natyra. Ai vijoi më tej duke shtuar se një nga problematikat që do të kenë njerëzit si pasojë e ndryshimeve klimatike është sasia e ujit të pijshëm.

“Informimi i publikut për ndryshimet klimatike është i rëndësishëm, sepse duket sikur ato janë një problem global, por në fakt secili prej nesh kontribuon në to dhe zgjidhjet do të jenë lokale, duke filluar që nga marrja e masave që të mos ndërtohet në vendet ku janë të rrezikuara nga përmbytjet, në marrjen e masave që lidhen me ushqimin. Pra masat duhet të jenë ndër-sektorale dhe duhet të përfshijnë jo vetëm komunitetet njerëzore, por duhet parë edhe natyra. Më shumë duhet investuar në ndërtimin e sistemeve mbrojtëse, të cilat zbusin ndryshimet klimatike. Një nga problematikat që do të kenë njerëzit si pasojë e ndryshimeve klimatike është sasia e ujit të pijshëm. Ne po shkojmë drejt një momenti kur ndryshimi nuk është një ndryshim i butë, i zakonshëm, por duhet të jetë i jashtëzakonshëm dhe i shpejtë.”, tha në lidhje me këtë çështje z. Qirjo.

Qirjo vijoi më tej duke folur edhe për efektin e shtuar në temperaturën e ajrit sidomos në zonat urbane, siç është edhe kryeqyteti ynë, Tirana, për të cilën sipas tij, duhen marrë masa nga autoritetet lokale për shtimin e hapësirave të gjelbra dhe shesheve të hapura, ku njerëzit të mund të pushojnë në orët e pikut në ditët e nxehta.

“Në zonat urbane ndryshimet klimatike kanë një efekt të shtuar, sepse vlerësohet 5-6 gradë më shumë efekti i shtuar i temperaturës për shkak të betonizimit. Kundërpesha është shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në qytet, që i mungojnë qytetit tonë. Po ashtu, stimulimi i ecjes me biçikletë, stimulimi i makinave elektrike. Nga krijimi i shesheve të hapura, ku njerëzit mund të  freskohen dhe pushojnë gjatë verës nën hijen e pemëve. Vendosjen e çezmave publike po ashtu.”, vijoi më tej z. Qirjo.  

Check Also

Historia e pazakontë/ E reja zgjedh të bashkëjetojë me një ari

Veronika Dichka adoptoi një ari nga parku safari, dhe tani ajo po shkon për peshkim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight + 10 =